English

Pollo: I mbajtëm premtimet, realitet angazhimet e marra në fushatë

Berat, 29 dhjetor 2011, NOA- Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e Komunikimit, Genc Pollo, i shoqëruar nga Prefekti i Qarkut të Beratit, Bujar Hoxhaj dhe nga Kryetari i Këshillit të Qarkut të Beratit, Petrit Sinaj inauguroi sot fillimin e punimeve që lidhin qendrën e fshatit Tapi të komunës së Perondisë me rrugën nacionale Berat-Kuçovë.

“Ne jemi qeveri që shikojmë përpara dhe jemi njerëz që premtojmë dhe mbajmë fjalën. Prandaj, sot jemi këtu për të treguar se ato angazhime që morëm në fushatë, nëpërmjet kandidatit tonë, Rexhep Hadëri, bashkë me ne të gjithë që kemi vajtur fshat më fshat, do të bëhen, dhe do të vijmë përsëri për të thënë se çfarë kemi bërë. Po ashtu, në një kohë rekord u mbajt një premtim i dhënë, filluan punimet në fshatin Tapi, nga qendra deri në rrugën kryesore”, u shpreh Pollo.

Më tej në komunën Perondi në një ceremoni të këshillit të komunës, Pollo u dha dy banorëve titullin “Qytetar nderi”.

Në vijim së bashku me Prefektin e Beratit, Bujar Hoxhaj, u organizua një takim me familjarë të policëve të rënë në krye të detyrës në Qarkun e Beratit dhe me shoqatën e të verbërve të Beratit.

Në këtë takim ai u shpreh se, “Festat e fundvitit janë festat e solidaritetit njerëzor dhe menduam se nuk kishte mënyrë më të mirë për ta shprehur sesa të jemi pranë me të afërmit e atyre që kanë dhënë jetën për demokracinë, për shtetin ligjor, për ruajtjen e jetës së njerëzve apo për ruajtjen e pronës private dhe këta janë dëshmorët e ligjit, policët e rënë në detyrë. Ndaj, bashkë me ta menduam të festojmë Vitin e Ri dhe të vijojmë një aktivitet me ata që nuk kanë mundësi të shikojnë ato gjëra që ne na ka dhënë Perëndia, që janë të verbrit”.

a.y/NOA

KOMENTE