English

Sendi që na lë pa mend

Nga Behxhet Shala

Mashtrimi dhe sensibilizimi:

Nëse i referohemi titullit të këtij shkrimi vështirë e kemi të përcaktojmë adresën se kujt po i drejtohemi! Si është e mundur në të vërtetë që : “ sa më shumë që po sulmohet edhe më shumë po forcohet “?! Në kontekstin idealist, glorifikues apo më mirë të them mashtrues ky titull do t’i përshtatej kohës së socrealizmit sepse : “ sa më shumë që po sulmohemi nga armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm , po forcohemi edhe më shumë” !! Ishte kjo koha e luftës së klasave apo më mirë të them të krimit masiv mbi demokracinë, vlerave kombëtare dhe shtetërore në Shqipërinë e dikurshme që ishte vazhdimisht në lidhje miqësore me të gjitha shtetet që ishin armiqtë ma të mëdhenj të saj! Ishte koha kur edhe në Jugosllavinë e kriminelit Broz ( kërkoj falje prej disave që sot janë pjesë aktive dhe vendimmarrëse të cilët marrin rroga të majme si këshilltarë apo kanë poste tjera në kabinetet qeveritare dhe bordelet joqeveritare për këtë kualifikim ) në emër të këtij slogani bënin krime kundër të gjithë atyre që gjakonin lirinë për popullin shqiptar por duke mos e mohuar apo rrezikuar lirinë e popujve të tjerë! Këtë slogan e përdornin glorifikuesit dhe mashtruesit , për të mbajtur pushtetin! Këtë slogan e përdornin idealistët kur e pësonin në mbrojte të një ideali sepse në këtë mënyrë i injektonin vetes një forcë që u siguronte përballimin e vuajtjeve si dhe vazhdimin e veprimtarisë së tyre! Edhe pas luftës ky slogan nuk e humbi kuptimin! Madje u bë referencë për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit! Për eliminimin e kundërshtarëve politik dhe atyre personal ! U shkatërruan shumë karriera duke shkaktuar shumë drama personale dhe tragjedi familjare! Miqtë e dikurshëm u shndërruan në armiq duke u mbështetur ( në shumë raste duke keqpërdorur ) pikërisht në këtë slogan! Pas humbjes së zgjedhjeve dilnin edhe më të fortë ! Prej pozitës së mohimit shtetëror dhe kombëtar, bëheshin zëdhënës dhe zbatues të patriotizmit folklorik, tash si bajraktarë! E mësonin gjeografinë dhe e rishkruanin historinë! Dikush gjunjëzohej , tjetri pafytyrësisht forcohej dhe pasurohej! Disa, nga luftëtarë të lirisë u shndërruan në luftëtarë të zhvatjes , plaçkitjes, krimit dhe “ akademikë” të hajnisë! Ata që për analfebetizëm u shquan, me tituj akdemik dhe shkencorë u furnizuan! Jo se dolën nga ahuri i analfabetizmit por përfituan për shkak të mediokritetit, lakmisë dhe poltronizmit! Atij intelektual, profesional dhe prostitucional! Akademikë të shquar, profesor të merituar dhe intelektualë të spikatur u shndërruan në shërbyes civilë të një “ Çete të profetëve “ të kastruar nga çdo vlerë etike por të armatosur me poste dhe forcë politike! Prandaj edhe janë; të mjerë dhe të dhjerë!

Ç’është ky send që të le pa mend:

Dikush po mendon se me kash e lashe dua t’i vë lexuesit në telashe. Po vazhdojmë..Ç’është ky send që po na bashkon të gjithë mëkatarët e kësaj bote; politikanë vendorë dhe miq ndërkombëtarë, ambasadorë dhe analistë llaskucë vendorë, ata që dikur i kanë shërbyer Serbisë e tash janë bërë dishepuj të patriotizmës dhe shqiptarisë, kozakë të Rusisë, miq të Gadafit dhe Libisë tash flamurtarë të sakrificës, “ bëmirësisë “, humanizmit, pozitivitetit, konstruktivitetit dhe atdhedashurisë, ata që dikur mbathnin këpucët e Lulit të Vogël nëse u binin në duar ndërsa tani janë njohur me Versaçen, Ferren dhe Pradan ndonëse për ta nuk patën dëgjuar kurrë. Nuk e dinin nëse kanë qenë toreadorë të Andaluzisë, klerikë të Lombardisë apo “bëmirës “ të Sicilisë! Ata që dikur silleshin kah bishti i dhisë kurse tani me bissuines class, të shoqëruar me yje të estrades të shndërruara në punëtore publike i mësyjnë vendeve të “ shkreta “ të Dubait dhe Antalisë! Për fe dhe për atdhe! Ata që me krim dhe hajni u bënë deputetë dhe për ta kompensuar përmbajtjen e tyre, mbi ne ushtrojnë pushtet! Ata që ende ëndërrojnë Tinën, lagen para Krisoferit mirëpo tregohen shumë të vendosur për mënjanimin e Ademit dhe kur ia ngulin Avniut, Zejdës apo Behxhet beterit! Sepse, këta janë treguar të mençur duke e “ zbuluar “ gurin e filozofisë dhe urtësisë përkatësisht : “ një send që të lë pa mend “!

A po luftohet : “ ky send që të lë pa mend “ :

Po luftohet madje më shumë se që mendohet! Këtij sendi të shkretë i janë sulur të gjithë, politikanë vendorë dhe ata ndërkombëtarë, hetues, gjykatës, prokurorë dhe hoxhallarë, papët e Vatikanët dhe çunat bukuroshë të Kazakistanit, Artemije si lider i ortodoksisë dhe mendermethënë “ Guardia Financa e Italisë “, e tërë qeveria dhe miqtë nga Sicilia, kori diplomatik nga Prishtina dhe Hajduk Velko nga Jagodina , ata që i obligon Kushtetuta dhe një pjesë e shoqërisë civile kosovare si prostituta, me platformën antikorrupsion Hasani dhe me platformën prokorrupsion X Shejtani, disa analistë të medieve elektronike , me bythët e stërshitura simpatike, aspak problematike! Sepse janë të pajisur me dy shkathtësi dhe cilësi. Orale dhe anale! Sa më shumë që ke shkathtësi orale, më shtrenjtë i shet territoret anale dhe më të fryra do t’i kesh xhirollogaritë bankare ! Për të ruajtur nderin, dinjitetin dhe profesionalizmin këta analistë nuk paguhen për shërbime publike por për paraqitje apo shkrime “analitike “! Dhe “ kritike “! Këtij sendi të mjerë i janë turrur edhe Transparency International “ , Raporti i Progresit dhe Perspektiva e Regresit. Transparency International kërkon llogaridhënie për hajnat e prodhimit vendorë, sa më parë mirëpo është shumë i butë dhe nuk kërkon fare përgjegjësi për hajnat ndërkombëtarë! Duke marrë në mbrojtje të korruptuarit në Kosovë, Raporti i Progresit, në fakt po na ofron Perspektivën e Regresit! Këtë send po e luftojnë edhe policët unmikas të Rumanisë, Veselinoviqët e Serbisë, peshkatarët e EULEX-it dhe tregtarët e Plazma keksit! Ish kryeministri Berluskoni i Italisë, Papandreu i Greqisë dhe Robert Mugabe i Tanzanisë. Suksesi duhet të jetë i garantaur sepse këta janë luftëtarë të dëshmuar! Prova janë Greqia, Italia e mos të flasim për fitoret e arritura nga Tanzania! Me fjalë të tjera për të luftuar këtë send “ që të lë pa mend “ është e angazhuar e tërë Evropa, Afrika dhe në fund edhe Amerika! Edhe presidentja e mori një rrugë të mundimshme dhe të gjatë për ta luftuar këtë send të ngratë! Mbështetur në teorinë e rrotullimeve të akrepëve të sahatit, presidentja e Kosovës do të jetë e suksesshme në luftimin e kësaj dukurie duke u sjellur rreth “ dardhës së Ahmatit “!

Literatura e përdorur në luftë kundër këtij sendi që të lë pa mend:

Ky është regjistri : Kodi Penal i Etiopisë, platforma kundër krimit të organizuar e Arkanit të Serbisë, kodi etik sanaderian i Kroacisë dhe regjistri i thesit me dukatë i Dukatit të Shqipërisë, statuti gjentelmen i mafiozëve të Rusisë dhe rregullorja mbi ruajtjen e pronës publike të don Vito Korleones të Sicilisë, projekti i mbjelljes së tokave a la Pablo Eskobar i Kolumbisë dhe Vëllazëria me Gisht të Prerë e Japonisë! Epitafi i shkruar mbi verret e mafisë bullgare dhe elaborati për të vjedhur sa më shumë sipas metodologjisë kosovare. Dinakëria alkaponiane dhe “ shkathtësia “ e një strukture hajnash evropiane! Teksti i betimit të gardianëve të thesarit të shtetit si dhe ligji për beneficione të deputetit! Kjo gjithsesi nuk vlen për politikanët e Republikës së Kosovës por për Sindikatën e Hajnave të Pavarur të Republikës së Mantovës!

Cili është ky send, që na lë pa mend:

Nuk janë buzët e Anxhelinës, sharmi i Rihanës, ballkonet e Kardashianit, të prapmet e Llopezit, dështimet e Torresit, këmbët e Mesisë, zëri i Pavarotit dhe as dënimet e Zotit! Nuk është falimentimi i Greqisë apo ç’kombëtarizimi i Shqipërisë. As humbja e Realit kundër Barcelonës e as shfaqjet pa pagesë të fakirëve të Dodonës! As përkatësia seksuale e Elton Xhonit , majat e Kilimanxharos dhe as Ujëvaret e Nijagarës apo një Safari në Afrikë, por është hajnia planetare e quajtur korrupsion që deri në kockë do të na fikë! Jemi shtet i ri dhe popull me fat sepse kjo dukuri te ne ka kaluar në histori! E shkuar dhe e harruar, pa mundësi kthimi dhe riciklimi! Kjo dukuri negative te ne mund të llogaritet si diçka krejt fiktive! Prandaj, jetojmë të lirë në shtetin më të mirë! E jo të jetojmë në ankth si Finlanda, Norvegjia, Danimarka dhe Suedia që nuk dinë ç’të bëjnë me para dhe mjete materiale! Ne e kemi zgjidhur këtë problem duke i shndërruar në pasuri personale! Në çdo mënyrë, me fytyrë dhe pafytyrë!

Uroj që për lexuesit e gazetës “ Epoka e Re “ në vitin 2012 vërtetë të vi një Epokë e Re. Një dimension, pa korrupsion!

KOMENTE
  • Ilir Gjorgo16:27 - 29 Dhjetor 2011
    Z.Shala, eshte dukuri mbare shqiptare të qënit DEMAGOG...