English

Tabaku: Socialistët votuan kundër buxhetit prej konflikteve politike

Tiranë, 29 dhjetor 2011, NOA- Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Jorida Tabaku, në një komunikim me mediat tha se Këshilli Bashkiak miratoi dje buxhetin për vitin 2012, për herë të parë pas dy vitesh.

Siç raporton agjencia e lajmeve NOA.al, ajo theksoi se, ky buxhet u realizua me një konsultim të gjerë ku mijëra qytetarë u përfshinë në këtë proces përmes 11 takimeve të kryetarit të Bashkisë me banorët e 11 njësive vendore, përgjatë dy javëve të fundit.

“Mbrëmë, për fat të keq, disa anëtarë të Këshillit Bashkiak zgjodhën të votojnë kundër këtij buxheti dhe kundër zërit të qytetarëve, thjesht për hir të konfliktit politik dhe axhendës personale. Konflikti politik ka penguar progresin dhe ecjen përpara për shumë gjatë, dhe ky konflikt nuk do të ndihmojë aspak për ta bërë Tiranën një qytet më të mirë. Kryetari i Bashkisë do të kërkojë pareshtur konsensusin e të gjithë anëtarëve të Këshillit Bashkiak, por vjen një moment kur kemi të bëjmë me dy zgjedhje; të ndihmojmë për ta bërë Tiranën një qytet më të mirë duke punuar së bashku, apo të ndjekim axhendën e konfliktit politik. Çdo këshilltar do të duhet të vendosë vetë për rrugën që do të ndjekë”, u shpreh Tabaku.

Sipas saj, për fat të mirë, maxhoranca në këshill e kaloi mbrëmë buxhetin, duke krijuar mundësinë për më shumë investime në Tiranë, më shumë rrugë të rregulluara, më shumë shkolla, çerdhe e kopshte, më shumë ndihmë dhe asistencë për personat në nevojë.

Ndër të tjera ajo falënderoi edhe qytetarët që kontribuan dhe morën pjesë në konsultat me kryebashkiakun Lulzim Basha.

a.y/NOA

KOMENTE
  • Mihal19:56 - 29 Dhjetor 2011
    Po me tenderat kush do meret ?