Londër, 29 dhjetor 2011, NOA - Në shkrimin me titull "Shtetet e pavarësisë", eksperti për Ballkanin Tim Xhuda shkruan në revistën "The Economist" të Londrës rreth një episodi interesant mes dy kryediplomatëve të dy shteteve të reja të botës, Kosovës dhe Nagorni Karabakut, ilustron vështirësitë në real politikën e marrëdhënieve ndërkombëtare, veçanërisht kur bëhet fjalë për shtete të vogla. Duke cituar Ministrin e Jashtëm të Nagorni Karabakut, kryesisht me popullsi armene në shtetin e Axerbajxhanit, sipas të cilit vendi i tij do të njihte Kosovën, nëse Kosova do të bënte të njëjtën gjë për shtetin e tij, "The Economist" shkruan se mesazhi i kaluar homologut të tij kosovar Enver Hoxhaj nuk u pranua nga ky i fundit duke u refuzuar me politesë e diplomaci.
Dallimi mes dy shteteve është se asnjë shtet nuk e ka njohur Nagorni Karabakun, ndërkohë Kosovën e kanë njohur më shumë se 80 vende.
Perëndimi mendon se Kosova nuk është një precedent për vendet e tjera. Duke shkruar për standarde të caktuara diplomatike "The Economist" analizon se Rusia një aleate e Serbisë, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por ndryshe nga vendet perëndimore njeh shtetet e Abkazisë dhe Osetisë pas luftës me Gjeorgjinë në 2008.
Serbia mund të dojë të ketë kauzë të përbashkët me Gjeorgjinë, por nuk dëshiron të irritojë Rusinë. Po ashtu Gjeorgjia nuk dëshiron të bashkëpunojë me Serbinë për shkak të dëmit potencial në marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara. Në të njëjtën linjë armenët janë detyruar të përdorin argumente të pakuptimta për mosnjohjen e Kosovës me qëllim që të mos armiqësojnë padronët rusët. Armenia në fakt nuk e ka njohur Nagorni Karabakun pasi kjo do u kujtonte diplomatëve amerikanë kur vijnë për vizitë që t'i kërkojnë të njohin Kosovën. Duke iu rikthyer Ministrit të Jashtëm kosovar Enver Hoxhaj, mesazhi i tij për homologun nga Nagorni Karabaku është se Kosova mund të ketë marrëdhënie zyrtare vetëm me anëtarë të OKB së edhe pse vetë Kosova nuk është futur ende në OKB, shkruan "The Economist", citon Qendra për Informim e Kosovës. Njëlloj si armenët që simpatizojnë kosovarët, por nuk duan të zemërojnë rusët, edhe kosovarët nuk duan të irritojnë mbështetësit e tyre perëndimorë. Duke konkluduar, Tim Xhuda thekson se të tilla janë themelet e diplomacisë në fushën e minuar të marrëdhënieve ndërkombëtare, ku shteteve dhe vendeve të vogla u duhet të manovrojnë për të garantuar mbrojtjen sa më mirë të interesave të tyre.
NOA