Tiranë, 29 dhjetor 2011, NOA – Kur mbeten dhe shtatë muaj nga mbarimi i mandatit kushtetues të Presidentit të Republikës dhe kur loja politike për pasuesin e Bamir Topit në krye të presidencës është hapur ende pa u mbyllur ky vit, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta deklaroi se koalicioni i mazhorancës qeverisëse do të bashkëpunojë për zgjedhjen e Presidentit të ri, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Para pak javësh lideri historik i të majtës Fatos Nano bëri me dije nga Londra se ai do të hedhë kandidaturën për President duke saktësuar se ka mbështetje edhe brenda radhëve të Partisë Socialiste.
Por, mbështetja ndaj Nanos nuk mungon as në radhët e LSI-së, kur është e njohur marrëveshja disa-vjeçare mes Nanos dhe Metës, për të cilën vetë Nano është shprehur në një intervistë televizive disa kohë më parë.
Kryeministri Berisha bëri me dije se PD do të sjellë një emër nga ana e saj për këtë post, ndërsa Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u shpreh qartë në intervistën e mbrëmshme se ajo nuk do ta votojë Fatos Nanon si president.
Kreu i LSI-së Ilir Meta preçizoi se zgjedhja e Presidentit do të bëhet sipas Kushtetutës.
Në një intervistë për UTV-në, ish-kryeministri Ilir Meta deklaroi se nuk ka një marrëveshje konkrete me PD-në, pasi mandati i Presidentit aktual mbaron në korrik.
“Por në marrëveshjen që kemi nënshkruar me PD-së, kemi shprehur angazhimin që si koalicion të bashkëpunojmë për të zgjidhur çështjen e Presidentit përveç të tjerave. Unë kam konfirmuar që ne do të jemi pjesë e zgjidhjes pasi ky është një problem që do të zgjidhet, natyrisht sipas Kushtetutës. Duke qenë se kemi marrëveshje me PD-në edhe për këtë çështje në kohën e duhur do t’i japim një zgjidhje sa më të mirë”, theksoi lideri i LSI-së Ilir Meta, duke shtuar se ai nuk do të flasë për këtë çështje pasi është tepër e parakohshme.
Sipas deklaratës së Ilir Metës nuk duket qartë nëse do të ketë ndryshime të Kushtetutës sa i përket zgjedhjes së Presidentit, por fjalët e tij nënkuptojnë se zëri i LSI-së në zgjedhjen e Kreut të Shtetit do të jetë i fortë.
Pak ditë më parë Presidenti i vendit Bamir Topi duke iu përgjigjur akuzave të kryeministrit Berisha deklaroi se ai do të garojë për President vetëm në rast se Kreu i Shtetit do të zgjidhet nga populli.
Por, nëse kjo do të ndodhte duhej që më parë të ndryshohej Kushtetuta në këtë pikë, gjë të cilën mazhoranca nuk don ta prekë duke lënë në fuqi ndryshimet e bëra me konsensusin e opozitës në vitin 2008, duke bërë që zgjedhja e Presidentit të bëhet me 50+1 vota.
Gjatë intervistës Meta u shpreh edhe për aludimet e Edi Ramës në librin “Kurbani” për një mundësi të dytë të Metës në PS, duke nënvizuar se LSI ka një marrëveshje 4-vjeçare me PD-në për koalicionin qeverisë dhe kjo marrëveshje do të respektohet deri në fund me korrektësinë maksimale.
“Për aq kohë sa është kjo marrëveshje absolutisht që s’mund të ketë ide dhe tentativa për të zhvilluar bisedime të fshehta apo të hapura me çdo forcë tjetër politike”, bëri me dije Kryetari i LSI-së, Ilir Meta.
Më tej gjatë intervistës Ilir Meta flet edhe për ngjarjet e 21 janarit, duke theksuar se 21 janari nuk kishte asnjë lidhje me video-montazhin kundër tij.
“Aq më tepër me një video-montazh të organizuar nga opozita. Aq më tepër kur dihet se pavarësisht që kishte të bënte me një video-montazh, kriminal që ka rezultuar nga të gjitha ekspertizat”, theksoi Meta.
Sipas tij LSI ka dhënë një kontribut të suksesshëm për integrimin dhe qeverisjen e vendit.
mit/NOA
Intervista e plotë e Ilir Metës
Z. Meta, ky vit nisi me një ngjarje siç ishte ajo e 21 janarit ku humbën jetën 4 vetë. Kjo ngjarje ishte pas paraqitjes së një videoje. Pas një viti, a ndjeni përgjegjësi ju për atë që ndodhi?
21 janari nuk ka lidhje me asnjë lloj videoje. Aq më tepër me një video-montazh të organizuar nga opozita. Aq më tepër kur dihet se pavarësisht që kishte të bënte me një video-montazh, kriminal që ka rezultuar nga të gjitha ekspertizat. Përsëri duke pasur informacionet e mia nga burime, pra se kjo do të përdorej si një pretekst për të nxitur dhunë, unë dhashë dorëheqjen nga postet qeveritare. Njëkohësisht kërkova vetë që të hetohej kjo çështje i bindur se kisha të bëja me një montazh por edhe për të respektuar çdo ndjeshmëri që ishte krijuar për shkak të manipulimit të opinionit publik.
Vetëm për shkakun se videoja do të përdorej për dhunë dhatë dorëheqjen?
Ky është një shkak shumë i rëndësishëm, ashtu sikurse kishte të bënte edhe morali im për të shkuar para drejtësisë jo si Zv. Kryeministër por si qytetar i thjeshtë. Njëkohësisht nuk kishte asnjë arsye për të organizuar një sulm të dhunshëm ndaj institucioneve në kushtet kur këtë çështje e nisi për ta hetuar vetë Prokuroria. 21 janari ka lidhje edhe më një çështje tjetër, me atë që ndodhi një vit më parë që ishte liberalizimi i vizave për të gjithë qytetarët shqiptarë. Kjo pasi për fat të keq lidershipi i PS-së për më shumë se 1 vit u përpoq ta bllokonte këtë proces përmes një konflikti të jashtëzakonshëm të provokuar pa asnjë arsye, pasi u bënë edhe greva në bulevard, pasi mbetën pa alternativë për të goditur qeverinë dhe për ta përmbysur atë, krijuan inskenimin e dhunshëm të 21 janarit dhe për këtë përgjegjësia është e atyre që i bënë këto veprime dhe këto manipulime. Por asnjë objektiv ato nuk arritën. Qeveria nuk u përmbys. Rendi kushtetues nuk u përmbys pavarësisht se u cenua. Bashkia e Tiranës nuk u fitua dhe njëkohësisht ajo që u quajt partia “ndjesë pastë” doli shumë më e fortë nga zgjedhjet e 8 majit duke marrë 120 mijë vota. Për sa i përket 21 janarit dhe ju mos harroni që, 21 janarin, i pari që e ka paralajmëruar publikisht që do të shkonte drejt dhunës e drejt konfliktit, kam qenë unë dhe jo vetëm kaq, por tre ditë përpara se të ndodhte 21 janari Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, zoti Luan Rama, i ka dërguar informacion zyrtar, me shkrim drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, duke i përshkruar pak a shumë për ato informacione që ne i kishim dhe që rezultuan për fat të keq shumë të sakta për atë që do të ndodhte. Për fat të keq janë vrarë 4 qytetarë, të cilët nuk jetojnë më, ndaj dhe unë kërkoj me forcë që të zbardhet 21 janari.
Përveç arsyes morale, arsye tjetër ishte se kishe informacione sekrete nga burime që ju informuan juve se do të përdorej dhunë dhe ju e dhatë dorëheqjen edhe për këtë arsye.
Gjithashtu ne kemi ditur se çfarë do të ndodhte në 21 janar, Ne situatën e kemi pasur nën kontroll dhe vazhdojmë ta kemi nën kontroll sa i përket informacioneve.
Zoti Meta, në rast se ju do të ishit kryeministër në vend të Sali Berishës në 21 janar, a do të kishte Garda e Republikës të njëjtin reagim që pati në 21 janar?
Mendoj se qëndrimi i Kryeministrit në zyrë ka qenë shumë i drejtë. Duket qartë që segmente të caktuara të shtetit, jo vetëm që nuk kanë funksionuar, por kanë funksionuar në drejtim të kundërt. Është e qartë, të gjithë i kanë parë pamjet, socialistët e vërtetë ishin të vendosur nga Galeria e Arteve e këtij, pasi socialistët e vërtetë nuk janë njerëz të dhunshëm, por në krye të turmës kanë qenë kontingjente kryesisht kriminale. E kam thënë dhe atëherë dhe e them dhe tani me shumë qetësi dhe me shumë bindje. Kuptohet që ai tension i imponuar për orë të tëra synonte një produkt, për fat të keq me pasoja për jetën e qytetarëve, sepse një protestë zhvillohet dhe secili më pas vazhdon punën e tij. Dhe në këtë drejtim kuptohet që ka një përgjegjësi edhe policia, pasi kur e merr vesh një strukturë politike se çfarë do të ndodhë dhe të mos e marrë vesh një institucion i sigurisë kombëtare, kjo është e patolerueshme që ata elementë që sulmuan policinë atë ditë nuk duhet të kishin hyrë fare në Tiranë. Ndërsa qytetarët kanë të drejtën e tyre të protestojnë në mënyrën më demokratike si në çdo vend të botës. Elementë me armë, me mjete të forta nuk duhet të kishin hyrë në Tiranë duke qenë se paralajmërime të tilla ishin bërë më parë. Unë nuk dua të hyj në kompetencat e hetimit të çështjes. Unë mendoj dhe i takoj asaj kategorie dhe e kam treguar që kur njëri është në krye të një institucioni nuk mund ta braktisë atë institucion atë më tepër në atë moment kur është e qartë se tentoi për ta dhunuar institucionin. Një njeri që braktis këtë detyrë është një dezertor, është një frikacak, është një njeri që e do postin apo opozitën thjesht për të përfituar apo për protagonizmin publik, por nuk merr përgjegjësitë që i takojnë në momente të vështira. Në fund të fundit, nuk shikoj asnjë përgjegjësi, përkundrazi mendoj se është një tregues i kurajës për të mbrojtur institucionin. Këto janë aspekte që duhen hetuar me profesionalizëm, me paanshmëri nëse është shkelur apo jo ligji, nëse hetimet kanë qenë apo të qëllimshme, e kështu me radhë. Unë i takoj asaj kategorie politikanësh që janë për të mbrojtur institucionet. Nuk mundet që të vazhdojmë ne në Shqipëri që i teket dikujt dhe merr institucionin tonë, edhe e lëshon nesër sepse kemi raste të shëmtuara të historisë sonë të re të vendit, institucioni nuk preket. Kushdo qoftë, absolutisht, sepse institucioni u takon të gjithëve, nuk i takon atij që është sot në zyrë, por që i takon të gjithë atyre qytetarëve që paguajnë taksat në mënyrë që institucionet të kryejnë detyrat e tyre. Kjo është një çështje e mbyllur. Unë jam që çdo politikan të respektojë ligjin. Absolutisht, të respektojë policin e thjeshtë, të respektojë shenjat e semaforëve dhe jo t’i shkelë i pari ato. Çdo politikan duhet të respektojë ligjin, që nga polici më i thjeshtë, i cili është i pari kontakt i çdo qytetari me ligjin, që kur del nga banesa e tij derisa sa kthehet aty.
Gjatë kësaj kohe u shprehët se ekzistojnë edhe çështje të tjera korrupsioni. Për çfarë çështjesh e keni fjalën?
Këto çështje nuk më takojnë mua. Me këto çështje merret zoti Spartak Braho. Për këto çështje mund të komunikoni me të. Unë nuk kam kohë të merrem me këto perversitete. Në rast se doni diçka më shumë për çështjen në fjalë, është një montazh i gjallë kriminal, ku nuk është problemi këtu i atyre që e bënë këtë montazh dhe për këtë ekzistojnë të gjitha provat, faktet etj. Por problemi i madh është implikimi total i Prokurorisë së Përgjithshme në këtë çështje e cila në mënyrë të qëllimshme jo vetëm ka manipuluar procesin, jo vetëm ka mashtruar Parlamentin, sikurse ka rezultuar edhe nga procesi gjyqësor, jo vetëm është përpjekur të zvarrisë në mënyrë të qëllimshme këtë proces vetëm për arsye politike, por njëkohësisht prokuroria e Përgjithshme, ka shkelur dhe vazhdon të shkelë çdo ditë në mënyrë të hapur ligjin, jo thjesht duke u bërë pjesë e një loje politike, por edhe shumë më tepër sesa kaq. Një gjë mund t’ju them dhe nuk dua të merrem më me këtë çështje, kur Gjykata e Lartë vendosi për tre ekspertët shqiptarë të cilët do të bënin ekspertimin e kësaj video, ndaj të cilëve gjithashtu prokuroria përmes gazetave të cilave ajo u jep dizinformacion për arsye politike, nisi një fushatë denigrimi dhe shpifjesh, pikërisht në atë moment kur Prokuroria e pa se nuk mundet të kontrollonte proceset e ekspertizës siç kishte ndodhur më përpara. Përfaqësuesi i prokurorisë në Gjykatën e Lartë u çua dhe bëri një kërkesë shumë interesante, objektet që duhet të ekspertoheshin nga ekspertët, të cilat ishin ora, mbi të cilën pretendohej se ishte bërë ekspertimi, njëkohësisht laptopi USB-ja etj., etj., u kërkua të mos ishte objekt i ekspertimit ora e filmimit sepse prokurori tha se nuk ekziston kjo video Meta- Prifti në këtë orë. Dhe vërtet nuk ekziston sepse edhe eksperti amerikan e kishte shprehur këtë gjë në mënyrë të qartë dhe njëkohësisht edhe ekspertët e tjerë nuk kanë gjetur asnjë gjurmë të saj. Ora ka ardhur si provë kundër meje dhe ora është provë origjinale sepse për të manipuluar videon nga një laptop nga një tjetër, ka programe dhe këto programe janë gjetur edhe në laptopin përkatës edhe kudo. Prokuroria kërkoi që ora të mos ekspertohej, pra nuk ka provë origjinale. Që në këtë moment duket fare qartë roli i Prokurorisë, sepse kjo Prokurori ka sjellë një relacion për heqjen e imunitetit tim dhe relacionin e mbështet edhe mbi ekspertimin e orës nga eksperti amerikan, i cili e ka bërë të qartë që nuk e ka gjetur këtë gjë, por ka gjetur gjëra të tjera. Së dyti, nga ekspertimi ka dalë qartë që në orë është ndërhyrë në të gjatë kohës kur ka qenë në Prokurori, pra është prekur kjo provë. Së treti, janë gjetur me mijëra foto-imazhe, të cilat janë vendosur në orë dhe askush nuk e merr përsipër që i ka vendosur ato, që ka qenë një përpjekje tjetër për të manipuluar provat e kështu me radhë. Kjo dhe shumë të tjera, tregojnë se Prokuroria është shndërruar në një “çerdhe politike”, që ka kryer këto veprime në kundërshtim me ligjin. Edhe ftesa që mu bë mua për të më komunikuar akuzën, një ditë përpara se të fillonte fushata e 8 majit. Pra, nuk ekziston asnjë provë, gjithçka është një montazh. Së dyti, të gjithë dëshmitarët që ka sjellë Prokuroria, të gjitha kanë dalë kundër akuzave të Prokurorisë dhe gjithçka është konfirmuar ashtu sikurse unë jam shprehur për të gjitha çështjet që janë pretenduar kundër meje që prej fillimit. Këtë problem e kam përballuar me qetësinë më të madhe dhe jo vetëm kaq por rezultatet kanë treguar mjaft qartë që edhe opinioni ka qenë i bindur që kjo është një lojë politike. Unë kam shkuar dhe i kam kërkuar prokurorit, i kam sqaruar këtë histori. Unë kam shkuar atje, sepse sikurse u kuptua shumë qartë ishte një vendim gjykate, të cilën ministri i asaj kohe e ka firmosur vetë, pasi u takua me mua, siç doli dhe nga procesi gjyqësor, nga të gjithë dëshmitarët. Unë i kam kërkuar bashkëpunim prokurorisë për ta ndihmuar atë. I kam dhënë që bëni ekspertizë që tani dhe nuk ka nevojë për heqjen e imunitetit por dua që kjo çështje të sqarohet. Unë kam shumë respekt për institucionet dhe nuk mendoj që të gjithë prokurorët kanë moralin e Ina Ramës apo edhe të tjerëve. Jo vetëm për këtë çështje por edhe për të tjera rezultojnë deri në fyt, jo vetëm të implikuar politikisht por edhe në afera që nuk mbyllen dot. Çështë ky institucion që i thotë Ministrit të Drejtësisë që nuk do ndërhyrje kur nuk respekton ligjin dhe dënon një njeri për vrasje me vetëm 2 vite. Çështje ky institucion që mund të bëjë ctë dojë në këtë vend dhe që bën vetëm loja politike dhe korruptive.
Është shefi i opozitës dhe ai i republikës pas kësaj loje apo jo?
Nuk dua të bëhem pjesë e këtyre spekulimeve por ky është një komplot shumë më i gjërë se sa thjesht disa prokurorë apo ndonjë tjetër. Është e qartë që prokuroria vetëm një institucion i ligjshëm nuk është, ashtu siç jam i bindur që ka edhe prokurorë që janë edhe më të zhgënjyer por edhe shumë të tjerë pasi mendojnë që ata nuk e kanë këtë përgjegjësi, mendojnë që prokuroria duhet të jetë e pavarur dhe të respektojë ligjin.
A jeni takuar me kreun e KLD-së për këtë qëllim?
As nuk e kam takuar dhe as nuk kam ndërmend ta bëj dhe askënd tjetër. Kjo për arsye se kjo do të dukej si një përpjekje e imja për të pasur një ndikim. I vetmi që kam takuar ka qenë prokurori i çështjes dhe i kam kërkuar që të përshpejtojë hetimet dhe i kam shprehur vullnet maksimal për të bashkëpunuar në respekt të ligjit. Të bëhet ekspertiza dhe që të jetë e vlefshme për gjykatën dhe jo e paligjshme siç rezultuan në të dyja ekspertizat e para ku doli tek të dyja që është e padëgjueshme. Gjithçka ka qenë pjesë e një manipulimi të qëllimshëm, një përpjekje titanike për të manipuluar çdo gjë. Kjo sepse është marrë një detyrë politike dhe këtë duan ta çojnë deri në fund.
Z. Rama u shpreh në librin e tij se “Meta ka një mundësi të dytë” e cila është thënë edhe nga disa deputete të PS-së. Ndërkohë që aleatët e PS-së thonë se ne përkrahim një opozitë pa z. Meta. Cili është komenti juaj?
Unë nuk dëshiroj të merrem me këto çështje. Gjerat janë shumë të qarta. LSI ka një marrëveshje 4-vjeçare me PD-në për koalicionin qeverisë dhe kjo marrëveshje do të respektohet deri në fund nga ana jonë me korrektësinë maksimale. Dhe për aq kohë sa është kjo marrëveshje absolutisht që s’mund të ketë ide dhe tentativa për të zhvilluar bisedime të fshehta apo të hapura me çdo forcë tjetër politike. Për sa i takon fjalëve unë nuk mbaj përgjegjësi, kjo është një çështje e tyre. Unë nuk ndërhyj. Ne si LSI kemi treguar gjithmonë se jemi forcë politike serioze. Bëmë një marrëveshje me PS-në në vitin 2006, i qëndruam në mënyrë shumë korrekte dhe ishin të tjerët që e shkelën pasi i realizuan etapat sipas interesit të tyre.
Nuk ka pasur asnjë kontakt mes LSI-së dhe PS-së për një bashkëpunim të mundshëm?
Kudo mund të gjesh njerëz që shkëmbejnë mendime të ndryshme dhe unë nuk marr përsipër të komentoj bisedat, dëshirat apo idetë e ndryshme që ata kanë, janë njerëz të lirë të shprehin mendimet dhe të spekulojnë. Qëndrimi i LSI-së dhe i imi është ky. Për aq kohë sa kemi një marrëveshje nuk ekziston mundësia për një gjë të tillë.
A keni gjetur korrektësi nga pala tjetër, z. Berisha për sa i përket marrëveshjes?
Raportet kanë qenë korrekte, parimore, funksionale dhe përballimi i momenteve të vështira nga ky koalicion ka qenë prova më e mirë përveçse rezultatit të zgjedhjeve të 8 majit që ishin një provë e rëndësishme.
Po të kishit mundësi t’i rishikonit termat e marrëveshjes, do ta bënit?
Mendoj se marrëveshja ka qenë dhe mbetet përgjegjësish korrekte. Ajo që mbetet për tu vlerësuar në të ardhmen është shfrytëzimi i të gjitha mundësive apo potencialeve për një qeverisje gjithnjë edhe më efikase, rezultateve por absolutisht që mendoj se ka qenë një marrëveshje korrekte.
A ju duket sikur keni triumfuar edhe individualisht që keni mundur Edi Ramën?
Kjo nuk ka të bëjë me ndjesinë personale, pro ndihem mirë që Tirana ka filluar të marrë një status. Ishte një kryeqytet i lënë pas dore. Këtë mendoj se e ndiejnë edhe qytetarët. Është e qartë që kryetari i ri i bashkisë po i mban premtimet e tij në drejtim të angazhimeve të tij. Sot shohim që kryetari i ri i bashkisë nuk përton që të shkojë në të gjitha njësitë e kryeqytetit dhe të takojë kryetarët e njësive bashkiake, pa dallime partiake, por edhe qytetarët. unë mendoj që ky angazhim i tij dhe i vetë bashkisë absolutisht do të japë rezultate konkrete për të gjithë qytetarët e Tiranës, jo vetëm për ata që kanë votuar për zotin Basha, pro dhe për ata që kanë votuar për zotin Rama.
Ju keni një marrëveshje me qeverinë aktuale deri në vitin 2013. Në këtë moment, a keni përcaktuar se cila do të jetë aleanca juaj e ardhshme në zgjedhjet e vitit 2013, me këtë maxhorancë apo me një aleancë të majtë?
Unë nuk mund të marr përsipër të jap përgjigje në emër të LSI-së, së pari pa e konsultuar këtë çështje me gjithë kolegët e tjerë dhe së dyti pa pritur kohën për të marrë këto vendime. Një gjë është e sigurt, që ne kësaj marrëveshjeje do t’i qëndrojmë deri në fund dhe gjithçka tjetër është një spekulim. Ne nuk pendohemi për marrëveshjen.
Zoti Meta, çfarë mund t’i jepni më tepër Shqipërisë pas 2013-ës?
Absolutisht që ky koalicion ka mundësi dhe potencial për të qeverisur shumë mirë vendin dhe natyrisht që gjithçka mbetet e hapur për t’u përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme dhe jam i bindur se sugjerimet e ardhshme do të tregojnë rëndësinë apo domosdoshmërinë e vazhdimit të një koalicioni.
Ju ndiheni politikisht i suksesshëm pas zgjedhjeve të 8 majit dhe këtë gjë s’po e mohon as opozita sot. Do të kërkoni të riktheheni në qeveri në janar?
Detyra ime më e rëndësishme ka qenë dhe do të jetë si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe përmbushja e angazhimeve të LSI-së në politikën e vendit, kontributin e saj drejt proceseve integruese dhe në qeverisjen e vendit. Kam ndjerë një kënaqësi të madhe gjatë kësaj kohe, takimeve të panumërta, jo vetëm, masive, por edhe individuale, me shumë dhe shumë bashkëpunëtorë, takime të cilat nuk do të mund t’i realizoja dot, në qoftë se do të isha në postet qeveritare, për shkak të burokracisë dhe të axhendës që imponon detyra, kur je në qeveri. Pra, ndihem tepër komod për të përmbushur funksionet e mia si kryetar i kësaj force politike që është një forcë shumë e rëndësishme dhe këtë e tregojnë edhe sulmet që bëhen ndaj saj.
Çfarë e pengon rikthimin tuaj në qeveri, zoti Meta?
Rikthimin tim nuk e ka penguar asgjë sepse kjo mund të ndodhë në çdo kohë, absolutisht. Përveç bindjes sime se në këtë pozicion jam shumë më i dobishëm për Lëvizjen Socialiste për Integrim, sepse e theksoj edhe një herë tjetër unë kam qenë ministër i Jashtëm, por në 360 ditë 150 ditë kam qenë jashtë shtetit për shkak të detyrës dhe udhëtimeve të panumërta. Është e vërtetë që kam qenë edhe ministër i Ekonomisë, por detyrimet dhe angazhimet kanë qenë të tilla që më kanë vështirësuar angazhimin tim si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kështu që, mendoj se ky është prioriteti im kryesor dhe mendoj se këtu mund të bëj politikë shumë më rezultative.
A mund të ketë rotacion ministrash brenda LSI-së?
Nuk mendoj se është e rëndësishme, kush është sot, dhe kush do të jetë nesër si emër. E rëndësishme është që të gjithë përfaqësuesit e LSI-së, të spikasin më shumë si të tillë, në të gjitha nivelet e qeverisjes, të angazhohen akoma më shumë për prioritetet e qeverisë dhe për prioritetet e LSI-së brenda kësaj qeverie dhe brenda kësaj mazhorance. Unë besoj se këtë gjë do ta bëjnë më mirë në të ardhmen.
Ashtu si në 2009 në raport me zotin Berisha, në qoftë se në të njëjtat rrethana gjendet Edi Rama në 2013, si parti e parë por nuk ka vota. A do të kishit tabu për ta bërë Edi Ramën kryeministër?
Kryeministrat nuk i bëj unë. Jam i çliruar nga gjëra të tilla. Kryeministrat i zgjedhin qytetarët shqiptarë dhe ajo që duhet të bëjë çdo politikan përfshirë edhe Ilir Metën, të respektojë vullnetin e qytetarëve, prandaj i takon qytetarëve që të zgjedhin kryeministrat. Unë nuk jam këtu për të bërë përjashtime, sepse më kujtuat përjashtimin e fundit tragjik të ndodhur nga ish-partia ime socialiste. Ne respektojmë votën e qytetarëve shqiptarë. Nuk më pëlqejnë përjashtimet sepse më ka lënë një shije shumë të hidhur përjashtimi i fundit.
A keni hapur derën z. Islamit për ta pranuar në LSI?
Aderimi në LSI, nuk bëhet nga kryetari apo nga kryesia e LSI-së. Aderimi është individual,. Zoti Islami është një politikan me shumë kontribute në politikën shqiptare dhe fakti që është kaq prezent, kaq kërkuar i kërkuar nga media tregon që ka një audiencë tepër të gjerë dhe kjo nuk do të ndodhte se në qoftë se nuk do të kishte ato vlera, të cilat iu mohuan edhe pse i kishte investuar në partinë së cilës i ka lënë kontributin maksimal, në transformimin nga partia e punës në Partinë Socialiste dhe në vijimësi.
A keni komunikuar me zotin Islami, që nga përjashtimi i tij dhe deri më tani?
Unë komunikoj vazhdimisht me shumë kolegë dhe patjetër me zotin Islami, dhe me shumë kolegë të tjerë për shkak të raporteve shoqërore, personale të kaluara.
A i keni ofruar z. Islami që të bëhet pjesë e Grupit Parlamentar të LSI-së?
Jo absolutisht. Nuk është kjo një iniciativë që më takon mua apo LSI-së. Së rastin konkret bëhet fjala për një vlerë që ka aq kohë dhe aq eksperiencë që të bëjë zgjedhjen e tij dhe që ne e respektojmë cilado qoftë ajo.
Ka një marrëveshje midis jush dhe z. Berisha për zgjedhjen e Presidentit. Cila është kjo marrëveshje?
Nuk kemi një marrëveshje konkrete sepse çështja do të bëhet e tillë në korrik por në marrëveshjen që kemi nënshkruar me PD-së, kemi shprehur angazhimin që si koalicion të bashkëpunojmë për të zgjidhur çështjen e Presidentit përveç të tjerave. Ajo që unë kam shprehur ka qenë një qëndrim tepër parimor: nuk dua të bëhem pjesë e spekulimeve, pra që të filloj që të bëhem pjesë që tani për të diskutuar pasi është tepër i parakohshëm. Unë kam konfirmuar që ne do të jemi pjesë e zgjidhjes pasi ky është një problem që do të zgjidhet, natyrisht sipas Kushtetutës. Duke qenë se kemi marrëveshje me PD-në edhe për këtë çështje në kohën e duhur do t’i japim një zgjidhje sa më të mirë.
A ka LSI kandidatura të mundshme për këtë funksion?
Mendoj që çdo forcë politike e koalicionit ka dhe mund të paraqesë kandidatura të mundshme.
A do ta kushtëzonit me një President nga forca juaj politike aleancën me z. Berisha edhe në 2013-ën?
Mendoj se LSI nuk është dalluar për kushtëzime jo të principata. Ka disa gjëra ku ka kushte dhe ne e kemi treguar qartë se i qëndrojmë këtyre çështjeve siç është çështja e integrimit. Ka pasur çështje për të cilat ne kemi mbajtur qëndrim të ndryshëm siç ishte çështja e heqjes së drejtorit aktual të SHISH-it për të cilin absolutisht PD-ja ka pasur të drejtë pasi është i përfshirë në lojëra politike por që duhej një proces më i maturuar nga ana institucionale. Këto qëndrime i kemi mbajtur sepse mendojmë se disa interesa të caktuara që kanë të bëjnë me integrimin nuk duhet dëmtuar. Nga ana tjetër ekziston përgjegjshmëria për të bërë një zgjidhje sa më të mirë në mënyrë që ky problem të zgjidhet sipas Kushtetutës.
A do keni sërish këtë rol si forcë e tretë përcaktuese edhe pas partisë së zotit Topi?
Edhe pas 7 viteve nga themelimi i LSI-së tregoi qartë se nuk ka asnjë forcë as në tokë e as në qiell të sulmojë LSI-në. Por ne nuk jemi këtu për të bërë sfida ndaj të tjerëve. Absolutisht ju konfirmoj që viti 2012 do të ketë si piedestal 100-vjetorin e Pavarësisë dhe gjërat e tjera do të jenë tërësish kalimtare dhe mbi të gjitha duhet vërtet të tregojmë se do të hymë në 100 vitet e reja duke nderuar dhe respektuar të gjithë ata që sakrifikuan në ndërtimin e këtij shteti në këto 100 vite, por duke nxjerrë dhe mësime më të mira në mënyrë që 100 vitet e ardhshme të jenë shumë herë më të ndritshme për të gjithë shqiptarët kudo që janë.