English

AK: Ne jemi lëvizje kombëtare jo nacionaliste

Tiranë, 30 dhjetor 2011, NOA – Pas krijimit të saj në pranverën e vitit që po lëmë pas, Aleanca Kuq e Zi në analizën e punës së saj përgjatë këtij viti e cilësoi lëvizjen si kombëtare dhe më populloren se çdo lëvizje tjetër, por kurrë një lëvizje nacionaliste, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

“AK erdh’ e u formësua si një Lëvizje kombëtariste e shoqërore, dhe askurrë si Lëvizje Nacionaliste, me një shpirt doktrine që nuk i bie më qafë asnjë shoqate, lidhjeje apo lëvizjeje tjetër, e aq më tepër, nuk u hyn në pjesë partive politike, disa prej të cilave që në ditët e para e sulmuan atë, e tipizuan, dhe e përbuzën”, deklaron AK.

Sipas përfaqësuesit të saj, Aleanca KuqeZi zu fill si një bashkim qytetarësh të mërzitur dhe të lodhur nga politikat denigruese dhe antikombëtare të klasës politike shqiptare, e cila nuk po përllogariste interesat kombëtare, identitare dhe ato qytetare.

Sipas AK-së, lëvizja erdhi si pasojë e shpërfilljes së përsëritur ndaj interesit kombëtar dhe identitetit kombëtar.

“Pas një Marrëveshjeje Detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, e cila u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, në mjedisin shqiptar u projektua një “CENSUS” i cili ndër statistikat që i kërkoheshin, çonte në një regjistrim etnik e fetar, me kritere antiligjore që do të cenonte identitetin kombëtar të shqiptarëve, duke iu hapur udha prej një Ligji të Gjendjes Civile me natyrë po kaq antikombëtare”, thuhet në deklaratën e aleancës.

Sipas saj, shqiptarët gjetën veten tek ky shqetësim që u shpërfaq duke dhënë sinjale se nuk ishte ky, i vetmi shkak që Lëvizja po merrte një përhapje dhe energji jetësore.

“AK askurrë nuk ka artikuluar një frymë kombëtare sipërore dhe mohuese ndaj fqinjëve. AK e vlerëson këtë tranzicion të mbushur me dështime, sepse në radhë të parë ka munguar orientimi kombëtar”, nënvizon AK.

Aleanca KuqeZi në 17 Janar, në ditën kur përkujtohet vdekja e heroit kombëtar Skënderbej do të mbulojë me flamurin kombëtar Kalanë e Krujës.

“Më 17 Janar të vitit që po vjen ne do të bëjmë atë që kurrë më parë nuk e ka bere asnjeri. Do të mblidhemi me të shumtë në qytetin e Krujës në shtëpinë e heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu ku do të mbulojmë me flamurin gjigand Kalanë e Krujës. Në këtë ditë të rëndësishme për historinë shqiptare Aleanca kuqezi do të prezantojë për herë të parë prioritetet e programit të saj”, deklaroi AK.

Objektiv i Aleancës KuqeZi për vitin 2012 është mbajtja e Kongresit të parë ku do të marrin pjesë një milion veprimtarë kuq e zinj.

mit/NOA

KOMENTE