Tiranë, 30 Dhjetor 2011 NOA/ Rid Bulku – Festivalin e 50-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, në këtë vit jubilar e ka fituar këngëtarja Rona Nishliu. Me këngën e saj “Suus”, Rona do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion 2012, raporton agjencia e lajmeve NOA.al
Performanca e Ronës, videon e së cilës mund ta ndiqni më poshtë, u vlerësua si nga juria ashtu dhe nga publiku dhe kështu, kënga me muzikë dhe orkestrim të Florent Boshnjaku dhe tekst të vetë këngëtares Rona Nishliu, doli kënga më e mirë e këtij festivali që u zhvillua për katër net me radhë në Pallatin e Kongreseve në Tiranë dhe që u transmetua direkt nga NOA Live.
Rona dot marrë pjesë vitin e ardhshëm në kompeticionin e muzikës europiane Eurovision Song Contest, edicioni i të cilit mot, do të zhvillohet në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku.
Në natën finale që vazhdoi për disa orë në transmetim direkt, pati një garë të fortë mes kosovares Rona dhe këngëtarit të njohur Elton Deda. Në fund, “Suus” u vlerësua si kënga fituese.
Jo vetëm kaq sepse Rona fitoi edhe çmimin e interpretueses më të mirë.
Kurse çmime të tjera ishin ai i Krfitikës që e fitoi Frederik Ndoci, Melodia më e mirë që e fitoi Endri Sina, teksti më i mirë, fituar nga Sokol Marsi dhe Orkestrimi më i mirë që u cilësua ai i Klodian Qafokut.
Sakaq mbrëmjen e së mërkurës, nata e tretë e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, e cila përkoi me përvjetorin e 50-të të kësaj ngjarjeje të madhe muzikore, u kthye në një mbrëmje gala.
Gjigandi mediatik që organizon për 5 dekada këtë festival respektoi të gjithë ata që e themeluan dhe krijuan atë, duke i ngjitur në skenën e madhe të tij.
Këngët më të bukura ndër vite u kënduan në natën e tretë të festivalit, duke elektrizuar Pallatin e Kongreseve, duke sjellë kujtimet dhe vlerat.
r.b/NOA