Podgoricë, 30 dhjetor 2011, NOA – Për t’u hakmarrë ndaj ligjit që i ndalon përdorimin e simboleve kombëtare, hakerët shqiptarë kanë sulmuar faqen zyrtare të Presidentit të Malit të Zi Filip Vujanoviç, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Mediat serbe bëjnë me dije se në ballinën e Presidencës malazeze është vendosur flamurin shqiptar, muzikë shqiptare dhe janë shkruar mesazhet: “Shqipëria etnike” dhe “shqiptarët nuk janë terroristë, por viktima”.
Në ballinë kërkohet gjithashtu Tuzi të bëhet komunë, pasi, kjo është e drejtë e banorëve të tij, shkruajnë hakerët.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë një grup hakerësh nga Ulqini, i cili ka lënë mesazhin në pjesën e poshtme të ueb-faqes së sulmuar.
Të mërkurën shqiptarët në Tuz të Malit të Zi protestuan në mbrojtje të pakicës shqiptare në Mal të Zi, përkundër ligjit që u ndalon përdorimin e flamurit kombëtar, për çështjen e pronave dhe për ndarjen e Tuzit si komunë në vete.
REL/NOA