E premte 30 dhjetor NOA- Ndërsa ka nisur numërimi mbrapsht i orëve që na ndajnë nga Viti i Ri të gjithë njerëzit urojnë për një vit të mbarë.
Sigurisht të gjithë kanë bestytnitë e tyre lidhur me natën dhe momentin e kapërcimit të viteve por kur thuajse 24 orë ndajnë nga ai moment disa këshilla që duhen mbajtur parasysh vlejnë të përmenden.
Rite, besime, dëshira, veprime e një sërë traditash vazhdojnë të ruhen dhe të vihen në jetë sa herë që troket fundi i vitit.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, puthja në momentin që ora shënon 00.00 cilësohet si siguri dhe konfirmim i bekimit të miqësisë dhe të afërsisë me personin që shkëmben puthjen e sidomos partnerin.
Në traditën e popujve thuajse të të gjithë botës fëmijët e lindur ditën e parë të vitit më 1 janar konsiderohen si fëmijët më fatlum në botë, madje edhe mediat transmetojnë pikërisht fëmijën e parë të lindur për vitin e ri, gjininë dhe emrin në rast se i është vendosur.
Një tjetër traditë që praktikohet në vendin tonë është edhe, njeriu i parë i cili do të hyj në shtëpi pas mesnate, pasi besohet se ai gjatë tërë vitit pasues do të jetë një person fatsjellës... jo vetëm kaq por në disa raste zgjidhet një person enkas i cili do të bëj “këmbë” i pari për Vitin e Ri.
Theksohet gjithashtu se portofolat në momentin e ndërrimit të viteve duhet të jenë të mbushur me monedha sepse kështu besohet se viti që vjen do të sjell bollëk dhe pasuri.
Një tjetër bestytni është edhe fakti se nëse duam që viti i ardhshëm të jetë i lumtur dhe me fat, në asnjë mënyrë nuk duhet ta presim me borxhe, por duhet ti shlyejmë sa më parë qoftë edhe në ditën e fundit.
E në fakt këto rite praktikohen në një pjesë të konsiderueshme të njerëzve, një pjesë tjetër i shpërfill, por ato u kanë mbijetuar viteve dhe vazhdojnë edhe sot të praktikohen, çka të bën të mendosh se brenda tyre mund të ketë ndonjë të vërtetë.
a.y/NOA