Prishtinë, 30 dhjetor 2011, NOA – Në mbledhjen e fundit të qeverisë së Kosovës për vitin 2011, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se qeveria e tij e ka mbajtur premtimin ndaj popullit duke u shfaqur si qeveria më e besueshme në historinë e institucioneve të Kosovës, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
“Kjo qeverisje ka treguar se e mban fjalën”, deklaroi Thaçi, sa i përket premtimit për rritjen e pagave për nëpunësit e administratës.
Gjatë mbledhjes së qeverisë pasi falenderoi dhe lavdëroi bashkëpunëtorët e tij ministra për punën e kryer për realizimin e prioriteteve, kryeministri i Kosovës tha se qeveria e tij ka respektuar vullnetin e popullit në rrugën përdrejt integrimit në BE dhe aleancat e tjera euroatlantike.
Thaçi garantoi se qeveria e tij do të qëndrojë besnike partneritetit me BE-në dhe SHBA-të, bëjnë me dije mediat e Kosovës.
Gjatë analizës së punës së qeverisë, kryeministri i Kosovës deklaroi se ngjarjet më të suksesshme të vitit që po lëmë pas, janë: aksioni i policisë së Kosovës për vënien nën kontroll të dy pikave kufitare me Serbinë, Jarinjën dhe Bërnjakën në 25 korrik; nisja e negociatave me Serbinë, dhe oferta konkrete e BE-së për nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave me BE-në për qytetarët e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës tha se viti 2012 është një vit shumë i rëndësishëm për Kosovën, pasi në këtë vit do të vijnë edhe pesë njohjet e mëvetësisë së Kosovës edhe nga pesë vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur shtetin e ri.
Sikurse deklaroi pak ditë më parë në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi paralajmëroi se ky vit që po mbyllet është vit i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur.
mit/NOA