Kapshticë, Kakavijë, Durrës, 30 dhjetor 2011, NOA – Në vigjilje të ndërrimit të viteve fluksi i emigrantëve shqiptarë që kthehen për të festuar në atdhe është shtuar ndjeshëm në dy pikat kufitare me shtetin grek, Kakavijë dhe Kapshticë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Fluks më i madh emigrantësh që presin për të hyrë në Shqipëri është vënë re në pikën kufitare të Kapshticës në juglindje për shkak se pala greke punon me pak sportele, përkatësisht tre, ndërsa ajo shqiptare punon me shtatë sportele.
Kështu në 24 orët e fundit në doganën e Kapshticës kanë hyrë në territorin shqiptar 4287 shtetas shqiptarë; 935 shtetas të huaj; 1293 automjete shqiptare dhe 381 automjete të huaja.
Ndërsa nga territori shqiptar kanë dalë 2612 shtetas shqiptarë; 713 shtetas të huaj; 847 mjete shqiptare dhe 366 mjete të huaja.
Edhe në portën tjetër me Greqinë në Kakavijë është vënë re një fluks emigrantësh shqiptarë që presin të kthehen për natën e ndërrimit të viteve, por si edhe ditët e mëparshme nuk ka radhë të gjata që presin për t’u përpunuar.
Madje duhet thënë se krahasuar me ditët e mëparshme fluksi është në rënie.
Në Kakavijë në 24 orët e fundit kanë hyrë 5 500 udhëtarë dhe 1350 automjete, ndërkohë në doganën e Kakavijës pala shqiptare punon me 6 sportele, ndërsa ajo greke me 3 sportele.
Po kështu fluks emigrantësh ka edhe në portën hyrëse të Adriatikut, në Durrës. Korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.al bën me dije se sot janë ankoruar në portin e Durrësit 4 tragete të linjave Bari-Durrës.
Sipas të dhënave në vend kanë hyrë 2 200 udhëtarë dhe 890 automjete.
Në portin e Durrësit punohet me 32 sportele, dhe në datat 1 dhe 2 janar nuk do të ketë lundrime.
mit/NOA