Tiranë, 30 dhjetor 2011 NOA - Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, u shpreh ngushëllimet e sinqerta familjarëve të pedagogut dhe kritikut të artit, Prof. Adriatik Kallulli, i cili u përcoll sot në mesditë për në banesën e fundit.
“Të dashur familjarë të të ndjerit Profesor Kallulli,
Ndarja nga jeta e Profesorit të nderuar është një dhimbje mjaft e fortë shpirtërore dhe njerëzore për ju, të afërmit dhe familjarët e tij, por edhe një humbje e thellë për letrat, kritikën dhe akademizmin shqiptar. Në këto momente të vështira për ju, dëshiroj t’ju shpreh ngushëllime të sinqerta dhe, më lejoni që t’ju përcjell dhe konsideratën e lartë për punën dhe veprën e palodhur të Profesor Kallullit!
Në kujtesën e gjithë atyre, që kanë patur fatin ta njohin e të komunikojnë me Profesorin, mbeten të pashlyeshme mendimet dhe vlerësimet e tij për artin, për letërsinë, për figurat e ndritura të letrave shqipe. Studimet dhe kritikat e tij shquheshin për thellësinë e mendimit, estetikën, saktësinë akademike dhe objektivitetin artistik, duke u shndërruar kështu në drejtuesin dhe frymëzuesin për disa breza studentësh të Institutit të Arteve dhe artistësh të rinj, si dhe duke transmetuar tek ta modelin e njeriut të ndershëm, të përkushtuar e dinjitoz”, - shkruhet në mesazhin e Presidentit Topi.
r.b/NOA
Lexoni gjithashtu: Shuhet kritiku Adriatik Kallulli