Kosovë 30 dhjetor, 2011, NOA - Liderët ilegalë të komunave në veri të Kosovës janë të vendosur që ta mbajnë referendumin, pavarësisht qëndrimit të autoriteteve në Serbi dhe ekspertëve ligjorë. Gazeta “Novosti” raporton se më 14 ose 15 shkurt serbët e veriut do të zgjedhin nëse i pranojnë institucionet e Republikës së Kosovës, pavarësisht apeleve të Beogradit zyrtar që të hiqet dorë nga ky referendum, dhe një pjesë të ekspertëve që thonë se një deklarim i tillë është i paligjshëm.
Sipas qeverisë serbe, referendumi është i panevojshëm, sepse as shteti i Serbisë nuk i pranon institucionet e Kosovës, dhe është i dëmshëm politikisht dhe për të nuk ka bazë ligjore. Mirëpo, nga strukturat paralele në Mitrovicë, Zveçan dhe Zubin Potok thonë se deklarimi i qytetarëve është për interesin e tyre më të mirë.
Komuna e katërt, Leposaviçi, ka caktuar seancën e kuvendit ilegal për 4 janar, kur do të merret vendimi rreth referendumit. Kryetari ilegal i Leposaviqit, Branko Niniç, ka thënë se serbët në veri të Kosovës u besojnë institucioneve serbe dhe jo atyre kosovare, prandaj referendumi do të ishte humbje kohe.
NOA