English

Të padukshimit e shoqërisë

"Nuk e di nëse ju ka rastisur duke ecur në rrugë të shikoni një person të shtrirë në trotuar dhe që ka zgjatuar dorën për të kërkuar mëshirë dhe ju të largoheni me indiferentizëm pa kërkuar të dini të vërtetën e atij personi, të kaluarën e tij?"

Nga Alban Daci

Nuk e di nëse keni kaluar ndonjëherë rastësisht tek ushtari i panjohur apo tek dogana në Tiranë dhe të shikoni persona me fytyra të lodhura, të zymta dhe të dëshpëruara, me rroba të grisura dhe tepër të vjetra që presim me dëshpërim të gjejnë ndonjë mundësi për të punuar, për të marrë ca të holla sa të ushqej veten dhe fëmijët që e presin në shtëpi?

Nuk e di nëse ju ka ndodhur të udhëtoni rastësisht në disa zona rurale, ku skamja mbretëron në qetësinë e heshtjes dhe izolimit nga bota e mirëqenies dhe jetës normale?

Nuk e di nëse ju ka rastisur të ndodheni jashtë vendit dhe rastësisht të dëgjoni bisedën e dy rinjve shqiptarë që bisedojnë së bashku të irrituar për situatën që ndodhen, sepse punëdhënësi nuk i ka paguar, sepse nuk kanë para për t’iu dërguar familjarëve të tyre në Shqipëri, se nuk kanë dokumente të shkojnë në Shqipëri për të përjetuar festat bashkë me të afërmit e tyre si e gjithë bota?

Nuk e di nëse keni vizituar ndonjë familje të varfër, por të ndershme që nuk ka mundësi të ushqej fëmijët edhe me bukë të thatë?

Nuk e di nëse e dini se ka akoma shumë shqiptarë që kanë dëshira si: fëmija i vogël i kërkon Babagjyshit të Vitit të Ri ti sjell babin në shtëpi për të rregulluar dhe zbukuruar së bashku pemën e Vitit të Ri, sepse ka vite që ndodhet në emigrim, nëna që kalon kohën duke parë nga dritarja me shpresën se mos i vjen djali për tu çmallur dhe përjetuar së bashku festat, që nusja pret bashkëshortin e tij me shumë dashuri dhe mall që të kthehet nga mërgimi, ku ishte i detyruar të largohej në ditën e tretë pas martesës për shkak të kushteve të vështira ekonomike që ndodhej?

Nuk e di nëse ju ka rastisur duke ecur në rrugë të shikoni një person të shtrirë në trotuar dhe që ka zgjatuar dorën për të kërkuar mëshirë dhe ju të largoheni me indiferentizëm pa kërkuar të dini të vërtetën e atij personi, të kaluarën e tij?

Nuk e di nëse keni takuar ndonjë të ri që ka mbaruar me rezultate shumë të mira universitetin, por që Vitin e Ri është i detyruar ta pres me statusin e të papunësuar, për faktin se nuk bën pjesë në asnjë lloj forme politike?

Të gjithë këto janë persona që për “ne” janë të “padukshëm”, sepse jeta jonë është shumë larg rutinës së jetës që bëjnë ata, sepse “ne” në shoqërinë e sotme po e humbasim ndjenjën e përgjithësisë kolektive, por gjithmonë e më shumë jemi të interesuar vetëm për spektrin tonë individual.

Prandaj, unë do të uroja që Vitit i Ri të sjell ndryshime edhe për këto realitete që i kemi të pranishme dua apo s’duam duam “ne” ti pranojmë.

Babagjyshit të Vitit të Ri do ti kërkoja që emigrantët shqiptarë të mos presin më me radhë të gjata nëpër pika kufitare në shi, borë dhe në të ftohtë për tu kthyer pranë familjeve të tyre, të mos ketë familje të varfra që jo vetëm nuk mund të festojnë si gjithë të tjerët, por të mos diskutojnë bukën siç ndodh fatkeqësisht akoma në shoqërinë tonë, do ti kërkoja që atyre dy të rinjve shqiptarë ti paguaj punëdhënësi i tyre, që të sigurojnë dokumentet për të shkuar pranë të afërmve të tyre sa herë që e ndjejnë të nevojshme, që djalit të ri të sapo diplomuar me rezultate të mira të gjej një punë të mirë dhe të merituar, djalit të vogël ti sjell babin e dashur jo vetëm për të rregulluar pemën e Vitit të Ri, por edhe me hapur së bashku dhuratat që simbolizojnë gëzimin dhe traditën se çdo gjë në këtë jetë do e ndajmë dhe përjetojmë se bashku.

Do i kërkoja Babagjyshit të Viti të Ri të ndalojë tek Ushtari i Panjohur, dogana dhe në shumë vende të tjera si ato, ku për fat të keq Shqipëria ka shumë për t’iu dhuruar shpresën dhe dëshirën për jetuar si mundësinë për të pasur një vend fiks pune dhe të mos vazhdojnë të frekuentojnë në dëshpërim dhe zhgënjim vende të tilla që nuk japin asnjë kënaqësi aktuale për jetuar dhe asnjë shpresë për të ardhmen se edhe jeta e tyre mund të ketë momente të këndshme dhe të gëzueshme si të tjerët.

Do i kërkoja Babagjyshit të Vitit të Ri që këto persona të padukshëm ti bëj më të dukshëm dhe më aktiv në shoqërinë tonë, t’iu rikthej edhe atyre buzëqeshjen e munguar, gëzimin e harruar, të ushqyerën e bollshme që kurrë nuk e kanë pasur, ndarjen e emocioneve me familjarët e tyre duke përjetuar pak çaste të lumtura në detin vuajtjeve që kanë deri tani.

Shpresoj të paktën që Babagjyshi i Vitit të Ri do i dëgjoj fjalët e mia dhe dëshirat e këtyre personave që janë të “padukshëm” në sytë tonë, sepse askush tjetër nuk është i interesuar për hallet, problemet, për kërkesat, dëshirat apo edhe për ëndrrat e tyre.

NOA

KOMENTE
  • livalu Ligor Luarasi15:33 - 30 Dhjetor 2011
    Z.Alban Daci shkrimi tuaj eshte mjaft artistik,do kishte shume vlere po te lexonja si duhen zgjidhur konkretisht keto mjerimet e shqiptareve te pa dukshem,ku jane mekatet tona qe kete bashkesi shqiptaresh nuk po e shohim,apo nuk po e shohin,edhe pse i kemi para syve.