Washington, 30 dhjetor 2011, NOA - Pavarësisht kërcënimit iranian, ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur për të gjithë anijet. Këtë e konfirmoi kalimi nëpërmjet saj i dy luftanijeve amerikane, të cilat nuk hasën kurrfarë problemi.
Lajmi është njoftuar nga zëdhënësi i Flotës së Pestë amerikane, që patrullon këto ujëra.
“Aeroplanmbajtësja USS John C. Stennis dhe kryqësori USS Mobile Bay kryen me sukses një kalim rutinë të programuar më parë nëpërmjet ngushticës së Hormuzit”, tha zëdhënësi i Flotës së Pestë.
Dy luftanijet amerikane u ndalën disa minuta në portin Jebel Ali të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Situata në rajon u tensionua pas deklaratës së një ushtaraku të lartë të Irani, i cili paralajmëroi perëndimin të mos vendosë sanksione shtesë kundër Republikës Islamike, përndryshe reagimi i Teheranit do të ishte bllokimi i ngushticës së Hormuzit.
Nëpërmjet kësaj ngushtice kalon 40 përqind e naftës që importohet nga vendet e Europës Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara. Pikërisht për këtë fakt, zëdhënësi i Flotës së Pestë amerikane reagoi menjëherë duke thënë se nuk do të tolerohet asnjë bllokim i kësaj ngushtice.
NOA