Tiranë, 30 dhjetor 2011, NOA – Kur marrëdhëniet mes mazhorancës së djathtë dhe Presidentit të Republikës Bamir Topi janë tendosur shumë për shkak të mosmarrëveshjeve mes tyre për disa çështje kyç, dhe akuzave nga ana e kreut të mazhorancës Sali Berisha për papajtueshmëri me PD-në, Presidenti i Republikës Bamir Topi e cilëson këtë si një lajm të mirë, pasi Kreu i Shtetit duhet të jetë i shkëputur nga interesat e partive, po aq edhe partisë mëmë që e zgjodhi dhe duhet të punojë përtej interesave partiake.
Në një intervistë për Deutsche Welle-n, Presidenti Bamir Topi, tregon për mbi zhvillimet më të rëndësishme në Shqipëri, raportet e tij të vështira me mazhorancën e djathtë, nivelin e marrëdhënieve Shqipëri - Gjermani, etj.
“Së pari do të thoja që është një lajm i mirë kur presidenti cilësohet si i shkëputur nga interesat partiake. Ju e dini që në momentin kur unë u zgjodha që të vija këtu në Presidencë, kisha dhe një detyrim kushtetues për të hequr dorë nga çdo impenjim partiak. Fakti që Presidenti akuzohet në këtë linjë është tregues i korrektësisë institucionale dhe konstitucionale të Presidentit, në përmbushje të detyrimeve madhore të tij si President i Republikës. Sa i takon aktivitetit të Presidentit ka një tregues. Ju e dini që të gjitha institucionet e kanë të detyrueshme të jenë konform kushtetutës, ta respektojnë atë dhe të jenë përgjegjës para zbatimit të neneve të kushtetutës. Garanti për kushtetutën sipas kushtetutës së Shqipërisë është Gjykata Kushtetuese”, theksoi Kreu i Shtetit.
Duke folur për vitin që po lëmë pas, Presidenti Bamir Topi deklaroi se ndër ngjarjet më negative të vendit gjatë tij, ajo që Kreu i Shtetit nuk do donte të ndodhnin, janë ngjarjet e 21 janarit.
“Ngjarje që krijuan një situatë shumë të rëndë në Shqipëri dhe besoj se krijuan atë kusht paraprak që të mos merrej në konsideratë si një element pozitiv në integrimin e Shqipërisë në BE. Pra mosmarrja e statusit të vendit kandidat për në BE, përveç disa elementëve të tjerë që lidhen me plotësimin e rekomandimeve të Komisionit Europian patjetër që janë të influencuara dhe nga ngjarjet e janarit. Ajo që mund të konsiderohet pozitive, po në sensin politik, ishte rikthimi tek dialogu, rikthimi i bashkëpunimit parlamentar”, vlerësoi Presidenti Topi.
Sipas tij pavarësisht situatave politike që kaloi politika shqiptare këtë vit, beson se institucionet shqiptare janë të tilla që garantojnë jo vetëm një respektim të dokumentit themeltar të shtetit, por garantojnë dhe funksionalitetin e tyre, që do të thotë se shteti sa vjen dhe konsolidohet.
“Nga ana tjetër do të thoja që jeta është e mbushur me episode nga më të ndryshmet dhe po t'i jepje një dimension disi më të gjerë – jo thjesht për ta fokusuar tek zhvillimet politike – do të thoja se në jetën e shqiptarëve ka patjetër elementë, të cilët unë do t’i konsideroja si elementë bazalë për një optimizëm për vitin 2012”, tha Topi.
Në këtë suazë ai e cilësoi vitin 2012 një vit të rëndësishëm reflektimi për shqiptarët.
Intervista e plotë e Presidentit të Republikës Bamir Topi
DW: Zoti President i Republikës, në zhvillimet e këtij viti që po lëmë pas, çfarë ju ka mbetur si gjëja më pozitive që ka ndodhur dhe cilën e konsideroni si më negativen, ose që nuk do të dëshironit të ndodhte?
Presidenti Bamir Topi: Natyrisht në jetën e një vendi ka ngjarje që konsiderohen si pozitive, ka ngjarje të tjera që konsiderohen si negative dhe këtu nuk ka asgjë të ndarë me thikë. Në sensin kronologjik ajo që nuk do të dëshiroja të ndodhnin, janë ngjarjet e 21 janarit. Ngjarje që krijuan një situatë shumë të rëndë në Shqipëri dhe besoj se krijuan atë kusht paraprak që të mos merrej në konsideratë si një element pozitiv në integrimin e Shqipërisë në BE. Pra mosmarrja e statusit të vendit kandidat për në BE, përveç disa elementëve të tjerë që lidhen me plotësimin e rekomandimeve të Komisionit Europian patjetër që janë të influencuara dhe nga ngjarjet e janarit. Ajo që mund të konsiderohet pozitive, po në sensin politik, ishte rikthimi tek dialogu, rikthimi i bashkëpunimit parlamentar. Dhe ajo që është akoma dhe më pozitive është fakti se pavarësisht situatave politike që kaluan unë besoj se institucionet shqiptare janë të tilla që garantojnë jo vetëm një respektim të dokumentit themeltar të shtetit, por garantojnë dhe funksionalitetin e tyre, që do të thotë se shteti sa vjen dhe konsolidohet. Nga ana tjetër do të thoja që jeta është e mbushur me episode nga më të ndryshmet dhe po t'i jepje një dimension disi më të gjerë – jo thjesht për ta foksusuar tek zhvillimet politike – do të thoja se në jetën e shqiptarëve ka patjetër elementë, të cilët unë do ti konsideroja si elementë bazalë për një optimizëm për vitin 2012.
DW: Një nga fenomenet negative, prej të cilave Shqipëria nuk po i shpëton dot renditjes në shkallët më të ulta në rang rajonal e global, është prania e korrupsionit. Këtë e konstatonte dhe Transparency International në raportin e fundit për indeksin e perceptimit të korrupsionit gjatë 2011-s. Pse sipas jush, z. President në vitet e fundit ose jemi në vendnumëro ose me hapa prapa në luftën kundër korrupsionit?
Presidenti Bamir Topi: Mendoj se çështja e luftës kundër korrupsionit duhet të përballohet nga të gjitha institucionet. Kur them nga të gjitha institucionet së pari janë ato të politikës. Sepse kjo është një sëmundje që ka nevojë të trajtohet para se të shërohet, ka nevojë për reforma të thella. Këto reforma bëhen vetëm mbi bazën e një vullneti reciprok politik për të garantuar jo vetëm ligje por dhe institucione të forta. Në themel të luftës kundër korrupsionit padyshim që është ligji, por janë dhe institucionet. Padyshim që këtu kam në konsideratë institucionet e drejtësisë, të cilat patjetër që e kanë detyrë për të trajtuar të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë para ligjit. Për ta bërë këtë element në kushtet e barazisë së plotë, duhet që në rastin e politikanëve që përballen me ligjin ata ta heqin koracën. Vazhdimisht është diskutuar mbi çështjen e imunitetit, por unë po gjej rastin e kësaj interviste që të them se është e domosdoshme që të gjithë politikanët, të gjithë punonjësit e sistemit të drejtësisë, prokurorë, gjyqtarë duhet ta lëshojnë imunitetin e tyre. Kjo është një kërkesë në radhë të parë e shoqërisë shqiptare që njerëzit të ndjehen të barabartë para ligjit, por është kërkesë dhe e partnerëve ndërkombëtarë. Për të bërë një luftë pa paragjykime kundër korrupsionit, njerëzit duhet të jenë pa imunitet. Pastaj i takon politikës që të bëjë ligjet, i takon dhe institucioneve që të zbatojnë ligjet. Çështja e zbatimit të ligjit është një çështje parësore, që nuk ka nevojë për komente të tjera.
DW: Në një kohë që ju kanë mbetur dhe rreth 6 muaj nga përfundimi i mandatit në postin e Presidentit të Republikës hapur po dallohet një marrëdhënie e vështirë e juaja me mazhorancën. Madje në atmosferën e krishtlindjeve shefi i mazhorancës, kryeministri Sali Berisha ju adresoi kritika të ashpra për rolin tuaj kur tha se “Zoti Topi gjatë presidencës së tij ka ndërmarrë një seri aktesh të papajtueshme, kryekëput me programin e PD-së. Ka shkelur disa nga parimet e mëdha programore të saj dhe faktikisht e ktheu institucionin e presidencës në selinë e një partiçke të vogël çka nuk ka ndodhur në historinë e një vendi.” Si i vlerësoni ju këto kritika që vijnë jo nga zëdhënës apo eksponentë të veçantë por nga vetë kreu i qeverisë?
Presidenti Bamir Topi: Së pari do të thoja që është një lajm i mirë kur presidenti cilësohet si i shkëputur nga interesat partiake. Ju e dini që në momentin kur unë u zgjodha që të vija këtu në Presidencë, kisha dhe një detyrim kushtetues për të hequr dorë nga çdo impenjim partiak. Fakti që Presidenti akuzohet në këtë linjë është tregues i korrektësisë institucionale dhe konstitucionale të Presidentit, në përmbushje të detyrimeve madhore të tij si President i Republikës. Sa i takon aktivitetit të Presidentit ka një tregues. Ju e dini që të gjitha institucionet e kanë të detyrueshme të jenë konform kushtetutës, ta respektojnë atë dhe të jenë përgjegjës para zbatimit të neneve të kushtetutës. Garanti për kushtetutën sipas kushtetutës së Shqipërisë është Gjykata Kushtetuese. Fakti që deri më sot kur kanë kaluar 4 vite e gjysmë nga mandati i Presidentit dhe ai nuk është kundërshtuar qoftë dhe në një rast të vetëm nga kjo Gjykatë, ndërkohë që institucionet e tjera janë kontestuar nga kjo Gjykatë – tregojnë që këto akuza që i hidhen Presidentit janë të pabaza. Unë ndjehem mirë në zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjit, e kam bërë këtë me koshiencë të plotë dhe nuk më shqetësojnë akuzat e partive politike, cilado qoftë ajo. Mua më jep kënaqësi mendimi i qytetarit. Dhe meqë jemi vazhdimisht në kontakt me qytetarët unë marr konsiderata të tjera nga qytetarët.
DW: Cili është vlerësimi juaj për procesin e njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, kur nga 17 shkurti i vitit 2008 ende nuk është arritur as gjysma e vendeve anëtare të OKB-së që ta bëjnë një akt të tillë? A shpresoni që gjatë vitit 2012 të paktën këtë do ta bëjnë vendet e mbetura nga rradhët e BE-së?
Presidenti Bamir Topi: Do të thoja që procesi i njohjeve për Kosovën ka kaluar në një rrugëtim relativisht të gjatë dhe jo pak të lehtë. Por unë do t'i njihja nota pozitive progresit të bërë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ka patur një impenjim qoftë të faktorit institucional të shtetit të ri të Kosovës, të diplomacisë së Kosovës, por dhe asaj të Shqipërisë me një suport të rëndësishëm të diplomacisë ndërkombëtare që Kosova të njihet nga sa më shumë shtete. Është e vërtetë që 5 shtete të BE ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj dhe që është një çështje që lidhet totalisht me pozicionimet specifike të këtyre shteteve tashmë të deklaruara. Por duke patur parasysh që njohja është bërë nga vendet më të rëndësishme, nga pjesa dërmuese e BE-së, nga SHBA dhe mjaft vende të tjera me peshë në politikën botërore, gjithashtu dhe tendenca për një ripozicionim të vendeve që fillimisht kanë qenë skeptike duke dhënë premtime që do ta njohin, unë them që e ardhmja e këtij procesi është shumë optimiste. E rëndësishme është që procesi të eci. Dhe në fakt ai po ecën.
DW: Ju përmendët që mes vendeve që nuk e kanë bërë akoma njohjen janë dhe 5 vende anëtare të BE-së. Dihet që ndër to është dhe fqinji i Shqipërisë Greqia. Ky qëndrim i Greqisë lidhet më shumë me raportet që ajo ka më Shqipërinë, apo lidhet me specifikat që ka në marrëdhëniet e saj me Kosovën?
Presidenti Bamir Topi: Natyrisht që situata është komplekse në këtë këndvështrim. I takon patjetër institucioneve përfaqësuese të Greqisë që të shprehen për këtë çështje. Ne vetëm mund të bëjmë vetëm analiza politike rreth këtij pozicionimi, të cilat lidhen ndoshta dhe me raportet tradicionale që Greqia ka patur me Serbinë dhe anasjelltas. Por lidhet dhe me çështje të një lloj preference që konsiderohet sui generis në marrëdhëniet ballkanike. Por unë mendoj se gjithsesi një lehtësim i regjimit të lëvizjes së qytetarëve të Kosovës drejt Greqisë me pasaporta të Kosovës është një shenjë që duhet ta marrim me pozitivitet. Ky është një proces që nuk vjen në një ditë, është një proces që do të vijë hap pas hapi dhe unë jam i bindur që Kosova do të jetë e njohur jo vetëm nga më shumë shtete, por do të jetë patjetër pjesë e projekteve për integrimin në BE dhe në NATO më vonë.
DW: Ka zëra së fundi nga opozita serbe në Serbi që në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit të ketë prezencë dhe nga ana e SHBA dhe Rusisë. Si ju duket ky opcion, z. President?
Presidenti Bamir Topi: Tashmë gjithçka është e sanksionuar në një status mjaft të rëndësishëm sikurse është niveli i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë të monitoruara nga BE. Ky është një process që po ecën. Ka filluar të japë rezultatet e veta të para dhe unë uroj që këto rezultate të vijnë duke u thelluar në sensin pozitiv.
DW: A ka përgatitje në qarqet zyrtare për një vizitë në Shqipëri të homologut tuaj serb, Boris Tadiç? Kam parasysh këtu që më herët në pranverën e këtij viti u fol për mundësinë e vizitës, por ngjarjet e tensionuara në pikat e kalimit kufitar mes Kosovës –Serbisë që ndodhën atë kohë sikur kanë prishur axhendat në bashkëpunimin mes dy vendeve, pra mes Shqipërisë dhe Serbisë. Cili është vlerësimi juaj z. President?
Presidenti Bamir Topi: Ajo ftesë realisht është bërë dhe qëdron në fuqi. Pra do të shikohet si një mundësi kur vërtet palët, qoftë Shqipëria, qoftë Serbia, përfaqësuesit e protokollit të Presidentit, do të shohin të mundur realizmin e një vizite, e cila është pranuar për t'u realizuar. Kjo edhe mbi bazën e një ftese që vjen në kuadrin e një bashkëpunimi të nevojshëm bilateral që duhet të ketë Shqipëria me Serbinë dhe me çdo vend tjetër të rajonit. Unë mendoj se forcimi i marrëdhënieve me të gjithë shtetet e Ballkanit është një parakusht shumë i rëndësishëm, i konsolidimit të paqes afatgjatë në Ballkan dhe për të ndërtuar ura komunikimi për zhvillimin e ekonomisë por dhe për komunikime të njerëzve në një rajon, i cili ka ikur prej kohësh nga konfliktet ndëretnike.
DW: Zoti President i Republikës, cila është pritmëria juaj për vitin 2012, që është në të njëtën kohë dhe Jubileu i 100 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar?
Presidenti Bamir Topi: Viti 2012 është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse sikundër dhe e përmendët është viti jubilar i shpalljes së Pavarësisë, por është dhe një moment kur të gjithë presim që të marrim statusin e vendit kandidat për në BE. 100 vite janë 100 vite qëndrese kur Shqipëria ka kaluar vërtet situata të vështira, por që dhe ka ditur të dalë prej tyre dhe sot është një vend anëtar i NATO-s dhe afër marrjes së statusit të vendit kandidat. Besoj se është një moment shumë i rëndësishëm për ta parë në një refleksion të thellë të marrëdhënieve edhe midis njerëzve, edhe midis politikanëve, edhe midis institucioneve, për ta sjellë shtetin shqiptar në të gjitha strukturat e veta, si në strukturat e shtetit po ashtu dhe në komunikimin mes njerëzve në parametrat e një shteti modern, të denjë për të qenë pjesë e familjes europiane.
DW: Viti 2012 është njëkohësisht dhe 25 vjetori i vendosjes zyrtare të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Si i vlerësoni ju z. President aktualisht këto marrëdhënie?
Presidenti Bamir Topi: Unë mund të them që marrëdhëniet me Gjermaninë janë të shkëlqyera, qoftë në planin politik qoftë në bashkëpunimin njerëzor, ekonomik dhe institucional. Shteti gjerman është një shtet shumë serioz, i fortë në Europë, por me peshë të jashtëzakonshme dhe në rrafshin global. Unë mund të them se gjatë këtyre viteve është parë një pozicionim i qartë i Gjermanisë për t'i qenë afër Shqipërisë dhe për ne Gjermania është një partner strategjik, një partner shumë i rëndësishëm, që e kemi patur pranë dhe në momentet më të vështira, që lidhen me problemet që ka kaluar Shqipëria, por dhe me rrugëtimin e saj për në BE. Ka qenë një vend gjithmonë dashamirës, dhe kjo e demonstruar jo vetëm nga politikanët, por dhe në marrëdhëniet më të gjera njerëzore të qytetarëve të thjeshtë. Këtë e kemi konstatuar, vijojmë ta konstatojmë dhe bashkëpunimi është i gjithanshëm me Gjermaninë. Ne i jemi shumë mirënjohës për këtë stad të bashkëpunimit dhe uroj e besoj, dua të them që jam i bindur që edhe e ardhmja e këtyre marrëdhënieve do të jetë po kaq e fortë sa deri me tani.
DWelle