Nuk janë të pakta rastet e helmimeve ushqimore në familjet tona, hotele, restorante ku shpesh herë faji u vihet institucioneve për mos kontrollin e duhur të ushqimeve, por askujt nuk i shkon ndërmend që gabimi mund të qëndrojë tek vetë konsumatori. E parë në këtë këndvështrim të gjithë kemi nevojë për rregulla më të mira të cilat garantojnë sigurinë e ushqimit të blerë në treg, pasi e kemi sjellë atë në shtëpi.
Sipas një anketimi të kryer nga Instituti i Politikave Mjedisore konsumatorët janë duke bërë shumë ose tepër pak kur është fjala për praktikat themelore të sigurisë së ushqimit për kuzhinat në shtëpi.
Sipas anketimit në fjalë 80% e të anketuarve e dinte se cila ishte rruga më e sigurtë dhe më e mirë për të shkrirë dhe gatuar mishin dhe vetëm 40% e tyre respektonte rregullat e gatimit (temperaturën dhe kohën e gatimit, duke pasur parasysh se disa pëlqejnë të hanë mish me gjak). Në lidhje me zbatimin e kushteve higjenike 90 % e konsumatorëve i lanin duart e tyre mbas trajtimit të mishit të papërpunuar ndërkohë që 15 % e tyre pohoi se nuk përdornin sapun apo detergjentë për larjen e duarve.
Një pjesë e madhe e konsumatorëve shpesh herë një pjesë mishi e ngrijnë dhe e shkrijnë disa herë duke i humbur jo vetëm vlerat ushqimore, por e kthejnë atë në një teren ushqyes për mikroorganizmat.
Nga ana tjetër, konsumatorët janë tepër të kujdesshëm kur bëhet fjalë për ushqimin e mbetur. Rreth 35% e konsumatorëve nuk e konsumojnë ushqimin e mbetur ose e hedhin atë pa mbushur 1 ditë edhe pse ai mund të konsumohej edhe mbas 4 ditësh nëse rruhej siç duhet në frigorifer. Gjithashtu konsumatorët i kushtojnë rëndësi datës së skadencës ndonjëherë më shumë seç duhet duke marë parasysh faktin se një pjesë e vogël e konsumatorëve e hedhin ushqimin kur afrohet data e skadencës që në të shumtën e rasteve flet për freskinë e ushqimit dhe jo për rrezikun e konsumimit.
Të dhënat e marra nga anketa e mësipërme tregojnë se konsumatorët duhet të edukohen më shumë se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të bëjnë për të pasur ushqim të sigurtë në kuzhinën e tyre, pasi masat e sigurisë nuk përfundojnë me blerjen e ushqimeve nga supermarketet, por përfundojnë në pjatën tuaj.
Për të mbrojtur veten dhe familjen tuaj nga sëmundjet me origjinë ushqimore ndiqni udhëzimet e pregatitjes së ushqimit dhe zbatoni rregullat e higjenës gjatë gatimit.