Prof. Eroll Velija
Udhëheqësi i fundit komunist, Ramiz Alia është një nga personazhet me kompleks të historisë së Shqipërisë. Njeriu që jetoi në tre epoka të rëndësishme të historisë sonë do të jetë për një kohë të gjatë objekt i studimeve të historianëve të këtyre 70 viteve të fundit. Alia lindi në kohën e Ahmet Zogut, u bë protagonist gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte një udhëheqës në hije gjatë viteve të para të komunizmit, arriti të bëhej krahu i djathtë i Enver Hoxhës. Më pas mori drejtimin e shtetit pas vdekjes së Hoxhës, dhe me ndryshimin e sistemit iu desh të jetonte disa kohë në burg e më pas u tërhoq tërësisht nga jeta publike. Ashtu si Enver Hoxha dhe Ramiz Alia është një nga figurat që merr shumë mistere në varr. Aktiviteti i tij gjatë komunizmit ka shumë situata të pasqaruara, sa vetëm ai mund tu jepte një përgjigje. Gazeta “Tirana Observer” publikon sot pesë misteret që udhëheqësi i fundit komunist dhe presidenti i parë i demokracisë do të mbulojë bashkë me trupin e tij në varrezat e Sharrës në Tiranë. Misteri i parë lidhet me masakrën Tivarit ku mbetën të vrarë shumë kosovarë. Roli Alisë nuk ka qenë i qartë në këtë ngjarje, madje dhe në një përgënjeshtrim që u bëri akuzave, ai nuk foli gjatë por tha se kjo zhurmë bëhet për arsye politike. Më pas vijohet me rolin e tij në eliminimin e shumë figurave politike të nomenklaturës komuniste. Alia është parë si pasues i Hoxhës por, vetëm nëse nuk do të ishte gjallë Balluku, Shehu, Hazbiu apo Kapo. Se cili ka qenë roli i tij në fundin e këtyre personazheve janë të vërteta që do të ikin bashkë me të në botën tjetër. Misteri i tretë lidhet me marrjen e pushtetit nga ana e tij. Pse u bind Enver Hoxha që Ramiz Alia duhet të ishte mëkëmbës i tij. Shumë zëra që kanë folir pas viteve ’90-të kanë thënë se Ramiz Alia ka qenë në krye të një grupi sekret që ishin në shërbim të Hoxhës por pa u vënë re nga askush. Ky grup sekret mendohet se ka pasur si drejtues Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën. Mister për figurën e Alisë mbeten dhe momentet e ndërrimit të sistemeve, kush i kërkoi drejtuesit komunistit të pranonte fundin e sistemit, pse nuk pati gjakderdhje gjatë protestave dhe kush i caktoi liderët kryesorë të partive të reja. Alia ikën nga kjo botë në një ceremoni që zhvillohet sot në mesditë por figura e tij dhe aktiviteti politik do të mbeten gjatë në diskutimet e historianëve dhe medias.
1. Roli i Alisë në Luftën e Dytë Botërore, e vërteta e masakrës së Tivarit
Ramiz Alia u fut në luftë si shumë të rinj të cilët nuk ishin dakord me pushtimin nazi-fashist gjatë luftës së Dytë Botërore. Ai arriti të bëhej deri në komisar i një divizioni, i cili luftoi deri në Beograd. Pak muaj më parë Alia u akuza nga mazhoranca e djathtë se ka gisht në masakrën e Tivarit për humbjen e jetëve të mbi 1000 kosovarëve. Në fakt e vërteta e kësaj masakre është e dokumentuar dhe zhurma për rolin e Ramiz Alisë më shumë ishte politike. Enver Hoxha pas prishjes së marrëdhënieve me Titon për këtë masakër të mënyrë deklaroi se ka pasur rreth 1000 të vrarë ndërkohë ka pasur një moment që lideri komunist mendoi seriozisht që të çonte në gjyqet ndërkombëtare fajtorët, por më pas u tërhoq nga kjo ide duke parë që Rusia nuk i dha mbështetje. Ish-presidenti Ramiz Alia reagoi vetë për akuzat e kryeministrit Berisha në drejtim të tij, të lidhura me masakrën e Tivarit, të ndodhur në mars të vitit 1945, kur UDB-ja jugosllave, sipas udhëzimeve të qeverisë së saj në Beograd, ekzekutoi rreth 1000 kosovarë të pafajshëm. “Unë kam një të keqe të madhe, që nuk e dëgjoj Berishën. Tivari është në Mal të Zi dhe kur ka ndodhur ngjarja ne kemi qenë në Bosnjë. Është një ngjarje e rëndë për kosovarët dhe le të përgjigjen vetë ata ose më mirë serbët që e organizuan. Berishën çdo gjë e shqetëson, ashtu është formuar ai. Kur ka halle dhe probleme do të krijojë gjullurdi, të kapet diku të krijojë një problem”, u shpreh ish-presidenti Alia disa muaj më parë.
2. Roli i Ramiz Alisë në eliminimin e shumë prej figurave të nomenklaturës komuniste?
Natyrisht kur ishin në jetë emrat e Beqir Ballukut, Hysni Kapos, Kadri Hazbiut apo Mehmet Shehut, nuk mund të mendohej apo të merrej me mend në opinionin publik dhe jo vetëm se trashëgimtar i pushtetit të Enver Hoxhës mund të ishte Ramiz Alia. Ndërkohë që dënimi i Kadri Hazbiut mbetet misterioz. Ka shumë hipoteza lidhur me dënimin e tij. Ato që më shumë duket se kanë zënë vend, janë hipotezat e frikës së Hoxhës për marrjen e pushtetit nga një njeri i cili dilte nga sfera e influencës së tij. Mendohet se Hoxha si pasardhës të tij kishte parashikuar Hysni Kapon. Por vdekja e tij në vitin 1979 prish planet dhe në skenë del ideja e Ramiz Alisë. Për të trashëguar pushtetin tek Ramiz Alia, sigurisht duhej të largoheshin njerëzit më të fortë siç ishin Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu. Po ashtu misterioze ngelet dhe vdekja e Hysni Kapos në Francë. Shumë herë është thënë se për shëndetin e tij është kujdesur Ramiz Alia i cili mendohej se do të ishte pasues i Hoxhës vetë në rast se nuk do të jetonte Hysni Kapo. Vrasja e Mehmet Shehut nuk lidhet direkt me ndonjë akuzë për Ramiz Alinë, por fakti që Shehu ishte njeriu më i fortë pas Hoxhës lind dyshime të forta se dijenia e Alisë ka qenë e madhe për atë çka po ndodhte në Bllok në atë kohë. Alia në gjithë deklaratat e tij por dhe në librin me kujtime e deklaron si një vetëvrasje atë të Shehut dhe në një farë mënyre e denigron si veprim.
3. Si arriti Ramiz Alia të bëhej pasues i Enver Hoxhës?
Zgjedhja formale e Ramiz Alisë pas vdekjes së Enver Hoxhës u bë më 13 prill 1985, domethënë vetëm dy ditë pas vdekjes së diktatorit. Në mbrëmje të kësaj date, kanali shtetëror italian “RAI UNO”, në edicionin e lajmeve të orës 20.00 (TG1), përdori një fjali surprizë, e cila nuk u dha në edicionet e tjera të lajmeve. Ndër të tjera RAI emetoi këtë lajm: “Sot në vend të Enver Hoxhës u zgjodh në postin e Sekretarit të Parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, ish-shefi i policisë sekrete të Enver Hoxhës, Ramiz Alia”. Në fakt RAI sa kishte prekur një të fshehtë të madhe që funksiononte brenda piramidës partiako-shtetërore komuniste. Sipas informacioneve, në Shqipëri qysh prej vitit 1948 funksiononte edhe një polici e fshehtë sekrete e Enver Hoxhës, e cila ishte një strukturë e veçantë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga hallka e saj Sigurimi i Shtetit, dhe ishte tërësisht e panjohur. Në këtë strukturë kanë bërë pjesë njerëz që nuk e kishin vlerën nga funksioni legal i tyre, por nga pesha që kishin në këtë rrjet. Në këtë lloj policie kanë bërë pjesë njerëz të niveleve të ndryshme, të cilët kurdoherë kanë qenë të gjithëpushtetshëm dhe të pacenueshëm. Rrjeti informativ i organizuar dhe i drejtuar nga Ramiz Alia, kishte si bashkëdrejtuese bashkëshorten e Hoxhës, Nexhmijen. Pikërisht kjo është pika e bashkëpunimit të Ramiz Alisë me Nexhmije Hoxhën. Ky bashkëpunim ka qenë i gjatë dhe i përjetshëm, por në raste të caktuara në mënyrë folklorizante, janë hapur fjalë për gjoja ekzistencën e ndonjë konflikti midis tyre.
4. Pse Shqipëria ishte e fundit që u shkëput
nga komunizmi, si i kontrollonte Alia grupet kundërshtare?
Vendi ynë ishte i fundit që u shkëput nga komunizmi. Ndryshe nga Rumania, apo vendet e tjera të lindjes Shqipërisë iu desh të kalonte në fillim të viteve ’90-të për të bërë kapërcimin. Alia e kuptoi që sistemi që po drejtonte ishte në agoni dhe për këtë duhej lejuar krijimi i partive të reja. Nusja e djalit të Enver Hoxhës dhe një nga kundërshtaret e forta të Ramiz Alisë, Liljana Hoxha thotë kështu për ndryshimet politike në Shqipëri: “Ramiz Alia ishte ai, që hapi dyert e ambasadave që të ikin njerëzit në eksod, dhe kur i shikon që ikin gjithë këta bij nënash, që të dhimbseshin që iknin në atë mënyrë, Ramiz Alia i quan ata armiq të popullit. Ai hap kufijtë dhe vret njerëzit pabesisht, pra bën gjenocid. Ramiz Alia është ai, që solli pluralizmin, dhe mirë bëri që e bëri këtë, por nuk e bëri në atë logjikën që thamë por ndryshe, duke e bërë në një farë mënyre mbrapsht, e bëri duke i ngritur kultin Enver Hoxhës, kur ai duhet të asgjësonte dashurinë e njerëzve për Enverin. Kjo është gjëja më traumatike që ka bërë ai, pasi ka vrarë ndjenjën shqiptare, për këtë i kam thënë edhe Nexhmije Hoxhës dhe më është përgjigjur se nuk kishte se ç´më duhej të merresha me këtë punë”, thotë Liljana Hoxha në një dalje publike të disa viteve më parë. Në shumë aspekte, Alia ishte një i mbijetuar politik. Ai kishte arritur të mbetet një figurë e rëndësishme politike nëpër disa kriza politike. Edhe pse ai kishte disa shqetësime të vërtetë për stabilitetin dhe vazhdimësinë, ai nuk ishte i papërkulur. Ai ndryshoi në përgjigje të rrethanave dhe kërkesave të vendosur nga reformatorët. Megjithatë, me Shqipërinë në grahmat e një krize të rëndë ekonomike, Alia kishte për t’u përballur me sfidat me të cilat ai nuk mund të kapërcej. Pas rënies së qeverisë së koalicionit në dhjetor 1992 dhe Partia Demokratike e PDSH (Shqipërisë) fitore dërrmuese në zgjedhjet e përgjithshme të pranverës 1992, ai dha dorëheqjen si president më 3 prill, 1992. Më 9 prill, Kuvendi Popullor zgjodhi kreu i PDSH, Sali Berisha si kreu i ri i Shqipërisë të shtetit. Më 21 maj, 1994, zyrtarë të lartë të regjimit komunist, përfshirë edhe Ramiz Alia, shkoi në gjyq. Alia u akuzua për shpërdorim të pushtetit dhe shpërdorim të fondeve shtetërore, siç ishte Adil Çarçani, ish kryeministër, Manush Myftiu, zëvendësi i tij, dhe Rita Marko, ish-zëvendës-president.
5. A i vendosi vërtet Ramiz Alia Berishën dhe Nanon në krye të PD dhe PS?
Jo rrallë në media është shkruar se Sali Berishën dhe Fatos Nanon i ka dirigjuar Ramiz Alia për të marrë drejtimin e dy partive kryesore në vend. Duke parë të kaluarën e tyre që lidhej me Partinë e Punës, nuk ka asgjë për të mos u besuar. Në fakt Ramiz Alia asnjë herë nuk është shprehur për këtë ngjarje në mënyrë të drejtëpërdrejtë ku e ka dhënë versionin e tij në mënyrë të përciptë, por pa thënë se si doli Berisha dhe Nano në krye të dy partive. Roli i vërtetë tashmë që Alia nuk jeton, do të dalë nga kujtimet e dy protagonistëve Nano dhe Berisha, por dhe të personazheve të tjerë të cilët kanë qenë në dijeni të zhvillimeve të asaj periudhe.
Jetëshkrimi i Ramiz Alisë
Ramiz Alia lindi më 18 tetor 1925 në Shkodër dhe vdiq më 7 tetor 2011 në Tiranë pasi vuante nga një komplikacion në mushkëri, (trenboembolia pulmonare). Ai u diplomua në shkollën e Partisë në Moskë (1954). Alia është një nga figurat më të rëndësishme të Partisë së Punës së Shqipërisë, i cili udhëhoqi Shqipërinë mes viteve 1984 – 1990. Gjatë kësaj periudhe Ramiz Alia ka kryer detyra të larta në drejtim të PPSH-së, rrjedhimisht edhe të shtetit shqiptar.
Detyrat më të rëndësishme kanë qenë: Sekretar i Parë i KQBRPSH (1949-1955), Ministër i Arsimit dhe Kulturës (1955-1958), anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretar i KQ PPSH-së për ideologjinë (1961-1985), deputet, Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor (1982-1990), Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së (1985-1991) dhe kryetar i Këshillit Presidencial (1991).
Pas zgjedhjeve të para shumëpartiake në Shqipëri të zhvilluara më 31 mars 1991, parlamenti i ri pluralist i dominuar nga deputetët e PPSH-së, më 30 prill 1991 me propozim të PPSH-së e zgjodhi Ramiz Alinë, President të Republikës. Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 22 marsit 1992 ku fitoi koalicioni i opozitës i udhëhequr nga Partia Demokratike, më 3 prill 1992 Alia dha dorëheqje nga posti i Presidentit. Semiramis Xhuvani Alia vajza e Aleksandër Xhuvanit ishte bashkëshortja e Alisë me të cilën pati tre fëmijë. Dy vajza, Zanën, Besën, si dhe një djalë, Arbenin.
Fakte nga jeta e Ramiz Alisë
- Detyrat më të rëndësishme të Ramiz Alisë kanë qenë, ajo e sekretar të Parë të KQBRPSH (1949-1955), ministër i Arsimit dhe Kulturës (1955-1958), anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i KQ PPSH-së për ideologjinë (1961-1985), deputet, kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor (1982-1990), sekretar i Parë i KQ të PPSH-së (1985-1991) dhe kryetar i Këshillit Presidencial (1991).
- Në prill të vitit 1985, Ramiz Alia është emëruar pasues i Enverit në shtëpinë e këtij të fundit. Kur mjekët i dhanë lajmin se Enveri vdiq. Haxhi Lleshi në korridoret e vilës së Hoxhës në Tiranë i është drejtuar me fjalët. “Të rrojë Partia, të rroni ju shoku Ramiz”, duke nënkuptuar se vendin e Enverit mund ta zinte vetëm ai.
- Ramiz Alia ishte Presidenti që firmosi ligjin që lejonte krijimin e partive dhe shoqatave politike. Ky akt i firmosur më 12 dhjetor 1990 formalisht i dha fund sistemit monopartiak dhe krijonte mundësinë e pluralizmit të partive dhe shoqatave të tjera në vend.
- Që nga rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës, në shkurt të 20 shkurtit 1991, shënoi dhe prishjen e marrëdhënieve mes Ramiz Alisë dhe bashkëshortes së diktatorit, Nexhmije Hoxha. Prej 17 vitesh dy njerëzit që mbajtën për gjashtë vite sistemin nuk flasin më.
- Për 40 vite me radhë do të ishte në krah të Enevr Hoxhës. Të tjerë para tij e provuan të ishin në krah të diktatorit dhe nuk arritën të mbyllnin jetën me lavdi. Ndërsa Alia jo vetëm ishte më i besuari dhe i mbijetoi intrigave të kupolës, por për gjashtë vite ishte dhe pasuesi i Hoxhës.
- Dy drejtuesit komunistë, Alia dhe Hoxha, historia do t’i takonte në muajt e parë të vitit 1943. Alia ishte 18 vjeç, ndërsa Hoxha 35 vjeç në një shtëpi në Tiranë. Askush nuk di çfarë kanë folur për herë të parë. Por aty do të niste historia e sistemit komunist në Shqipëri. Detyrën e parë si komunist e ka marrë në qytetin e Beratit. Me urdhër të Nako Spirut ai delegohet të ngrejë bazën e rinisë në qytetin Beratit. Që nga ajo kohë ai merr pjesë aktive në rezistencën kundër pushtuesve fashistë dhe më pas atyre gjermanë.
8 Janar 2012