Prof. Syle Dobroshi
23 Nentor Adolf Hitler shprehet: “Sot kam takuar dy diplomatë, njëri ishte një diplomat i madh i një shteti të vogël dhe tjetri një diplomat i vogël i një shteti të madh". I pari ishte Rauf Fico dhe, i dyti, ambasadori japonez. Në vitin 1938, ku dhe është shënuar takimi me Hitlerin, Rauf Fico dekretohet ministër fuqiplotë në Berlin, duke plotësuar vendin e titullarit të asaj legate të hapur qysh në vitin 1936 e të mbetur deri atëherëe vetëm me sekretarin Thoma Luarasi. Aty ai qëndroi deri në pushtimin e vendit. Duke qenë ministër fuqiplotë në Berlin, ai ishte akredituar edhe në Pragë dhe po ashtu edhe në Budapest.
Prezantimi shumë dinjitoz i këtij diplomati të shkëlqyer e detyruan kancelarin gjerman Adolf Hitlerin të shprehet me superlativa për të. Pas kësaj, Faik Konica do të thoshte se Rauf Fikoja ishte shqiptar edhe atëherë kur nuk kishte Shqipëri. Ky diplomat i madh shqiptar, historia e të cilit do të shkruhej më pas, ishte fëmija e çiftit Tahmaz dhe Hava në Jemeni të Turqisë, që pas lindjes së djalit vijnë në Shqipëri.
....
Rauf Ficoja ishte një personalitet i rëndësishëm shtetëror, diplomatik dhe shoqëror shqiptar. Në radhën e diplomatëve të shquar shqiptarë si Faik Konica, Mehmed Konica, Iljaz Vrioni, Fuad Asllani, Lec Kurti, Xhaferr Vila e të tjerë, Rauf Ficoja ishte diplomati më i shkëlqyer. Ai ka lindur më 13 mars 1881, në Sana të Jemenit, por është regjistruar në Gjirokastër, mbasi i ati, kadiu Tahmaz Remzi Fico dhe e shoqja Hava, u transferuan menjëherë pas lindjes së djalit nga Jemeni për në Shqipëri, konkretisht në Shkodër, si kryekadi i vilajetit. Arsimin e filloi në shkollën ryzhdie të Shkodrës, më pas ai u dërgua për studimet e mesme në Stamboll, fillimisht në Idadien Mylqije dhe më tej në Shkollën e Lartë Administrative "Mylqie", të cilën e mbaroi në korrik të vitit 1903, me vlerësimin "Shkëlqyshëm".
Në tetor të atij viti, Rauf Fico emërohet si nëpunës stazhier pranë administratës së vilajetit të Janinës dhe mbas përfundimit të stazhit ai dekretohet me ofiqin e kajmakanit (nënprefekt). Në prill të vitit 1906 ai emërohet kajmakan në Konicë. Rauf Ficoja ende në moshë të re ishte një atdhetar i shquar. Ai dhe pse ishte funksionar i lartë osman, duke qenë në qytetin e Konicës, nyje ndërmjetëse në rrugën Manastir për në Gjirokastër e deri në Janinë, ishte në lidhje të ngushtë me atdhetarët shqiptarë Bajo Topulli, Memduh Zavalani, Qamil Panaritin, Sali Butkën e të tjerë, me të cilët kryente veprimtari atdhetare. Në nëntor të vitit 1908, Rauf Ficoja së bashku me Bajo Topullin përfaqësuan Gjirokastrën në Kongresin e Manastirit.
Xhonturqit për këtë veprim atdhetar i mbajtën qëndrim zyrtar. Qeveria xhonturke, për ndëshkim, e transferoi nga trojet shqiptare si kajmakan në qytetin e Gjymyshhaxhiqoj të vilajetit Sivash, e prej aty në Kangall të Anadollit. Në këtë periudhë ai njeh dhe krijoi miqësira me gazetarët anglezë filoshqiptarë Henry Brailsford, Henry Nevinson, me Lordin Noel Buxton, diplomatët Edward Boyle, Charles Roden Buxton, lord Dickinson dhe veçanërisht me deputetin dhe kolonelin Aubrey Herbert, Merry Edith Durhamin. Ai i mbështeti dhe i ndihmoi ata në veprimtarinë e tyre, por edhe ata e mbështetën atë si diplomat, madje, ata mbështetën edhe miq të tij, diplomatë të rinj e të vjetër shqiptarë.
Aty nga fillimi i majit të vitit 1909, Rauf Ficoja dërgohet kajmakan në atdhe, në Himarë, ndërsa pesë muaj më vonë ai ishte nënprefekti i Margelliçit (Margaritit) në Çamëri. Aty në Margelliç, në verën e vitit 1910, Rauf Ficoja me rastin e një feste osmane ka mbajtur një fjalim në gjuhën shqipe.
Ky gjest atdhetar e konfliktoi përsëri me qeverinë osmane, e cila në shtator të atij viti e transferoi nga trojet amtare përsëri kajmakan, në Kizillhamam, 70 km më tutje Ankarasë dhe e mbajnë aty gati një vit.
Në korrik të vitit 1911, përsëri R.Ficoja kthehet kajmakan në trojet tona, pikërisht në Kërçovë. Asokohe kishin filluar kryengritjet shqiptare në Kosovë e Maqedoni dhe përsëri Rauf Ficoja si atdhetar merr pjesë aktive në shumë nga këto veprimtari. Ai mban lidhje me atdhetarët e Dibrës, Tetovës dhe të Shkupit.
Qeveria osmane në prill të vitit 1912 e largoi nga trevat kryengritëse edhe dërgon si mytesarif (prefekt) në qytetin Kaiseri të Anadollit të largët, por aty qëndroi pak muaj. Sapo Shqipëria më 28 nëntor u shpall e pavarur dhe Ismail Qemali krijoi Qeverinë e Përkohshme, Rauf Ficoja ishte një nga funksionarët e parë të saj. Ai u emërua si këshilltar në Ministrinë e Brendshme, ndërsa në nëntor të vitit 1913 e deri nga fundi i janarit të vitit 1914 shërbeu si prefekt i Beratit.
Me ardhjen e princ Wiedit dhe krijimit të Qeverisë së Turhan Pashë Përmetit, Rauf Ficoja ishte emëruar shef i kabinetit të kryeministrit. Rauf Ficoja së bashku me Abdyl Ypîn u përpoqën për një normalizim të marrëdhënieve qeveri dhe kryengritës të Haxhi Qamilit, por pa sukses. Ata u zunë rob dhe u rrahën egërsisht nga bashibozukët turkoshake.
Me pushtimin ushtarak austro-hungarez, në shkurt të vitit 1916, Rauf Ficoja u dekretua nënprefekt i Tiranës dhe si i tillë ai shërbeu deri në Kongresin e Lushnjës. Duke qenë me atë funksion, R.Ficoja qysh në vitin 1917 urdhëroi që e gjithë veprimtaria zyrtare shkresore dhe verbale të kryhesh, domosdoshmërisht, në gjuhën shqipe, duke i paraprirë vendimeve të "Qarkut Literar" të Shkodrës dhe urdhërit të Feldmareshallit Ignaz Trollmann, që u realizuan vetëm në vitin 1918.
Si një nëpunës i ndërgjegjes, i ndershëm dhe i aftë, ai dekorohet nga Perandoria Austro-hungareze, me urdhërin e Franz Josefit të kl I.
Duke qënë nënprefekt i Tiranës, Rauf Ficoja dhe gjashtë atdhetarë të tjerë, shokë të tij, si Abdyl Ypi, Sotir Peci, Ismail Ndroqi, Mytehesim Këlliçi, Myslim Beshiri dhe Sinan Hoxha, në 7 dhjetor 1918 përpiluan një thirrje apo program politik, e firmosur nga vetë R.Ficoja, me synim mbajtjen e një mbledhjeje apo kongresi, ku të diskutohej e të vendosej për veprimet që duheshin marrë për bashkimin e kombit dhe për luftën kundra propagandave të huaja, me qëllim përçarjen e popullit. Kjo mbledhje u mbajt më 19 dhjetor edhe ishte prekursorja e Kongresit të Durrësit. Aty morën pjesë delegatë nga Tirana, Elbasani, Peqini, Kavaja, Durrësi, Kruja e Dibra, dhe u morën vendime të rëndësishme për atë periudhë historike...
Rauf Ficoja ishte jo vetëm një administrator i shkëlqyer, një politikan i mirorientuar, një shqiptar atdhetar, një nëpunës i pakorruptueshëm, por ai ishte edhe një njeri me zemër të madhe. Nën nismën dhe këmbënguljen e tij në Tiranë, në vitin 1917 u hap streha vorfnore e parë për fëmijët jetimë që kishin mbetur rrugëve.
Mbas Kongresit të Lushnjës, më 30 janar 1920, ai u emërua sekretar shteti i Ministrisë së Punëve të Brendshme me titullar Ahmet Zogun dhe si i tillë qëndroi deri në fund të vitit 1922, kur jep dorëheqjen për të bërë kandidaturën si deputet.
Në këtë kohë, për shkak të veprimtarisë shoqërore dhe personalitetit të tij, me propozim të Ministrisë së P.Jashtme Franceze, më 1922, Rauf Ficos i akordohet dekorata “Palma e Artë Akademike”, ndërsa Akademia Ndërkombëtare e Letërsisë dhe Shkencës së Napolit, më 16 korrik 1925, mbasi i ka dhënë gradën shkencore të Doktorit të Nderit, e zgjedh edhe anëtar korrespondent të asaj akademie.
Po e asaj periudhe është edhe dekorimi italian me “Kryqin e Nderit për merita në letërsi e shkencë”, i akorduar nga Akademia Mbretërore Italiane. Nga dhjetori i vitit 1923 e deri në janar të vitit 1926, ai ishte zgjedhur deputet i Durrësit në Asamblenë Kushtetuese.
Rauf Ficoja ishte deputeti i Parlamentit Shqiptar që në vitin 1924, kur vdiq presidenti amerikan Wodrow Villson kërkoi të mbahej 5 minuta zi.
Në shërbimin diplomatik shqiptar, Rauf Ficoja u fut në shkurt të vitit 1926, kur u dekretua ministër fuqiplotë i Shqipërisë për Turqinë dhe Bullgarinë, me rezidencë në Ankara. Në Sofje, ai paraqiti letrat kredenciale në 27 gusht 1926. Me atë funksion qëndroi deri në 18 prill të vitit 1928. Pikërisht në këtë kohë, Rauf Ficoja dekretohet ministër fuqiplotë në Beograd, ku shërbeu deri në fillim të vitit 1929. Rauf Ficoja ishte dekoruar nga mbreti bullgar me "Urdhërin e Borisit“ dhe nga Franca në vitin 1926, me medaljen e "Oficerit të Legjionit të Nderit“. Rauf Ficoja ishte një poliglot, ai zotëronte shumë mirë turqishten e osmanishten, frëngjishten dhe gjermanishten, persishten dhe arabishten, greqishten dhe italishten. Më 14 janar 1929, Rauf Ficoja u dekretua ministër i Punëve të Jashtme dhe si i tillë shërbeu deri në 6 mars 1930. Pikërisht në këtë kohë një incident diplomatik e detyroi atë të kërkonte të jepte dorëheqjen. Në një intervistë të dhënë gazetës “Shqipëria e Re” e Konstancës, në shprehjen e tij, rrethi italofil i oborrit dhe diplomatët italianë, e trajtuan sikur ministri kishte fyer italianët dhe Italinë. Fakt ky që nuk ishte i saktë. Kjo dorëheqje pati një jehonë kundërshtimi shumë të fortë. Gazeta hungareze “Pester Lloyd” në datën 18 mars shkruante: “Rauf Fico, njeriu më i kulturuar i atij vendi, kur u desh të krijohej administrata e shtetit shqiptar, rreth tij u grumbulluan njerëzit më të aftë që organizuan Shqipërinë e sotme. Ministër Rauf Fico është njeri me kulturë të shquar të përmsave evropiane, ai zotëon gjashtë gjuhë të huaja. Ai është një diplomat nga më të zotët”. Ndërsa, “The Near East and India“, në 4 dhjetor 1930 shkruante: “Me personin e zotit Fico, kabineti ministror humbi anëtarin më përparimtar dhe më energjik”. Dorëheqja nuk u pranua nga mbreti, përkundrazi ai e dekretoi me dy funksione: atë të ministrit të Punëve të Jashtme dhe atë të ministrit të Brendshëm, ku shërbeu deri në 20 prill të vitit 1931. Ndonëse kishte një arsimim osman, Rauf Ficoja ishte një simpatizant i kulturës dhe arsimimit evropian e anglosakson. Duke qenë ministër u bë nisiatori i dekorimit të kryeinfermieres amerikane Margaret Grey, mësueseve Margarette Moseley Williams dhe Grace MacLam, shkrimtarëve Rose Wilder Lane dhe Ana Mile Upjohn, Lady Carnarvon, M.Edith Durhamit, Miss Pennington me dekoratën “Oficere e Urdhërit të Skënderbeut”.
Diplomatët e huaj kishin një vlerësim shumë të lartë për Rauf Ficon. Ministri fuqiplotë anglez, Sir Robert Hodgson, kishte relatuar në Forin Ofis se, “Rauf Fico është një nga personalitetet më tërheqës të jetës publike shqiptare dhe një burrë me një ndershmëri dhe atdhetarizëm të padiskutueshme. Me bindje republikane, ai ishte i bindur se monarkia i duhet Shqipërisë dhe i qëndroi besnik mbretit Zog”. Me po të njëjtat mbresa për Rauf Ficon kishin ikur nga Shqipëria edhe dy ministrat fuqiplotë amerikanë, Herman Bernstein e Hught Grant, madje, ky i fundit ishte shprehur diplomatit shqiptar Fuad Asllanit se, Rauf Ficoja ishte një nga diplomatët e shkëlqyer jo vetëm ballkanikë, por edhe evropianë.
Më 27 janar të vitit 1932, Rauf Ficoja ishte dekoruar nga mbreti Zog me dekoratën e "Urdhërit të Komandarit të Skënderbeut“.
Në një nga ardhjet zyrtare të tija në Tiranë, në mars të vitit 1933, nga Beogradi, Rauf Ficoja porosit me një dashamirësi atërore, por edhe profesionale diplomatin e ri, dr.Fuad Asllanin, të sapo dekretuar ministër fuqiplotë, mënyrë të veçantë rekomandoi Sir Edward Boylen e lord Dikinsonin. Sugjerimet e këshillat e Rauf Ficos, diplomatit të ri i rezultuan atij shumë përcaktuese në shumë drejtime gjatë gjithë veprimtarisë diplomatike të tij në Londër, në vitet 1933-1935.
Diplomati Fuad Asllani shumë vite më vonë për personalitetin dhe vlerën e Rauf Ficos tha: “Nga personalitetet e jetës publike të viteve 1920-1940 që unë kam njohur, kam bindjen e plotë se më atdhetarët ishin Rauf Ficoja, Bahri Omari e Kolë Tromara”.
R.Ficoja vdiq në Tiranë më 23 janar 1944, pak muaj mbasi ishte kthyer nga internimi në Itali. Varrimi i tij ishte nga më madhështorët që kanë ndodhur në Shqipëri, si për nga numri shumë i madh i pjesëmarrësve, por edhe nga pjesëmarrja e të gjitha shtresave të popullsisë shqiptare brenda e jashtë kufirit të vitit 1913.
Rauf Fico. Një diplomat i madh i një shteti të vogël - shprehet Hitleri
-
livalu Ligor Luarasi16:36 - 11 Janar 2012Ne gjithe kete shkrim sikur lexova vetem nje emer krishter Sotir Fico,thashe me vete paskemi nje qe na ka nderuar prej besimit tone.