Postuar me 07/01/2012 nga Edi Rama
Nuk dua të përputh këtu të vërtetat që kemi shprehur e mbrojtur tash dy vjet përgjatë shtegut të ngushtuar dhunshëm të veprimit opozitar, me të vërtetat e hidhura që ambasadori i Danimarkës në cilësinë e përfaqësuesit të presidencës së BE-së për këta gjashtë muaj, rreshtoi dje me gjuhën e Europës troç si mbase asnjëherë në këto vite të trazuara për Shqipërinë. Nuk dua të rimarr pjesë të tëra të intervistës së tij befasuese për të thënë sot ja, lexojeni, se sa shumë u ngjajnë pikëpamjet e hapura të presidencës daneze pikëpamjeve tona për shumëçka ka ndodhur apo është bërë si mos më keq në këto vite të rrënimit të moralit qeverisës e të institucioneve të brishta të shtetit tonë. Nuk dua aq më pak të bëj atë që fort mirë ambasadori Karsten Ankjaer Jensen e përcakton si “lojë të fajit mes palëve”, sepse vendit nuk i duhet assesi kjo lojë fundi i së cilës ka gjithnjë si rezultat përbaltjen e të gjitha palëve dhe si fitues vetëm dëshpërimin popullor bashkë me zhgënjimin ndërkombëtar.
Dua vetëm të them se është koha për të ndryshuar radikalisht politikën shqiptare në funksion të Europës si shpirt, si vizion, si mision, si sjellje publike e sigurisht edhe qeverisëse. Dhe dua të nënvizoj fort me këtë rast detyrimin tonë të papërmbushur tash njëzet vjet për Shqipërinë Europiane që na duhet si shqiptarë pa dallim; Për shtetin shqiptar që në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë është larg së qeni shtet në shërbim të qytetarëve shqiptarë dhe në mbrojtje të flamurit e të vlerave tona si komb e si shoqëri europiane; Për shoqërinë shqiptare që doli nga skëterra komuniste dhe vijon të përpëlitet në boshllëkun alarmant të vlerave morale, ku politika e vjetër e këtyre njëzet vjetëve forcon sundimin e saj duke shkatërruar themelet e bashkëjetesës qytetare me dinamitin e urrejtjes përçarëse.
Ne, opozita shqiptare, Partia Socialiste në krye të saj, bëmë sa mundëm jo sa deshëm pasi u vodhëm në zgjedhjet e qershorit 2009 e u vramë në protestat që kulmuan me masakrën e 21 janarit, për t’u rivjedhur përsëri në zgjedhjet e majit 2011 në Tiranë ditën për diell. Mbase jo në çdo moment të vështirë patëm kthjelltësinë e nevojshme përballë një pushteti që u soll e vazhdon të sillet me opozitën si me një armik që duhet asgjësuar, për t’u kthyer në një shërbëtor të përulur të një qeverie të kthyer në regjim. Por pa asnjë fije dyshimi po të mos kishim rezistuar siç rezistuam, po të mos e kishim bojkotuar parlamentin e zgjedhjeve të vjedhura, po të mos kishim përdorur çdo mjet demokratik që patëm në dispozicion pavarësisht dukjes “joeuropianiste” të aksionit tonë politik në ndonjë moment apo kritikave rëndom cinike ndaj nesh, Shqipëria sot s’do kishte më asnjë shans për të shpëtuar së shpejti nga diktatura e faktit të kryer.
Sot ky shans është i plotë. Modeli bjellorus i demokracisë së kontrolluar nga pushteti është diskredituar edhe pse vazhdon të mbetet projekti i pandërprerë politik i pushtetit të sotëm të Shqipërisë. Ky projekt s’ka asnjë të ardhme europiane, sepse Europa s’ka vend për një Shqipëri ku zgjedhjet s’përmbushin standartet e BE-së, ku vjedhjet qeveritare të pasurisë e të parasë publike janë rutinë dhe ku proceset gjyqësore për qeveritarët e kapur me presh në duar janë komedi, ku qeveria vret me pushkë protestuesit dhe ku gjykatësit vrasin drejtësinë njësoj siç vret Garda e Republikës qytetarët.
Shansit të plotë që është krijuar për ta shpëtuar Shqipërinë nga diktatura e faktit të kryer ne, Partia Socialiste, duhet, duam dhe do t’i japim mundësinë të bëhet realitet përmes një projekti politik europian, diametralisht të kundërt me projektin politik të qeverisë. Përmes një projekti politik që është në embrionin e programit tonë të ri “Për një Rilindje Shqiptare”. Përmes një projekti politik që synon ndërtimin e shtetit modern europian që Shqipëria nuk e ka ende pas 100 vjetësh pavarësi. Përmes një projekti politik që ka në thelbin e vet interesat kombëtare dhe një vizion të ri për Shqipërinë e shekullit XXI. Përmes një projekti politik që kërkon një politikë të re sot më shumë se kurrë më parë. Në fjalë, sjellje e vepra.
Kështu e dëgjoj unë alarmin e presidencës daneze të BE-së për gjendjen e sotme të Shqipërisë dhe për çka duhet të bëjmë për sa na takon ne, opozitës shqiptare, Partisë Socialiste në radhë të parë, që e nesërmja të mos i ngjajë të sotmes e që më herët se vonë, Shqipëria të ndahet nga rruga e stërmundimshme e të shkuarës ku ka mbetur peng. Edhe njëherë respekt të thellë e mirënjohje për këtë alarm që i vjen në ndihmë bujarisht Shqipërisë e shqiptarëve në fillimin e këtij viti sa simbolik sepse përkon me 100 vjetorin e pavarësisë aq edhe dramatik për ecurinë e vendit, qoftë për shkak të krizës shumëplanëshe që thellohet qoftë për arsye të kalendarit të vet politik ku projektet e kundërta do të ballafaqohen detyrimisht, në më shumë se një udhëkryq kritik
Alarmi i Presidencës Daneze
-
Jon Skenderaj10:52 - 13 Janar 2012kur do fillojm nga praktika e atyre teorive tuaja,ishalla 100vjetori i pavarsis u ngre moralin politikaneve bashke me popullin e lodhur dhe te duruar,dhe te jetojm si njerez te civilizuar