English

Basha: 385 apartamente banimi, gati për hipotekim

Bashkia shpërndan 11 leje të reja përdorimi.
Basha: Reduktohen 18 dokumente, për marrjen e lejeve të përdorimit.

Bashkia mbyll proçedurat dhe për 1000 apartamente të tjera, priten dokumentet nga ndërtuesit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka zhvilluar dy ditë më parë një takim me përfaqësues të Shoqatës së Ndërtuesve si dhe subjekteve të ndërtimit. Në këtë takim, Kryetari i Bashkisë zoti Basha ka shpërndarë 11 leje të reja përdorimi, të cilat përfshijnë pallate, por edhe ambiente tregtare, shërbimi apo parkimi. Vetëm për këto objekte, do të përcillen pranë Zyrës Vendore të Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, për hipotekim përfundimtar, një numër prej 385 apartamentesh banimi. Sipërfaqja e 11 objekteve që u pajisën me leje përdorimi llogaritet në total, rreth 70.000 m2 ndërtim.

Nga ana e Bashkisë Tiranë janë kryer të gjithë kontrollet dhe janë të gatshme, për të mbyllur procesin e miratimit të lejeve të përdorimit, edhe për një grup prej rreth 25 dosjesh, të cilat kanë nevojë vetëm për angazhimin e subjekteve ndërtuese, për plotesimin e dokumentacionit të domosdoshëm për paisjen me këto leje. Finalizimi i këtij procesi, vetëm për këtë grup, prej 25 objektesh do të bëjë të mundur përcjelljen pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, për hipotekim përfundimtar, një numër prej mbi 1000 apartamentesh banimi, por edhe të një numri të madh ambientesh tregtare, shërbimi apo parkimi, të gjitha këto, me një sipërfaqe totale prej rreth 175.000 m2 ndërtim.

“Sot ne do të japim lejet e përdorimit, për 11 objekte që përfaqësojnë 385 apartamente banimi, 385 familje të cilave deri më tani, u është mohuar e drejta e tyre e ligjshme për të pasur tapitë e shtëpive si dhe përfundimin e shpejtë të 25 objekteve të tjera që përfaqësojnë afro 1 000 apartamente banimi, pra në total mbi 1300 apo 1400 apartamente, të cilat me këto akte u hapet rrugën për një hipotekim të shpejtë dhe pajisen me tapitë, me dokumentet e regjistrimit të pasurive të tyre në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pra në Hipotekë” - tha Basha.

Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit ka evidentuar specifikat edhe për një kategori tjetër, prej rreth 40 dosjesh, nga të cilat, një pjesë e konsiderueshme e tyre rezultojne se kanë thjesht probleme të plotësimit me dokumentacion, të cilat kërkojne angazhimin e subjekteve ndërtuese, për plotësimin e dokumentacionit të domosdoshëm, deri në paisjen me këto leje.

Për t’u ardhur sa më shumë në ndihmë ndërtuesve dhe per të lehtësuar sa më shumë procedurat për paisjen me leje përdorimi, Bashkia e Tiranës ka reduktuar numrin e dokumenteve të nevojshme, për tu pajisur me këto leje. Kryetari i Bashkisë ka ftuar ndërtuesit, të shprehin angazhimin e tyre, për plotësimin e dokumentacionit, për paisjen me leje perdorimi:

“Ajo që unë dua të theksoj sot këtu, në praninë e ndërtuesve që sot pajisen me lejet e përdorimit, është se me të njëjtin angazhim kërkoj nga pjesa tjetër e komunitetit të ndërtuesve të plotësojnë detyrimet e tyre. Lajmi i mirë, është se nga 34 dokumente që duheshin deri më sot, për të përmbyllur procesin, ne e kemi thjeshtuar atë në 16 dokumente. Sigurisht nuk janë pak, por janë pothuajse gjysma e dokumenteve që kërkoheshin më parë dhe kjo është në frymën e energjisë pozitive, në frymën e re që ne si Bashki po mundohemi të injektojmë në marrëdhëniet me komunitetin e biznesit në tërësi dhe me ndërtuesit në veçanti, të thjeshtimit të burokracive, të bërjes së procesit transparent, sa më të menaxhueshëm dhe sa më efektiv” - tha Basha

Kryebashkiaku Basha garantoi edhe njëherë, se puna e Bashkisë nuk përfundon vetëm me kryerjen e detyrave të saj, për paisjen me leje përdorimi, por ajo do ta ndjekë nga afër procesin, deri në hipotekimin e këtyre objekteve:

“Ne po monitorojmë nga afër, se si po menaxhohet procesi nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pra nga Hipoteka dhe jam i inkurajuar nga fakti që brenda një kohe relativisht të shkurtër, afro 50 ditë, pas dërgimit të mbi 120 lejeve të shfrytëzimit pranë Hipotekës, duket se afro 107 prej tyre kanë përfunduar dhe pjesa tjetër është në përfundim e sipër. Edhe kjo, natyrisht kërkon një bashkëpunim, një komunikim të ndërsjelltë midis institucionit përkatës dhe ndërtuesve” - theksoi Basha.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka shprehur edhe njëherë për ndërtuesit, se Plani i Ri Urbanistik do të përfundojë brenda 6 - mujorit të parë të këtij viti dhe ky grup interesi do të jetë pjesë e konsultimeve, që do të zhvillohet për këtë plan:

“Së shpejti, plani urbanistik i Tiranës do hyjë në fazën e konsultimit. Unë I mbetem plotësisht premtimit tim, për ta përmbyllur këtë plan brenda 6-mujorit të parë të këtij viti dhe njëkohësisht ne po punojmë, edhe me qeverisjen qëndrore, për të hartuar mekanizmat e duhur që kërkon ligji i ri i urbanistikës, në mënyrë që menjëherë pas përfundimit të Planit, ne të jemi në gjendje të pajisim komunitetin e ndërtuesve me leje ndërtimi, në përputhje me ligjin, në përputhje me parametrat urbanë të Tiranës së shekullit të 21-të, në përputhje me kërkesat e tregut, me kërkesat e qytetarëve të Tiranës.”- u shpreh Kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Si shumë të rëndësishëm, e kanë konsideruar bashkëpunimin e ofruar nga Bashkia e Tiranës dhe hapat e ndërmarrë, në drejtim të paisjes me leje përdorimi të subjekteve, drejtues të Shoqatës së Ndërtuesve dhe të Dhomës së Tregtisë së Tiranës.

Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve të Tiranës, Avenir Kika tha se Bashkia e Tiranës është sot institucioni që kërkon të heqë pengesa dhe jo te krijoje pengesa, ndërsa Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve të Tiranës Maksim Muçi kërkoi përfshirjen, në mënyrë që ky partneritet të vazhojë edhe në të ardhmen:

“Ne nuk duam asgjë më tepër, se sa një partner si ky që ju na paraqitët sot. Ky është pretendimi ynë dhe me kaq jemi të kënaqur. Ne duam që këtë partneritet, ta institucionalizojmë. Bëhet fjalë për Planin Urbanistik ose për zhvillimin në të ardhmen. Nga eksperienca që kemi, jemi disi mosbesues drejt administratës publike, në kuptimin që jo çdo gjë e çon deri në fund dhe kjo vjen edhe për arsye objective, por edhe për arsye subjektive. Në këtë aspekt duhet një bashkëpunim, nuk është e thënë drejtpërdrejt me ju, por të paktën me administratën tuaj të kemi një kontakt, një shkëmbim informacioni dhe bashkëpunim për të bërë më të mirën”.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë Nikolin Jaku tha se Bashkia e Tiranës dhe veçanërisht Kryetari i saj, tashmë vjen, jo vetëm në rrugën e mbajtjes së premtimeve elektorale që identifikohen çdo ditë në takimet që bën me sektorë të ndryshëm të biznesit, por ajo që është për t’u evidentuar është fryma pozitive që Kryetari i Bashkisë dhe i gjithë stafi i tij kanë krijuar, jo vetëm me qytetarët e Tiranës, por edhe në sipërmarrjen dhe gjithë grupet e interesit të Tiranës.

KOMENTE