English

Fjala e Kryetarit Edi Rama, para Grupit Parlamentar të PS (VIDEO) 13 Janar 2012

388
Të nderuar anëtarë dhe anëtare të Grupit Parlamentar socialist,
Ju uroj një vit të mbarë pune dhe familjarisht me shëndet dhe të gëzuar!

Ky vit politik është viti i 100 vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar. Objektivi ynë është i shpallur, të bëjmë më të mirën që mundemi për t’i dhënë në këtë vit simbolik Shqipërisë statusin e kandidatit për Bashkimin Europian dhe për t’u dhënë qytetarëve shqiptarë perspektivën e qartë të një Rilindjeje Shqiptare.

100 vjetori e gjen shtetin shqiptar pa shtet në shërbim të qytetarëve, pa pushtet gjyqësor në mbrojtje të lirive, të drejtave dhe të interesave të tyre private e publike.

Në daljen e parë publike në intervistë kryeministri i vendit ka dëshmuar hapur egërsinë e pushtetit ekzekutiv ndaj drejtësisë mu në vigjiljen e seancës gjyqësore që do të japë vendimin për ish zëvendësin dhe aleatin e tij pas një skandali korrupsioni turpërues për Shqipërinë, për shtetin shqiptar dhe për çdo shqiptar pa dallim. Ai ka goditur më një gjuhë mafioze prokurorinë duke e akuzuar për mashtrim të parlamentit dhe ka paralajmëruar arkivimin e çështjes duke dhënë provën e radhës të kontrollit absolut mbi pushtetin e korruptuar gjyqësor. Ne kemi mbajtur për këtë çështje të rëndë qendrimin që do mbante çdo forcë politike europiane duke ia lënë drejtësisë të thotë fjalën e saj, por tanimë është dita për të thënë se s’kemi asnjë iluzion. Pas 100 vjetësh pavarësi dhe dy dekadash liri Shqipëria s’ka asnjë lloj barazie para ligjit dhe gjykatat e saj janë bërë varrëmihëset e drejtësisë dhe ushqyeset e kulturës së pandëshkueshmërisë.
100 vjetori e gjen shtetin shqiptar në udhëkryqin fatal mes rrugës qorre të një diktature bjelloruse të faktit të kryer dhe rrugës së Shqipërisë si gjithë Europa.

Ne jemi të vendosur ta udhëheqim Shqipërinë në rrugën drejt Europës. Dhe ky Grup parlamentar është zëdhënësi i fuqishëm i ëndrrës së Shqipërisë si gjithë Europa. Axhenda ambicioze e Grupit për këtë vit ka në boshtin e vet kontributin që duam të japim për modernizimin e shtetit, për demokratizimin e insitucioneve, për përshpejtimin e procesit të integrimit europian. Ne do të mbajmë deri në fund peshën e përgjegjësisë sonë për këtë proces dhe do të përpiqemi deri në fund për të mos lejuar dështimin e ripërsëritur të aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. Kundërshtarët tanë politik flasin tërë ditën për integrimin, po bëjnë përditë të kundërtën e asaj që thonë duke i rënë ndesh procesit të integrimit dhe shkërmoqur dita ditës shtetin shqiptar. Për ta integrimi është fasada propagandistike pas së cilës gëlon padrejtësia e kthyer në sistem, hajdutëria e kthyer në rutinë, paaftësia e kthyer në sëmundje. Ndërsa për ne Shqipëria Europiane është arsye e të qenit tonë politik, shtysa e të menduarit tonë politik, burimi i politikave tona të reja. Ne e duam Shqipërinë si gjithë Europa prandaj rezistuam dy vjet me mundime e sakrifica të mëdha për votën e lirë duke marrë mbi vete edhe shumë baltë e mllefe gjithfarë në kushtet kur askush nuk donte të besonte tek e vërteta jonë e madhe që zgjedhjet në Shqipëri vidhen, dhe pa i dhënë fund vjedhjes së zgjedhjeve të këqiat vetëm do të shtohen. Koha dhe fakti buçitës i vjedhjes ditën për diell të zgjedhjeve në Tiranë na dhanë të drejtë. Sot askush në botë s’dyshon në të vërtetën e hidhur se Shqipëria s’arrin dot të bëjë zgjedhje normale. Prandaj dhe ne jemi rikthyer në rrugën e ndërtimit të një politike të re prej ku na ndau brutalisht krimi elektoral i qershorit 2009 sepse s’jemi më vetëm dhe as të vetmit që te zgjidhja e problemit të rëndë të zgjedhjeve shohim vijën ndarëse mes Shqipërisë jashtë Europës ku jetojmë sot dhe Shqipërisë Europiane ku duam të jetojmë nesër. Duke filluar nga zgjedhjet e lira e të ndershme për të cilat jemi në tryezën e reformës zgjedhore.

Nëse në 100 vjet shtet dhe 20 vjet liri s’kemi arritur ende t’u japim shqiptarëve lirinë dhe të drejtën e plotë të votës që Kushtetuta ua njeh po pushteti ua shkel. Ne duam ta kthejmë këtë vit të 100 vjetorit të Pavarësisë në vitin e ndarjes përfundimtare me realitetin e zgjedhjeve të vjedhura për të vjedhur Shqipërinë. Duam një reformë reformë zgjedhore brenda afatit të përcaktuar. Duam një reformë zgjedhore që të adresojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR për të zgjidhur problemin e vjetër të vërtetësisë e të transparëncës së listave zgjedhore që të mos manipulohet më me to. Problemin e identifikimit të zgjedhësve që të mos votohet dot më me karta fallco apo me dhjetëra herë nga i njëjti zgjedhës. Problemin e numërimit të votave që të mos përsëriten më shfaqjet e shëmtuara të numërimeve maratonë. Problemin e administratës zgjedhore që procesi i komisionimit të zgjedhjeve të mos jetë më monopol i dy partive të mëdha dhe që KQZ-ja të mos jetë më bandë qeveritare. Por duam edhe një reformë zgjedhore që të adresojë domosdoshmërinë e rishikimit të sistemit qoftë duke e prekur, qoftë duke mos e prekur Kushtetutën e vendit. Me rishikim të sistemit nuk nënkuptojmë ndryshimin po përmirësimin e tij në funksion të një demokracie më përfaqësuese të mozaikut politik të vendit dhe pikërisht për këtë arsye kemi qenë, jemi dhe do të jemi të njëzëshëm si koalicion opozitar në këmbënguljen tonë në këtë drejtim.

Të parit të palës tjetër i kujtoj se më shumë se 100 herë ka deklaruar publikisht se do të pranojë çdo kërkesë që opozita do të bëjë për sistemin. S’është as e para dhe as e fundit herë që zotëria gënjen. Këtë punë bën çdo ditë dhe për çdo gjë. Por në këtë rast është në emër të interesit kombëtar dhe publik të Shqipërisë që unë i bëj sot apel për ta konsideruar përmirësimin e sistemit si një punë dobiprurëse për vendin, shoqërinë, politikën shqiptare. Ne e duam Shqipërinë si gjithë Europa prandaj do vazhdojmë të punojmë intensivisht edhe për miratimin në kohën e parashikuar, por me cilësi të ligjeve që kërkojnë 3/5-tat e votave të parlamentit. Draftet e përgatitura nga qeveria, kryesisht korrigjime të nxituara të ligjeve ekzistuese janë si batanije të vjetra ushtarake të mbushura me arrna. U bë një punë e mirë edhe pse e pamjaftueshme me kodet që kaluam fundvitin e shkuar. Grupi ynë i punës po punon përditë me projektet që do të miratohen në vijim për të cilat ne do të japim votën tonë duke kërkuar vijimësisht që deri në sallën e Kuvendit ato të kalojnë përmes një procesi transparent gjithpërfshirës.

Spikeres së Kuvendit që dje kishte lëshuar një nga hartimet e saj të rradhës për shtypin, i them merre shtruar dhe më mirë mos i fut fare hundët në këtë punë. Ju s’dini të bëni as ligjet që i duhen Shqipërisë për të qenë europiane dhe as proceset e domosdoshme gjithpërfshirëse pa të cilat s’mund të ketë ligje siç na duhen. Prandaj na e lini ne të paktën këtë punë që vetëm s’e bëni dot në mënyrën tuaj “dru me pre”. Dhe mos kini asnjë merak se mund të prishim marrëveshjen me ju, sepse ne marrëveshjen s’e kemi me ju, po me shqiptarët që duan Shqipërinë europiane dhe me Europën që na ka thënë çfarë, krejt shkoqur, kërkon nga Shqipëria.
100 vjetori i shtetit shqiptar e gjen Shqipërinë në krizë ekonomike dhe me një qeveri që ka përgjegjësinë e rëndë të thellimit të vijueshëm krizës. Pas 100 vjetësh pavarësi dhe 20 vjetësh liri Shqipëria jeton realitetin e një pasurie kombëtare dhe publike të sulmuar përditë nga një qeveri grabitqare e dalë me zgjedhje të vjedhura. Ndërsa shqiptarët jetojnë realitetin e një ekonomie ku 5% e tyre zotërojnë më shumë se gjysmën e pasurisë së vendit dhe paguajnë për shtetin më pak se 95% e popullit shqiptar. Për ne socialistët ky vit kaq simbolik është viti i rrugës së programit tonë të ri “Për një Rilindje Shqiptare”, për të rimëkëmbur ekonominë, për të ripërtërirë shoqërinë, rivendosur demokracinë dhe ribashkuar Shqipërinë me Europën. Sot shqiptarët duan të dinë prej nesh, jo ato që tanimë i dinë edhe më mirë se ne, për keqqeverisjen e Saliut që e kanë në kurriz, po si do ua rimëkëmbin ne ekonominë. Ne do t’ ua tregojmë këtë gjatë gjithë këtij vitit simbolik në rrugën e programit tonë, ku do të takohemi me ta në çdo qytetet e fshat. Do t’ju kërkojmë ndihmë për ta bërë programin sa më të qartë dhe realist.

Duan të dinë si do ta bëjmë ne Shqipërinë më të drejtë, ku kush fiton më shumë të paguajë më shumë, kush fiton më pak të paguajë më pak, kush nuk arrin të fitojë dot asgjë të mos paguajë asgjë. Ne do ta tregojmë si do ta bëjmë këtë dhe do të kërkojmë të na tregojnë historitë e tyre për ta bërë sëbashku Shqipërinë e drejtë dhe solidare që i duhet çdo shqiptari.
Duan të dinë se pse ne ndryshokemi nga këta që sot po e batërdisin këtë vend me vjedhje e me gënjeshtra? Çfarë kemi mësuar ne nga gabimet e dikurshme të kësaj force të madhe politike në qeverisje apo edhe nga gabimet e opozitës? Si kemi ndryshuar ne Partinë Socialiste për të ndryshuar Shqipërinë?

Ne do t’ua tregojmë të gjitha këto me zemër të hapur, me modestinë dhe pasionin që ata duan të shohin tek ne kur ne flasim për punët e Shqipërisë. Ata duan të dinë shumë gjëra prej nesh, për çka është shkruan në programin tonë ” Për një Rilindje Shqiptare” dhe për çka ne mishërojmë si bartësit e këtij programi. Ne do ta përshkojmë rrugën e programit me këtë vetëdije dhe do të ofrojmë në fund të kësaj rruge një kontratë, të hapur dhe të qartë, të gjithë shqiptarëve që duan Një Rilindje Shqiptare pas 100 vjetësh shtet jashtë Europës.
Do të kontribuojmë edhe për kremtimin e 100 vjetorit me një plan tonin që do ta bëjmë publik aq më tepër pasi të shohim sesa qesharake janë idetë e hedhura nga qeveria që të kujtojnë kohën e regjimit totalitar për nga butaforizmi propagandistik dhe për nga shija bajate e kulturës së vjetër komuniste. Si fillim do i propozoja qysh sot qeverisë që ta ndryshojë VKM-në që përcakton se fotografia e Presidentit të Republikës duhet të vendoset në çdo zyrë të lartë të shtetit dhe të administratës shtetërore, për t’i dhënë fund banalizimit të skajshëm që është bërë me këtë normë, të respektuar sipas qejfit apo sipas konjukturave politike, me fotografinë e presidentit të radhës. Dhe për të vendosur njëherë e mirë dhe përgjithmonë, në vend të portretit të radhës, portretin e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit. Jam besimplotë që ky grup ku ndërthuren më së miri eksperienca e më të moshuarve me energjinë e më të rinjve, është përditë e më shumë në lartësinë e misionit të zëdhënies së Shqipërisë që nuk jeton në oborrin e pushtetit, Shqipërisë që do punë, siguri, barazi para ligjit, drejtësi sociale, shërbime publike të denja për një vend europian, për një administrim europian të gjësë publike dhe me radhë gjithshka që sot mungon. Jam po ashtu besimplotë se çdo deputet e deputete e këtij grupi, ka të gjithë mençurinë, diturinë dhe vullnetin që lypset për të qenë në lartësinë e këtij viti simbolik dhe për ta bërë përditë me fjalë, sjellje dhe veprime, dallimin e madh në sytë e shqiptarëve mes nesh që duam të qeverisim për ta bërë moderne dhe të mirëqenë Shqipërinë dhe atyre që nuk e lëshojnë pushtetin për ta vjedhur e gjunjëzuar Shqipërinë.

Ju uroj të gjithëve të bëni më të mirën për vendin dhe për familjen tonë politike, duke dhënë ende më shumë nga vetja për interesin e përbashkët.

Më lejoni në fund, t’ju sjell sot mesazhin e familjeve të dëshmorëve të 21 janarit, të cilat pata nderin t’i vizitoj në fundvitin e shkuar dhe t’u uroj dhe në emrin e të gjithëve ju dhe të gjithë familjes tonë politike, çdo të mirë të kësaj bote për këtë vit dhe për të gjitha vitet që do vijnë; “Mos harroni 21 janarin!”.

Ne nuk do ta harrojmë kurrë 21 janarin deri kur të bëhet drejtësia, që do të qetësojë shpirtrat e atyre katër burrave të pafajshëm dhe lehtësojë plagët e tmerrshme të atyre katër familjeve të këputura shqiptare. Përsëris sot, edhe në emër të tyre, apelin Prokurorisë që të mos tërhiqet nga presionet mafioze dhe të bëjë detyrën që i ngarkon Kushtetuta dhe ligji, pavarësisht pengesave të ditura apo të paditura, pavarësisht gjurmëve të fshira dhe provave të manipuluara nga vrasësit dhe nga urdhëruesit e tyre. Pavarësisht qershorit kërcënues, ku ai që ka përgjegjësinë e plotë shtetërore dhe politike për ato vrasje, mund të marrë edhe institucionin e Presidentit të Republikës për të përmbyllur projektin e demokracisë së kontrolluar shtetërisht në Shqipëri. Asgjë nga këto s’mund ta frenojë Prokurorinë në zbardhjen e vrasjeve të 21 janarit. As fakti që të gjitha përpjekjet e organit të akuzës përplasen në murin e pushtetit të korruptuar dhe kontrolluar gjyqësor, s’mund ta frenojë Prokurorinë për nxjerrjen para gjyqit të vrasësit të 21 janarit dhe urdhëruesit e tyre. Populli shqiptar meriton të dijë të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe gjithë të vërtetën për 21 janarin. Koha shqiptare e drejtësisë, vërtetë ka ngecur në vend, por kursesi përgjithmonë.

Prokuroria duhet të bëjë detyrën e saj dhe t’ia lërë kohës së drejtësisë të bëjë të sajën, nëse dhe 21 janari përfundon siç kanë përfunduar, apo duket se mund të përfundojnë, procese të tjera të mëdha të krimit shtetëror në Shqipëri. 21 janari tjetër po vjen dhe vrasësit e tij po enden të lirë nën uniformën shtetërore, ndërsa urdhëruesit e tyre vazhdojnë të sundojnë dhe të vjedhin Shqipërinë, madje duke u krenuar për ato vrasje. Por, unë jam i bindur si për ditën për diell që shoh çdo ditë, se sado të vonojë drejtësia për 21 janarin, ajo nuk do t’i mungojë asesi një ditë Shqipërisë.

Për këtë 21 janar, siç është në traditën e shqiptarëve, ne do të bëjmë bashkë me familjarët e të katër të vrarëve ceremoninë e përvjetorit të parë të ndarjes së tyre nga jeta, me një homazh ku janë të mirëpritur të gjithë ata që duan të marrin pjesë për të vënë lulen e tyre në respekt të katër dëshmorëve të 21 janarit dhe sigurisht në kërkim të drejtësisë së munguar, për sot e për përgjithmonë, për familjen e tyre dhe për brezat që vijnë.

KOMENTE