Ish-ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni, Philip Reeker sipas një dokumenti të cilin e ka publikuar Wikileaks, i ka shkruar sekretares së shtetit Hillary Clinton që t’i thotë kryeministrit Nikolla Gruevski se grekët kurrë nuk do të pranojnë termin "Maqedonas" dhe "Maqedonisht".
Gruevski, partia e tij VMRO-DPMNE në tërësi dhe shumë mediume, potencojnë se çfarëdo vendimi për emrin patjetër duhet ta përmbajë ruajtjen e identitetit maqedonas, duke pohuar se grekët dëshirojnë t’ua ndryshojnë gjuhën dhe nacionalitetin, thuhet në telegramin e Reekerit.
Problemi qëndron në faktin se është thuajse e pamundshme që qeveria greke kurdoherë të pajtohet në çfarëdo dokumenti ku qytetarët e këtij vendi do të quheshin maqedonas dhe gjuha maqedonisht.
Nëse ka përparim në bisedime, ky problem patjetër duhet të zgjidhet. Ju rekomandoj t’i thoni Gruevskit se ne me përkushtim e shohim këtë çështje, por në fund emri për të cilin do të arrihet marrëveshje dhe mënyra e përdorimit të tij do të ishin fokusi i vetëm në çfarëdo marrëveshje të arritur.
Sipas Reekerit finesa diplomatike është një koncept që siç duket është i huaj për maqedonasit.
Ndryshe gjatë ditës së mërkurë në Maqedoni pritet të arrijë për vizitë ish-ambasadori Reeker, vizita e të cilit konsiderohet mjaft e rëndësishme në prag të samitit të ardhshëm të NATO-s që do të mbahet në Çikago.
marrë nga: Zhurnal-Shkup