English

Deklarimi i pasurisë së zyrtarëve dhe deklarimi e të ardhurave të qytetarëve

Deklarimi i pasurisë së zyrtarëve dhe deklarimi e të ardhurave të qytetarëve janë dy mekanizma të ndryshëm ligjorë, por që kanë një vlerë të rëndësishme për shmangien e korrupsionit në administratën publike dhe uljes së informalitetit në ekonominë shqiptare.

Këto dy ligje ndryshojnë nga objekti, subjekti dhe nga institucioni që është përgjegjës për zbatimin e tyre.

Ligji “Për deklarimin e pasurive”, i cili menaxhohet nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), ka subjekte vetëm zyrtarët e lartë dhe të mesëm drejtues në administratën publike, si edhe të zgjedhurit, të cilët deklarojnë të gjithë pasurinë dhe burimet e krijimit të saj.

Ligji “Për të ardhurat tatimore”, i cili menaxhohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, përfshin një kategori më të gjerë subjektesh, pra të gjithë qytetarët që kanë një të ardhur vjetore mbi një shumë të përcaktuar. Por ka një objekt më të kufizuar; deklarohen vetëm të ardhurat e përfituara gjatë një viti.

Ndryshimet e fundit në ligjin tatimor, pikërisht ato që detyrojnë qytetarët të plotësojnë formularët e të ardhurave, kanë për qëllim rritjen e transparencës në sigurimin e të ardhurave të qytetarëve. Por, nga ana tjetër, edhe ILDKP-ja sheh përfitimet e saj të drejtpërdrejta në zbatimin e këtyre dispozitave.

* * *

Në praktikën e përditshme, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive vihet përballë situatave të dyshimta korruptive në zyrtarë të niveleve të ndryshme të administratës publike. Kapacitetet investiguese të institucionit, të cilat janë forcuar nga viti në vit, kanë detyruar zyrtarët që abuzojnë me detyrën publike t’i largohen formës klasike të fshehjes së pasurisë, pra mosdeklarimit të tyre.

Tanimë po vërehet një fenomen gjithnjë e në rritje i zyrtarëve që deklarojnë pasuri të krijuara nga “huamarrje” apo “dhurata” nga familjarë ose persona të tretë. Natyrisht, nuk është vendi për përgjithësime. Por disa situata tipike janë trajtuar me përparësi dhe është krijuar bindja e arsyeshme se pasuritë e deklaruara në formë dhurate apo huamarrje janë rrjedhojë e drejtpërdrejtë e veprimeve korruptive.

Kuadri ligjor i deritanishëm ka një boshllëk thelbësor në këtë çështje. Përveç zyrtarëve që janë subjekte të ligjit për deklarimin e pasurisë dhe personave që merren me biznes, askush nga qytetarët e tjerë nuk ka deklaruar të ardhurat e tij. Pra, shumë prej atyre që kanë ofruar “dhurata” apo “huamarrje” zyrtarëve të ndryshëm nuk mund të kontrollohen për burimin e këtyre parave. Si rrjedhojë, nuk mund të hetohen nëse realisht i kanë pasur mundësitë për të ndihmuar zyrtarët e administratës publike.

* * *

Në legjislacionin që menaxhon ILDKP-ja është përcaktuar detyrimi i “personave të lidhur” me zyrtarin për të deklaruar pasurinë e tyre. Në momentin që gjatë veprimeve investiguese, Inspektorati i Lartë krijon dyshime për burimin e të ardhurave të personave që ofrojnë dhurata apo huamarrje për zyrtarët, kërkon prej tyre të plotësojnë formularët përkatës pranë institucionit. Por ky detyrim mbetet në përgjithësi i paplotësuar, pasi nuk ka asnjë sanksion penal (përveç një gjobe minimale) për ata qytetarë që nuk ushtrojnë funksione publike, të cilët refuzojnë të deklarojnë pasurinë në ILDKP kur kërkohet nga ky institucion. Pra, në terma të thjeshtë; kushdo zyrtar që ka krijuar të ardhurave në rrugë korruptive mund të deklarojë se ka marrë dhurata apo ka marrë hua pa interes te persona të ndryshëm dhe Inspektorati i Lartë nuk mundet t’i shkojë deri në fund hetimit administrativ. Qytetarët jozyrtarë kanë pranuar të paguajnë shumat minimale të gjobave për refuzim për deklarim, duke krijuar mundësi reale për legjitimimin e veprimeve korruptive të zyrtarëve të lidhur me ta. Gjatë vitit 2010 dhe 2011, ILDKP-ja ka pasur shumë raste të kësaj natyre, kryesisht në nivele të larta të administratës dhe në sistemin e drejtësisë, të cilat nuk ka arritur t’i përfundojë për shkak të këtij handikapi ligjor.

Janë propozuar amendimet përkatëse në ligj, pikërisht për të eliminuar këtë mundësi abuzimi dhe pritet të miratohen së shpejti. Ndërkohë, paralelisht me ndryshimet e mundshme në ligjin “Për deklarimin e pasurisë” dhe për “Konfliktin e interesave”, zbatimi i deklarimit të të ardhurave të qytetarëve në organet tatimore, minimizon mundësitë e korrupsionit gjithnjë e më shumë. Qytetarët që, deri më tani, marrin përsipër të mbulojnë aferat korruptive të zyrtarëve, do ta kenë më të vështirë të vijojnë veprimet e tyre antiligjore, pasi të ardhurat e tyre do të jenë objekt kontrolli nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Pra, do të jetë lehtësisht e verifikueshme nëse qytetarët kanë mundësi financiare t’u bëjnë dhurata apo t’u japin hua zyrtarëve.

Nëse do të ndjekin sërish rrugën e mashtrimit ndaj organeve shtetërore, ndëshkimi penal është i sigurt që do të ndodhë për të dyja palët; për zyrtarët që mundohen të fshehin korrupsionin pas dhuratave të personave të afërt dhe për qytetarët që shërbejnë si mbulesa për ata që abuzojnë me pushtetin publik.

Aktet korruptive janë veprime të kryera në bashkëpunim, çka do të thotë se edhe veprimi antikorruptiv është një aksion ndërinstitucional. ILDKP, në bashkëpunim me organet tatimore dhe në përgjithësi me agjencitë e tjera ligjzbatuese, tashmë kanë mekanizma më të fuqishëm në administrim për të përballuar këtë sfidë të vështirë.

Autori: Inspektor i Përgjithshëm i ILDKP-së

KOMENTE