English

FRESSH, një takim për të ardhmen

FRESSH është një lajm i gëzuar për familjen tonë të madhe politike dhe e bën edhe më të gëzuar kremtimin e 20 vjetorit të Forumit Rinor Eurosocialist.

Gëzuar ditëlindjen e këtij forumi të gjithëve! Edhe socialistëve të Kukësit, edhe socialistëve të Vlorës, edhe socialistëve të Durrësit, Kavajë, Laçit, të Fierit, të Lushnjës, të Elbasanit, Librazhdit. Edhe socialistëve të Korçës, të Tepelenës dhe të Gjirokastrës. Edhe të Përmetit, edhe të Mallakastrës, edhe të Sarandës. Edhe socialistëve të Shkodrës dhe të Malësisë së madhe. Të Pukës, Bulqizës, Burrelit, Peshkopisë. Edhe socialistëve të Hasit.

Gjithsesi për ti përmbyllur të gjithë që të mos i ngelet hatri askujt; Gëzuar nga Pandeli Majko në Nju Jork sot tek çdonjëri prej jush.

Gëzuar, nga Ilir Zela këtu në sallë tek çdonjëri prej atyre që do të donin të ishin me ju këtu me ju. Gëzuar, nga freshisti i moçëm Ndre Legisi po këtu në sallë, tek çdonjëri që ka kapërcyer për herë të parë sot pragun e shtëpisë së të rinjve socialistë e progresistë të Shqipërisë. Gëzuar dhe faleminderit organizatorëve për ftesën që më bënë për ta përshëndetur këtë takim.

Në sytë e mi ky është një takim për të ardhmen me ndjenjën e krenarisë legjitime për arritjet e bukura të së shkuarës dhe të shqetësimit për problemet e rënda të së sotmes. Prandaj lejomëni që t’ju them disa fjalë për të sotmen dhe të ardhmen. S’kam mësime për t’ju dhënë, po vetëm disa mendime për të ndarë me ju. Kur isha në moshën tuaj dhe prindërit më jepnin mësime, mbyllja sytë e thosha me vete “Aman, mbaroni shpejt e në u bëfsha ndonjëherë prind s’do ta bëj kurrë me fëmijën tim atë që bëni ju me mua”. Ata gjithnjë më thoshin “Mos i mbyll sytë po dëgjo dhe kur të bëhesh prind do të na japësh të drejtë”.

Ka kohë që unë u kam dhënë të drejtë, por prapëseprapë djalit e vajzës sot nuk u kërkoj të më japin medoemos të drejtë po vetëm të më dëgjojnë, kur kam diçka për t’u thënë. Jo sepse s’u druhem gabimeve që mund të bëjnë, po u druhem më shumë gabimeve që unë mund të bëj kur flas me ta. Një njëzetvjeçar sot, siç janë shumica ndër ju këtu, po siç është edhe vetë për koinçidencë kjo organizatë rinore që sot mbush 20 vjet, jeton në një botë tjetër nga bota e njëzet viteve të para të gjeneratës sime. Kur unë isha sa ju, njëzet vjeç, ne jetonim në një botë që s’kishte liri. S’kishte lidhje me të gjallët e botës matanë kufijve të mbyllur të Shqipërisë. S’kishte lidhje me librat, pikturat, filmat, muzikën, arkitekturën e me radhë të gjitha shprehjet e panumërta të lirisë së mendimit njerëzor jashtë bunkerit ku na mbante kyçur me pahir diktatura komuniste. Po dallimi mes nesh atëherë e juve sot s’është vetëm kaq. Sepse edhe vetë ajo botë matanë është transformuar edhe ajo aq rrënjësisht në përmbajtje e në formë sa që është e pamundur të bëhet çfarëdo krahasimi mes asaj që ishte atëherë bota dhe asaj që është sot. Sot ju jetoni jo vetëm në një realitet krejt të ndryshëm shqiptar në të mirë e në të keq po edhe në një botë të madhe e cila bëhet përditë e më e vogël, falë ndërvarësisë së gjithanshme që ka imponuar transformimi i furishëm global. Ju merrni vesh në kohë reale çfarë ndodh në çdo pjesë të globit. Merrni informacion të pambarimtë përmes ekraneve të panumërta të televizioneve, internetit dhe rrjeteve sociale. Shkëmbeni fjalë me bashkëmoshatarët tuaj pa patur nevojë të takoheni tek Skënderbeu apo Sahati si ne njëherë e një kohë, po as të fluturoni medoemos matanë kufijve për të komunikuar me shokët jashtë shtetit sot që s’ka më kufizime lëvizjeje. Mjafton një klik dhe bota hyn e gjitha në ekranin e kompjuterit apo të celularit tuaj. E pamë të gjithë fjala vjen se si të shtypurve në botën e diktaturave gjakatare arabike, u mjaftoi celulari për të kapërcyer murin e censurës dhe për të dalë, brenda sekondës matanë kufijve të ferrit ku popuj të shtypur mbaheshin me dhunë të kyçur goje e të lidhur këmbësh. Nëse dikush do të na thoshte ne atëherë se një ditë do të jetonim në këtë botë që kemi sot do të na dukej i dalë mendsh. Por më e bukura është se ky ndryshim marramendës jo vetëm s’ka mbaruar, po është ende në fillimet e tij. Ashtu siç dukeshin të pamundura dikur këto që shohim e mësojmë sot rretherrotull falë lidhjeve virtuale me botën ku çdo mur është kthyer thjesht në një rrjetë të depërtueshme, ashtu do të jenë të mundura nesër, e jo nesër pas një shekulli, por nesër shumë shpejt vit pas viti, gjëra e lidhje të reja që sot as nuk i imagjinojmë dot. Ky është një ndryshim fantastik dhe koha që kemi përpara na rezervon pa më të voglin dyshim surpriza fantastike si njerëz të kësaj bote në transformim të përminutshëm.

Po më anë tjetër ju gjendeni sot në mes të një vorbulle të trazuar që sa ju tërheq lart me të rejat e botës globale, aq ju thith poshtë me prapambetjen e realitetit të përditshëm të vendbanimit, shkollës, jetës përtej derës së universitetit. Nëse ndërvarësia globale sjell për ju çdo ditë të reja tërheqëse, përditshmëria lokale ju mban peng me boshllëkun e saj shkurajues. Televizori dhe rrjetet sociale janë bërë vendi ku ju arratiseni përditë për ta plotësuar boshllëkun e mundimshëm e shpesh edhe dëshpërues të jetesës në Shqipërinë e prapambetur.

Ndryshimet e Shqipërisë së këtyre njëzet viteve lirie kanë qenë të mëdha, por s’kanë sjell fatkeqësisht edhe shkolla ku të jetohet me kohën e re të botës së lirë. Librat e shkollës nuk janë në lartësinë e sfidës së një mësimdhënieje bashkë kohore që ka për detyrë ta zgjojë dhe ta mbajë gjallë interesin tuaj për dije si njerëz të një bote të re që nuk mund dot të konformoheni me kornizat e kësaj bote të vjetër. E po ashtu kjo mësimdhënie nuk arrin dot t’i pajisë me energjinë dhe dijet që ju duhen në atdheun e së nesërmes. Dhe atdheu i së nesërmes është Shqipëria, por është edhe Bashkimi Europian.

Mësuesit nuk janë në gjendje t’u përshtaten kërkesave tuaja siç me të drejtë ju do të donit, sepse janë të mbytur në vështirësitë ekonomike e sociale të jetës së tyre të përditshme familjare. Mjedisi shoqëror në komunitet nga ku shumëkush nga ju është nisur sot për të ardhur këtu dhe ku do të kthehet përsëri në mbrëmje nuk është stimulues për energjitë tuaja pozitive, ashtu i zhytur siç është në fukarallëk e në papunësi në pjesën dërrmuese të qyteteve të Shqipërisë së periferive e thuajse kudo në fshatin shqiptar. Ndërkohë dhe shumë fatkeqësisht energjitë negative të të jetuarit shoqëror shumëfishohen si bari i keq për arsye të panumërta me të cilat s’merret askush. Universitetet tona s’kanë pothuajse asgjë të përbashkët me institucionet simotra të botës së zhvilluar, në gjirin e së cilës Shqipëria përpëlitet gjysmë në terr e gjysmë në dritë pa mundur të dalë në dritën që meriton. Aktiviteti kulturor e social në shkolla e në komunitete është kaq i varfër e arkaik sa nuk josh dot askënd më shumë se sa kafenetë e bingot e mbushura plot e përplot me të rinj që vrasin kohën.

Dhe politika që bën përditë lajmin e parë në çdo ekran e në çdo gazetë nuk ka dinjitet në sytë tuaj, e jo më pastaj magnetin që të mund t’ju tërheqë drejt saj siç tërheq miliona e miliona bashkëmoshatarë tuajt në botën e lirë. Më keq akoma, politika nuk ka munguar asnjëherë në gjithë këto vite t’ju japë shembullin e keq, mësimin e gabuar, modelin më të mbrapshtë të të jetuarit në kushtet e botës së re. Por kjo fjalë e imja nuk është një leksion për kompleksitetin e të jetuarit në botën globale.

Dua vetëm t’ju them sot se pa ndryshuar politikën asgjë tjetër s’do ndryshojë dot sa dhe si duhet në mjedisin e përbashkët për ju të gjithë, e për çdo të ri të këtij vendi që meriton të ketë vendin e vet në këtë shoqëri.

Pa ndryshuar politikën askush prej jush s’mund ta ndryshojë dot realitetin e vështirë dhe shpeshherë të padurueshëm të së përditshmes së vet në shkollë, në lagje, në komunitet, në shoqërinë ku jetojmë.

Pa ndryshuar politikën gjenerata juaj as mund të jetojë dot nesër në një atdhe më të mirë dhe as mund të gjejë vendin që meriton në bashkësinë e lirë të popujve europianë.

E unë dua t’ju siguroj se politika nuk është kjo që shihni përditë dhe data – ditës, e cila ju zhgënjen e neverit me shterpësinë e me pisllëkun e saj. Përkundrazi, politika është në të vërtetë diçka krejt tjetër, fisnike dhe e aftë për të prodhuar transformime që s’do kishin ndodhur kurrë në historinë e njerëzimit pa fuqinë e saj.

Në vitet e veta më të mira FRESSH-i dha një kontribut të admirueshëm për ta bërë politikën më të dëgjueshme dhe më të vëmendshme ndaj të rinjve. Sot RE:FRESSH-i është mundësia e re e gjeneratës suaj për të guxuar dhe për ta ndryshuar politikën, duke e bërë atë më të mirë me ju dhe me gjithë shqiptarët. Kam dëgjuar shpesh të rinj që thonë nuk merrem me politikë apo më keq, s’dua t’ia shoh surratin dhe t’i dëgjoj as zërin politikës.

Gabim.

Sepse politika ndërkohë merret përditë me ju e me secilin që kujton se i shpëton duke mos u marrë me të. E sa më pak ju të merreni me politikën, aq më shumë do t’i vuani në lëkurë mëkatet e gabimet e saj. Të merresh me politikë s’do të thotë të braktisësh ëndrrat e tua për t’u bërë një ditë çfarë dëshiron duke bërë atë që ke më shumë pasion. Jo, do të thotë vetëm që ëndrrës tënde t’i japësh fuqinë mbështetëse të vendimmarrjes duke dhënë kontributin tënd si qytetar, që politika të bëhet e aftë të dëgjojë e të veprojë në funksion të interesave të kombit tënd, të shoqërisë tënde dhe të tuat si individ. Të merresh me politikë do të thotë të bësh të mundura bashkë me të tjerët gjëra që sot i vetëm askush s’i bën dot të mundura në mjedisin ku jeton. Të bësh të mundura ato ndryshime për të cilat ju keni nevojë në shkollë, po askush i vetëm nuk i bën dot të mundura. Të bësh të mundura ato ndryshime për të cilat ju keni nevojë në komunitet po askush i vetëm nuk i bën dot të mundura. Për këtë ka lindur politika. Për të bërë të mundura gjëra që njerëzit vetëm nuk i bëjnë dot. Dhe për ti bërë të mundura për të gjithë dhe për secilin.

Të merresh me politikë do të thotë të dëgjohesh. E drejta e fjalës është një e drejtë jetike, por është e mangët pa të drejtën për tu dëgjuar. Sepse mund të flasësh e të flasësh po kush të dëgjon. E politika duhet të dëgjojë e për ta bërë politikën që të të dëgjojë nuk mjafton vetëm zëri yt, por duhet një korr i madh zërash që njësoj si ti e kërkojnë dëgjimin e saj.

Të merresh me politikë do të thotë të respektohesh. Të vlerësohesh si qytetar, me liri e të drejta kushtetuese. Si njeri me interesa private, publike e sociale. Si pjesë e një grupi apo e një kategorie shoqërore që kërkon zgjidhje për problemet e veta.

Të merresh me politikë do të thotë të kërkosh të shërbehesh denjësisht nga shteti, nga institucionet, nga të zgjedhurit, ashtu siç ti mendon se e meriton.

Të merresh me politikë do të thotë të luftosh bashkë me të tjerët kundër padrejtësive që prekin popullin apo grupin tënd shoqëror pa pritur që padrejtësia të të godasë ty vetë personalisht.

Të merresh me politikë do të thotë të refuzosh gënjeshtrën publike, cinizmin e autoriteteve zyrtare, skarcitetin e shërbimeve shtetërore duke bashkuar zërin tënd të dobët me zërin e të tjerëve që njësoj si ti s’mund të bëjnë asgjë vetë, të veçuar në cepin e heshtjes së tyre.

Të merresh me politikë do të thotë t’u ngjash sivëllezërve e simotrave të tua kudo në botën e lirë të vlerave e të standardeve demokratike, e cila është ajo që është në radhë të parë e dini pse? Sepse qytetarët nuk jua lanë politikanëve në dorë fatin e tyre, por i zgjedhin për të punuar për fatin e tyre dhe të atdheut të tyre.

Të merresh me politikë do të thotë të zgjidhësh problemin e plehrave poshtë shtëpisë. Do të thotë të zgjidhësh problemin e rrugës që të çon në shkollë. Do të thotë të zgjidhës çdo problem në marrëdhëniet me këdo që përfaqëson shtetin. Të merresh me politikë do të thotë të kërkosh dhe të marrësh atë që meriton kur të takon ashtu siç të takon, pa lejuar që ta marri dikush që nuk i takon dhe duke pranuar rregullat e demokracisë.

Të merresh me politikë do të thotë të militosh për një shkollim më të mirë. Do të thotë të militosh për punësim në familjen tënde. Do të thotë të militosh për paprekshmërinë e dinjitetit tënd njerëzor dhe personalitetit tënd si individ. Të merresh me politikë do të thotë të mos e pranosh realitetin përreth ashtu siç ta imponojnë po të kontribuosh për të imponuar me zërin e shumicës ndryshimin që njësoj si ty shumica dëshiron dhe meriton. Të merresh me politikë s’do të thotë të bëhesh politikan po të bëhesh një qytetar i dobishëm për vendin e për familjen tënde sot dhe nesër. Kjo është të merresh me politikë.

Shqipërisë i duhet sot më shumë se kurrë një politikë e re. Një politikë jashtë ekraneve të televizioneve për të nxjerrë në dritë Shqipërinë, për të nxjerrë në dritë talentet dhe vlerat e njerëzve të saj kudo që ndodhen pa dallim. Pa dallim nga vijnë, pa dallim si quhen, pa dallim gjinie, pa dallim moshe, pa dallim krahine, pa dallim se të kujt janë. Si qytetarë të barabartë të një vendi që sot është i pabarabartë. Rinisë i duhet sot më shumë se kurrë një politikë e re për të bërë të mundura gjëra që përndryshe do të mbeten të pamundura në rrugën e saj. Secilit prej jush i duhet sot më shumë se kurrë një politikë e re që asnjëri ndër ju të mos mbetet mbrapa. Askujt ndër ju të mos i mohohet nesër e drejta dhe as merita. Çdonjëri nga ju të fitojë nesër atë që i takon falë dhuntive e punës së tij.

A është e mundur një Shqipëri ku të ndodhë kështu?

Ju siguroj duke ju parë drejt e në sy se po të mos e besoja që po, është e mundur, nuk do të isha sot duke folur përpara jush si Kryetar i Partisë Socialiste.

Po, padyshim po, një Shqipëri e drejtë dhe solidare me ju e me çdo njeri të zakonshëm të këtij vendi është e mundur.

Po, një Shqipëri ku shkollat të jenë siç ju i dëshironi dhe mësuesit të ndjehen siç e meritojnë është e mundur.

Po, një Shqipëri ku librat e shkollës të jenë njësoj cilësorë si në vendet e Bashkimit Europian dhe ku nxënësit e studentët të përgatiten denjësisht për t’u bërë qytetarë të dorës së parë në familjen europiane është e mundur.

Po, një Shqipëri ku kultivimi i qytetarisë europiane të kalojë përmes një jete normale ekonomike, sociale e kulturore për rininë është e mundur.

Po, një Shqipëri demokratike që të bazohet në konkurrencën e lirë e të drejtë për të gjithë dhe të respektojë meritën e gjithkujt është e mundur.

Po, po, po, një Shqipëri e pastër e dashur me të gjithë e gatshme për t’i dhënë gjithkujt barabar pjesën e vet të diellit të dijes, të punës, të pasurisë së përbashkët, të kujdesit shëndetësor e social, të sigurisë, të krenarisë kombëtare, të përkatësisë europiane është e mundur. Asgjë që është e mundur në këtë botë të re ku ne jetojmë nuk është e pamundur në Shqipërinë tonë dhe për Shqipërinë tone nëse njerëzit bëhen bashkë për ta bërë të mundur, për Shqipërinë e për veten e tyre. RE:FRESSH-i është hapësira ku ju dhe të gjithë ata si ju që duan një Shqipëri të mundësive të barabarta, të luftojë për ta bërë të mundur Shqipërinë që ëndërron. Koha vrapon dhe askush s’e ka nesër kohën që ka sot përpara për të siguruar të nesërmen e tij dhe të vendit të tij në një shoqëri më të mirë se kjo që kemi.

Ne zgjodhëm përpara disa javësh Avokatin e ri të Popullit.

Pikërisht sepse besojmë tek Shqipëria e mundësive të barabarta, ne u dhamë të gjithë atyre që e kishin atë ambicie, mundësinë për të konkurruar për t’u bërë Avokat i Popullit. Fitoi një djalë i ri që në rrugën e politikës së vjetër të lidhjeve të gjakut e të klanit politik s’do kishte dalë dot kurrë në krye, pavarësisht se ishte i ditur dhe i zoti për ta drejtuar institucionin e lartë kushtetues në interes të të gjithëve e jo në shërbim të palës që e zgjodhi.

Ky është vetëm një shembull. Një shembull i vogël. Modest. Pikë uji në shkretëtirë mund të thotë dikush. Por është shembulli që u tregon të gjithë atyre që duan ta shohin e të dëgjojnë, se cili është vizioni ynë vizioni i socialistëve të Shqipërisë së sotme për politikën si instrument në shërbim të interesave të vendit e të qytetarëve.

Shembulli që flet për si e kuptojmë sot ne socialistët e këtij shekulli rolin tonë politik dhe çfarë duam të bëjmë ne me politikën kur u kërkojmë njerëzve votën për ta mirë qeverisur këtë vend.

Shembulli që thotë pse ne dallojmë qartë nga pala tjetër në pushtet dhe sa themelor është ky dallim në interes të Shqipërisë e të shqiptarëve sot si popull me problemet e veta të përbashkëta e si individë me meritat e tyre të përveçme.

RE:FRESSH-i vjen si një thirrje kumbuese për rininë e sotme në përvjetorin e 20-të të organizatës rinore të socialistëve e të progresistëve. Si një pikëmbërritje ku gjeneratat këmbejnë stafetën duke vlerësuar njëra–tjetrën, duke respektuar njëra–tjetrën dhe duke u mbështetur tek njëra–tjetra në emër të së ardhmes. Por RE:FRESSH-i vjen edhe si një vullnet rinor i shprehur publikisht në momentin e rëndësishëm kur familja jonë e madhe politike nis drejt të gjithë Shqipërisë Rrugën e Programit të Ri të Partisë Socialiste.

Unë i ftoj sot të gjithë të rinjtë që duan ta ndryshojnë realitetin e shkollës, konviktit, komunitetit, qytetit, fshatit të tyre, të bëhen pjesë e kësaj rruge. Ne, socialistët e progresistët, duam t’i japim jetë një qeverisjeje që të angazhohet fuqishëm për ju, duke realizuar një program të guximshëm që duam ta shkruajmë dhe ta miratojmë bashkë me ju. Duam të dëgjojmë historitë tuaja, shqetësimet tuaja, mendimet tuaja për Shqipërinë sot dhe nesër. Për shkollën tuaj sot dhe nesër. Për komunitetin tuaj sot dhe nesër. Për familjen tuaj sot dhe nesër. Duam të dëgjojmë historitë, shqetësimet dhe mendimet e prindërve tuaj.
A e dini ju se sot 5% e shqiptarëve zotërojnë më shumë se gjysmën e pasurisë së vendit?
Po që 95% e shqiptarëve, ndër të cilët edhe prindërit tuaj me rroga të vogla, paguajnë për qeverinë më shumë taksa se sa pakica e vogël e atyre që bëjnë biznes e pasuri të marrë të gjithë së bashku e dini?
Më shumë akoma:
A e dini se cilido nga prindërit tuaj që është rrogëtar i thjeshtë në shtet apo tek privati, paguan më shumë taksa për qeverinë se sa kryeministri apo ministrat?
Po, kështu është. Kjo është një e vërtetë e hidhur e varfërisë apo e vështirësive që ju ndjeni përditë në familjen tuaj.
Ne duam ta ndryshojmë realitetin cinik të këtyre shifrave. Kush fiton më shumë duhet dhe do të paguajë më shumë. Kush fiton më pak duhet dhe do të paguajë më pak. Kush s’fiton asgjë nuk mund dhe nuk do të paguajë asgjë. Prandaj ne do t’i ulim taksat për të gjithë rrogëtarët e këtij vendi dhe do ta lehtësojmë barrën e detyrimeve për tregtarët e vegjël që mezi mbajnë në këmbë një biznes e ca punëtorë sa për të mbijetuar. 95% e shqiptarëve, shumica dërrmuese e prindërve tuaj, duhet të paguajnë më pak e të fitojnë më shumë dhe ne do ta bëjmë këtë për ta. Sepse bashkë me ju do të bëjmë shumicën vendimmarrëse në zgjedhjet e ardhme. Nga ana tjetër të gjithë atyre që zotërojnë pasuri e bëjnë biznese me fitime të mëdha ne do t’u themi hapur në sy, gjatë gjithë rrugës së programit tonë:
Do të paguani më shumë sepse fitoni më shumë, por ama do të shpëtoni nga kthetrat e konkurrencës së pandershme e të korrupsionit të pandalshëm që ju rrjep pa mëshirë jo në funksion të shtetit, po në emër të pushtetit dhe për xhepat e njerëzve të pushtetit.
Dhe do të dilni të fituar.
Jo vetëm sepse do të jetoni të lirë, të papenguar në rrugën tuaj nga postblloqet e korrupsionit apo nga strekëmbëshat e biznesmenëve të pushtetit. Po edhe sepse ata që sot mezi blejnë bukë dhe vezë, do të kenë fuqi të shpenzojnë më shumë duke rritur konsumin që garanton biznesi juaj dhe përmirësuar klimën sociale të vendit ku biznesi juaj nuk mundet veçse të lulëzojë. Ndërsa fëmijët tuaj që sot kanë gjithshka për vete, do të kenë atë që ju mungon dëshpërimisht. Një Shqipëri më të qetë e më të mirë ku të mund të jetojnë duke marrë frymë lirisht falë kontributeve tuaja për shtetin. Programi ynë i ri për një Rilindje Shqiptare i premton këto. Ne do ti bëjmë këto realitet.

A e dini ju se kush është i papunë, pra i pasiguruar, nuk merr dot ndihmë shëndetësore pa paguar fatura të rënda shtetërore, përveç faturës së majme të korrupsionit në shëndetësi? Ne duam ta ndryshojmë këtë. Kush nuk ka mundësi të sigurohet sepse nuk ka punë do të shërbehet pa pagesë nga sistemi publik shëndetësor, të cilin e kemi quajtur shërbimi kombëtar shëndetësor. Programi ynë i ri për një Rilindje Shqiptare e premton edhe këtë. Ne do ta bëjmë realitet këtë premtim. Sepse nuk mund të ketë një rilindje shqiptare në mes të këtij hendeku që zgjerohet përditë mes një grushti njerëzish që pasurohen çdo sekondë e më shumë. Dhe një popull i tërë që varfërohet dhe rraskapitet çdo ditë e më shumë.

Po që edhe prindërit tuaj të papunë, edhe prindërit që jetojnë vetëm me një rrogë modeste, i paguajnë qeverisë 20% taksë për çdo bukë, për çdo gotë qumësht, për çdo vezë që ju vënë në tryezë, mu njësoj si më të pasurit, e dini?
E dini që për çdo aspirinë që hyn në shtëpinë tuja apo për çdo ilaç që i duhet gjyshit a gjyshes suaj të pamundur, prindërit tuaj duhet t’i paguajnë 10% taksë qeverisë?
Edhe këtë realitet të rëndë për ata që s’kanë të ardhura të tjera përveç ndihmës ekonomike apo rrogës së vetme ne do ta ndryshojmë. Këto janë taksat e padrejta të kësaj qeverisjeje padrejtësish.
Do t’i heqim këto taksa miqtë e mi. Do t’i bëjmë zero dhe do të bëjmë kaq e shumë më tepër se kaq për ta frenuar rritjen marramendëse të çmimeve dhe për tu dhënë mundësi të marrin frymë 95% e njerëzve të këtij vendi, të cilëve ju mbahet fryma kur shkojnë të nesërmen në pazar dhe i gjejnë çmimet e rritura.
Programi ynë i ri për një Rilindje Shqiptare e thotë edhe këtë. Qeveria e rrëzoi nismën tonë në parlament për heqjen e këtyre taksave menjëherë. Ne do ta bëjmë realitet me shumicën që do të marrim sëbashku në zgjedhjet e ardhshme.

A e dinë ata ndër ju që vijnë nga fshati se çfarë barre e rëndë është për çdo prind që punon në bujqësi taksa e imputeve bujqësore dhe se sa shumë e pengon ajo taksë e rëndë fermerin shqiptar? Ne duam ta heqim taksën e imputeve bujqësore dhe duam t’i japim me politika krejt të reja fshatit shqiptar vëmendjen e buzëqeshjen që i ka humbur në errësirën mesjetare të politikës së vjetër të trajtimit të Shqipërisë rurale si të ishte një bisht fallco i buxhetit të shtetit. Këto e të gjitha ndryshimet e domosdoshme që u duhen familjeve tuaja, që ju duhen ju, që i duhen Shqipërisë për të qenë një vend normal për të gjithë, janë të shkruara në programin tonë të ri për një Rilindje Shqiptare. Por ato nisin në letër dhe bitisen në realitetin konkret vetëm nga politika. Nga politika që ka nevojë jetike sot për energjinë, pasionin, vullnetin, këmbënguljen, durimin tuaj. Nga politika që ka nevojë për një fillim të ri pas dy dekadash lirie të stërzgjatura në batakun e saj gjithnjë e më zymtues për të sotmen dhe për të ardhmen tuaj. Nga politika të cilës RE:FRESSH-i mund t’i japë dhe falë jush do t’i japë me siguri një energji të re pozitive.
Me besim e me durim.
Me mund e me punë.
Me solidaritet e me pasion RE:FRESSH-i mund të bëjë histori në Shqipërinë e etur për shpresë e për besim.

Ky është edhe viti i 100-të i shtetit shqiptar. Jam i bindur se as Ismail Qemali as Luigj Gurakuqi, as Fan Noli e as Faik Konica, as Qemal Stafa e as Sejfulla Malëshova, asnjë ndër heronjtë e mendimit e të përpjekjes sonë kombëtare, qoftë ata që ishin në njërën anë të barrikadës, qoftë të tjerët që ishin në anën tjetër të barrikadës, e që të gjithë sëbashku sakrifikuan për Shqipërinë që kishin në ëndrrat e tyre. Epo ashtu asnjëri nga ata që në vitin ’90 u ngritën kundër diktaturës komuniste, shumica në moshën tuaj, nuk do ta besonin dot që në vitin 2012 Shqipëria do kishte shtetin e stërkorruptuar, të paaftë dhe qesharak që ka sot. Jashtë Europës, në bisht të Ballkanit, pabarazi para ligjit, pa institucione publike me një minimum serioziteti. Pa arsim e shëndetësi me një minimum dinjiteti. Pa konkurrencë të ndershme askund dhe për asgjë. Pa zhvillim të qëndrueshëm dhe me papunësi të frikshme, sidomos ndër të rinjtë.

Pa asnjë vlerësim për meritën e individit pavarësisht moshës, gjinisë, përkatësisë krahinore apo politike. Madje tanimë edhe pa asnjë lloj turpi në ballafaqimin publik me gënjeshtrën e me hajdutërinë. A mund të ngjante vallë në çfarëdoqoftë ky shtet me shtetin që ëndërronin kur dolën në rrugën e përpjekjes kombëtare të gjitha ata që përmenda e shumë e shumë të tjerë. Varfëria më e tmerrshme, varfëria e aspiratave, rrënja e hidhur e të gjitha varfërive, është ulur këmbëkryq në krye të vendit dhe celebron përditë triumfin e vlerave minimale.

A e parafytyroni dot për një çast të vetëm sikur të kalojnë dhjetë apo njëzetë vjet të tjera dhe ju të ndjeheni po aq të zhgënjyer sa do të ndjeheshin sot, po ta shihnin këtë realitet etërit e pavarësisë dhe patriotët e pushkës a të penës, apo qoftë edhe sa ç’ndjehen në të vërtetë të zhgënjyer përballë Shqipërisë e shtetit që kemi ata që njëzet më parë ishin në moshën tuaj dhe dolën në rrugë duke thënë e duam Shqipërinë si gjithë Europa?

Askush të mos e mendojë se Shqipëria do të jetë pas dhjetë apo njëzetë vjetësh ajo që të gjithë duam, nëse secili nuk bën sot diçka për Shqipërinë që do duke u përfshirë në përpjekjen e madhe për ndryshimet që i duhen Shqipërisë dhe ne të gjithëve. Duke e filluar nga vetja dhe duke dhënë vetë diçka që vota të jetë e lirë, që zgjedhjet të jenë të ndershme, që demokracia të funksionojë, që ekonomia të rimëkëmbet, që shoqëria të ripërtërihet, që Shqipëria të ribashkohet me Europën siç është shkruar në testamentin e të parëve të këtij kombi.

Dhe sigurisht duke mos i ikur fushës ku ballafaqohen vizionet e alternativat për Shqipërinë, po duke u përfshirë në betejën për të ndryshuar politikën dhe vetë Shqipërinë e jetën tuaj përmes politikës.
Secili me hapin e vet.
Me fjalën e vet.
Me gjestet e veta publike. Të cilat janë shumë pak nëse secili nga ju është vetëm, por bëhen forcë e stuhishme që ndryshon drejtimin e erës nëse shumëfishohen në zemra e në mendje si tuajat anembanë Shqipërisë nga veriu në jug.

Ju sot jeni këtu për t’u përfshirë në sfidën e vështirë të RE:FRESSH-it dhe unë ju përshëndes me respekt e mirënjohje për kurajën. Shpërndajeni frymën e kësaj kurajoje aty ku jetoni. Ecni bashkë me njëri-tjetrin për aty ku dëshironi të arrini. Jepini njëri-tjetrit arsye për të qenë sot të bashkuar e të dobishëm për veten, familjen e vendin që nesër do të ndjehen me siguri më mirë nëse ju nuk e braktisni fushën e kësaj beteje, e cila pikërisht pse është shumë e vështirë është edhe shumë e domosdoshme.

Në ballkonin e shtëpisë sime vura sot në mëngjes flamurin kuqezi të Skënderbeut e të Ismail Qemalit, flamurin e pavarësisë që festojmë këtë vit. E bëra që kur të vija këtu t’ju ftoja të gjithëve ta bëni të njëjtën gjë kur të ktheheni në shtëpi dhe pastaj së bashku t’i ftojmë të gjithë shqiptarët ta bëjnë këtë gjest, me dëshirën që në 28 nëntor të këtij viti Shqipëria edhe Kosova edhe Tetova e Presheva edhe godinat ku jetojnë shqiptarët nëpër botë të gdhihen me flamurin kuqezi në çdo ballkon a dritare ku jeton një familje shqiptare. Kështu, një gjest i papërfillshëm i secilit do të kthehej në një gjest spektakolar të një populli të tërë të një kombi të tërë nëse gjithkush do ta bëjë gjestin e vet të vogël, në vetvete të padukshëm, por të domosdoshëm për ta bërë sa më madhështor gjestin e madh.

Kujt mund të rrudhë buzët e t’i duket kjo ftesë e imja si shprehje e vogëlsisë nacionaliste që nxit rëndom fjalë e gjeste të një primitivizmi patetik i them se këtë e bëjnë të gjitha kombet e mëdha kur kremtojnë 100, 150 apo 200 e më shumë vjetorin e shtetformimit të tyre. E bënë italianët fqinj jo më larg se vitin e shkuar. E bëri Franca e madhe ca vite më parë. E kanë bërë e do ta bëjnë të gjithë ata që tek flamuri i tyre nuk shohin superioritetin ndaj askujt, po identitetin e kombëtar e kulturor të bashkësisë së tyre. Historinë, amanetet, vlerat e traditës së tyre dhe sigurisht të gjitha sakrificat për të ardhmen e tyre.

Më anë tjetër, për këtë 100 vjetor të pavarësisë e të shtetit shqiptar, Partia Socialiste ka përgatitur një kartë të re anëtarësie ku shënohet viti 2012. Ju ftoj ju, dhe bashkarisht t’i ftojmë më pas të gjithë përgjatë rrugës së programit të ri për një Rilindje Shqiptare, që në këtë vit të shënuar ta merrni kartën tonë të re e të bëheni edhe anëtarë të partisë më të madhe të shqiptarëve. Të të vetmes alternativë europiane qeverisëse që ka sot Shqipëria. Për t’i dhënë Partisë Socialiste diçka nga vetja, nga ëndrrat e pasionet tuaja, nga ambicia dhe qenia juaj sociale. Dhe për ta bërë Partinë Socialiste ende më shumë instrumentin që ju duhet për ta bërë Shqipërinë që ëndërroni, që meritoni dhe që me padyshim duhet dhe do t’ja trashëgoni më pas fëmijëve tuaj.

I bashkohemi të gjithë bashkë miq të dashur edhe apelit të shoqërisë civile për ta mbrojtur Shqipërinë prej projektit ogurzi të importimit të plehrave nga jashtë, me një referendum popullor. Duke mbledhur firma nga shqiptarët e panumërt, që pa dallime partiake, janë kundër planit të qeverisë për të bërë Shqipërinë kosh plehrash të importuara nga jashtë. Sepse për një qeveri që e ka mbyllur vendin në plehra s’ka asnjë ndryshim sesa plehra më shumë shtohen, kurse për ne që duam t’i heqim plehrat që kemi është e pamundur të pranojmë plehra të tjera.

Ndërkohë unë ju premtoj solemnisht në këtë përvjetor historik të eurosocialistëve se, me të shkuar në qeveri ne do ta shfuqizojmë ligjin e turpshëm të plehrave. Do ta bëjmë Shqipërinë një vend të pastër, siç bëmë Tiranën që na e lanë të mbytur në plehra ata që sot kanë mbytur në plehra e në llum gjithë Shqipërinë. Ashtu sikundër do të bëjmë me vullnet të fortë politik e qeverisës edhe transparencën e të gjitha aktiviteteve të dyshimta ekonomike që kanë marrë bekimin e qeverisë për të grabitur pasuritë kombëtare dhe publike të këtij vendi. Për të drobitur e varfëruar Shqipërinë e popullin shqiptar duke pasuruar një kastë pushtetarësh e ortakësh të tyre në biznes. Për ta shëmtuar këtë vend të bekuar duke i gllabëruar pyjet, rrafshuar kodrat, shqyer ullishtat, ndotur plazhet, rrënuar trashëgiminë historike e kulturore. Për t’i bërë bukurive e pasurive të atdheut të Skënderbeut e të Ismail Qemalit, kërdinë që s’ia ka bërë asnjë pushtues. Ne s’do gjejmë paqe pa e përmbushur misionin tonë ndaj vendit e njerëzve të zakonshëm të tij. Asnjë shkelës i ligjit nuk do të ketë paqe nëse ka marrë atë që nuk i takon duke grabitur atë që u takon të gjithëve.

RE:FRESSH-i nuk mund të kuptohet pa bërë të tijën betejën për të rifreskuar natyrën dhe pejsazhet e krenarisë shqiptare, duke i’u kundërvënë marrëzisë së babëzisë kudo ku ajo shfaqet. Por tek e fundit, RE:FRESSH-i nuk do të mund të mbahet mend pa bërë gjithçka mund të bëjë një rrjet vullnetarësh të rinj në mbrojtje të lirisë e të demokracisë. Për zgjedhje të lira e të ndershme në radhë të parë, po jo vetëm, nuk mund të ketë liri dhe demokraci.

Në fund të javës që nis nesër, ne do të përkujtojmë tragjedinë e 21 janarit duke nderuar të vrarët nga pushkët e shtetit me një homazh qytetar në orën 11.00 në vendin e tragjedisë. Hekuran Deda, Faik Myrtaj, Aleks Nika dhe Ziver Veizi u vranë pabesisht nga shteti që duhet të garantonte jo vetëm lirinë e të drejtën e tyre për të protestuar, po edhe për të votuar, për të punuar e për të kërkuar të mirëqeverisen si qytetarë të lirë në mes të Europës. Ata dëshmorë, njësoj si të njëqindmijë protestuesit e asaj dite, ishin të vjedhur në votën e tyre. Të mohuar në të drejtën e tyre për punë. Të përbuzur në dinjitetin e tyre qytetar nga një qeveri që vodhi zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë. Një qeveri që madje kur u kap duke vjedhur edhe me zë e me figurë, me duart e vetë zëvendëskryeministrit, u tall keq me të gjithë shqiptarët. I tha një populli të tërë atë që pe nuk e pe, atë që dëgjove nuk e dëgjove. Shqipëria po ndryshon.

I vrau të katër dëshmorët e përpjekjes qytetare duke shkelur çdo normë të familjes shqiptare dhe europiane. Mund të kishte vrarë edhe shumë më shumë se katër, mund të kishin qenë edhe prindër nga tuajt, nëse dora e Zotit nuk do të kishte mbrojtur shumëkënd që ishte aty i paarmatosur, mes plumbave të shtetit që qëllonin në lartësinë e njeriut.
Ku do të bënte vaki kjo në Bashkimin Europian?
Askund.
Po ku do të bënte vaki që pas kësaj të akuzoheshin të vrarët, të masakroheshin komisariateve protestuesit, të pështyhej me fjalët më të ulëta nga foltorja e qeverisë Presidenti i Republikës, Prokurorja e Përgjithshme, media e pavarur dhe mbarë opozita politike?
Askund.

Po ku tjetër do të bënte vaki që të ngriheshin në kor lloj-lloj personazhesh publike e të thoshin u bë mirë që u vranë se prishën qetësinë publike, ndërsa vrasësit të qëndronin në detyrë të pacënuar nga drejtësia megjithë urdhëruesit e tyre në majë të pushtetit, të cilët paturpësisht krenohen me ato vrasje në emër të Kushtetutës?
Askund.

Po ku, në ç’vend tjetër të botës së lirë, do të mbushej viti me një ironi kaq sarkastike të fatit që brenda të njëjtës javë, javës që vjen, të shpallet i pafajshëm nga drejtësia pushtetari që provokoi keqaz një popull të tërë me videokusarinë e tij dhe të pafajshmit as të mos prehen dot të qetë për shkak se s’ka asnjë shenjë drejtësie për të ndëshkuar vrasjen e tyre me pushkët e shtetit?
Askund në botë.

Edhe faraoni i fundit i Egjiptit e mori së fundmi dënimin për vrasjen e protestuesve me plumba në sheshin Tahrir, ndërsa këtu, në Shqipërinë në mes të Europës, urdhëruesit e vrasjeve shesin përditë dëngla kushtetuese teksa vazhdojnë të grabisin vendin e të rrënojnë shtetin e shqiptarëve.

Pse? Pse? Pse? Zinxhiri i këtyre pseve rrëqethëse është i pafund, ndërsa përgjigja ime këtu sot është: Këto bëjnë vaki vetëm aty dhe vetëm atëherë kur njerëzit nuk e marrin në dorë fatin e tyre, duke thënë s’ka ç’më duhet të ngatërrohem me politikë edhe kur padrejtësia u kalon para syve! Harrojnë të gjithë se një ditë ajo mund t’u qëndrojë para syve, po atë ditë historia mëson se është shumë vonë për t’i shpëtuar.

Katër dëshmorët e 21 janarit u vranë me plumb. I përjetshëm qoftë gjithmonë kujtimi i tyre! Familjet e tyre u vranë dy herë: Një herë me plumb dhe një vit rresht nga mungesa e drejtësisë.

Po sa të tjerë si ata, njerëz të mirë e të zakonshëm të këtij vendi, vriten përditë në shpirt, në moral, në pronë e në të drejta nga shteti i lidhur pas trungut të shtëpisë së pushtetit? Po sa nga ju, nga ju këtu në këtë sallë, vriteni përditë në ëndrrat e në shpresat tuaja nga gënjeshtra e kthyer në normalitet, nga hajdutëria e kthyer në rutinë, nga paaftësia e kthyer në sistem?

Merreni në dorë fatin tuaj sot të dashur miq të rinj dhe mos i’a lini fatit të vendosë i vetëm për të ardhmen tuaj. Bëjeni RE:FRESSH-in mundësinë e çdo të riu shqiptar për të marrë në dorë fatin e tij dhe shkruajeni historinë tuaj të viteve plot ëndrra e shpresa rinore, bashkë me historinë e shoqërisë e të vendit tuaj në këto vite kaq të vështira. Ashtu siç e kanë shkruar ata që po kaq të rinj sa ju, në kohëra të ndryshme, kanë marrë në sy rreziqe e vështirësi shumë më të mëdha se tuajat. Ashtu siç e shkruan edhe studentët e njëzet viteve më parë duke hapur një faqe të re historie me shembjen e regjimit komunist dhe duke i hapur një rrugë të re vetes, familjes së tyre e Shqipërisë. Ashtu siç e shkruajnë përditë sivëllezërit e simotrat tuaja në Shtetet e Bashkuara apo në Bashkimin Europian, që me pasion përfshihen si vullnetarë në aventurën e jashtëzakonshme të politikës për ta bërë më të mirë vendin ku jetojnë.

Lejomëni t’ju falenderoj megjithë zemër që patët durimin të më dëgjoni dhe t’i kërkoj ndjesë kujtdo që mbase po thoshte me vete “aman kur do mbarojë”!

Shpresoj që nëse ky është rasti, të ketë qenë një aman prej padurimit për të filluar përpjekjen e madhe për RE:FRESSH-in që i duhet sot më shumë se kurrë rinisë socialiste e progresiste, politikës shqiptare dhe vetë Shqipërisë.

Faleminderit.
Edi Rama

KOMENTE