English

Facebooku, edhe në jetën e fëmijëve

Prof. Eroll Velija
Dije se fëmija është amanet te prindërit e tyre, kurse zemra e tyre (fëmijëve) është diamant i virgjër, i cili pranon gdhendje të të gjitha formave.
Fenomeni Facebook ka ndihmuar për të ndryshuar gjithçka, duke filluar nga mënyra e komunikimit e deri në ndryshimin e regjimeve diktatoriale. Por së bashku me të mirat vijnë edhe rreziqe, paralajmëron një shoqatë e njohur e mjekëve pediatër në Amerikë. Shtrohet pyetja: sa “miq” ka fëmija juaj në Facebook? 100? 500? Më shumë? Por çfarë ndodh nëse fëmija juaj ka vetëm 10 “miq”? Të mos kesh besim në vetvete, të mos e ndjesh veten në një nivel me të tjerët, është gjendje e vështirë kur je 14, 15, 16, 17 vjeç.

Ne mendojmë se është mirë të bëhet thirrje që të flitet me adoleshentët – djem e vajza – dhe me prindërit e tyre rreth depresionit dhe dëmit të mundshëm të Facebook-ut , ngaqë rreziqet e tij shihen qartë. Numri i “miqve”, statusi i përditshëm personal dhe fotografitë e adoleshentëve duke u argëtuar, mund të tregojnë pjesë të realitetit të një fëmije që rri i vetmuar në shtëpi ose në një cep të shkollës së mbushur me njerëz. Nuk ka dyshim se për shumë adoleshentë, Facebooku ka edhe të mira; ata zgjerojnë horizontin e tyre dhe forcojnë lidhjet shoqërore. Por për fëmijët e prirë për depresion, fëmijët të cilët ndjejnë se “nuk janë në lartësinë e duhur”, Facebooku mund të ketë efekt të kundërt.

Familja është qeliza e parë e shoqërisë në të cilën fillon dhe zhvillohet familja apo shoqëria. Është hapi i parë ku zhvillohet e kultivohet edukimi i fëmijëve, madje konsiderohet edhe si mjedisi i parë ku fëmija i përjeton përshtypjet e para për jetë, ndërsa mundësitë e veprimit edukativ të familjes janë të mëdha për vetë faktin se gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës fëmija më së shumti e kalon kohën me familjen e tij. Jo rastësisht iu kërkohet familjarëve në përgjithësi e prindërve në veçanti që të kenë kujdes për t’i vënë themelet e cilësive më të rëndësishme të personalitetit tek fëmijët. Nëse kësaj nuk i kushtohet rëndësi, atëherë domosdo do të vijmë tek ballafaqimi i cili konsiderohet si kryesori për shkatërrimin familjar, pasi fëmija kërkon kompensim jashtë familjes së tij për atë që i mungon, sikurse burri ose gruaja që kërkojnë kompensim ose plotësim të asaj që i mungon diku tjetër e jo te njëri-tjetri. Zaten këta dy faktorë; fëmijë-prindër dhe burrë-grua e prishin familjen dhe rrënojnë institucione të shenjta.

Për forcën ndikuese të prindërve të kujdesshëm ndaj fëmijëve, Gazaliu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Dije se fëmija është amanet te prindërit e tyre, kurse zemra e tyre (fëmijëve) është diamant i virgjër, i cili pranon gdhendje të të gjitha formave”.
Po ta dinin të gjithë prindërit e botës se po e zgjodhën hapin e parë-mbjelljen e imanit në zemrat e fëmijëve të tyre, besoj se do të ishin prindërit më të lumtur në botë, do të ndiheshin të qetë dhe hapat e tjerë do t’i kishin tejet më të lehtë e me suksese më të mëdha.
Nuk e mohojmë atë se sot po ndodhemi para një bote me plot ndodhi e çudira nga më të ndryshmet, llojllojshmëritë e tyre po i magjepsin të rriturit për të mos thënë shpesh po i lënë edhe pa arsye ose zgjidhje, e lëre më fëmijët. Një nga këto çorodina shumë aktuale është edhe moskomoditeti familjar, raportet ndërpersonale familjare. Në raste të tilla, Facebook-u për fëmijët është zgjidhja më e “mirë” e mundshme për ta si shkak për t’iu ikur skenave dhe për të mos e angazhuar trurin se çfarë po ndodhë, pse po ndodhë dhe a ka zgjidhje, shkurt fëmija përpiqet që përmes qëndrimit në internet të mos merr pjesë në ndodhitë e familjes së tij/saj.

Edhe statusi ekonomik po din të sjellë shpeshherë situata të vështira e të rënda nëpër familje. Çmimet të cilat i shpreh tregu nuk i përballon lehtë konsumatori i produkteve të tyre, madje një numër i madh nënash po detyrohen që ta marrin hapin e punësimit domosdo për të jetuar e për t’i plotësuar nevojat të cilat po i kërkon familja. Ky imponim aspak nuk është i leverdishëm për familjen e as për shoqërinë, ngaqë personi më me ndikim për kultivim të edukatës bazë –nëna në këtë rast po detyrohet të punësohet dhe fëmijën e saj t’ia besojë dados ose edukatores në kopsht dhe ka raste ku nëna asnjërën s’mund ta arrijë e detyrohet që fëmijët t’i lejë në besë të ndonjë të afërmje e cila shpreh “mëshirë” për t’i ndihmuar. Pa dashtë ta nënvlerësojmë gjestin human nga ana e këtyre individëve zemërgjerë, duam të potencojmë një gjë se këta fëmijë vërtet janë viktimë e fatit, ngaqë pak iu kushtohet rëndësi në lidhje me edukimin fetar në përgjithësi e atë amnor në veçanti. Janë fëmijë të ngopur me bukë, por të rrezikuar me plot vështirësi në të ardhmen për të ndërtuar personalitet të shëndoshë e të drejtë të tyre, ndoshta edhe pak të dobishëm për veten e tyre në veçanti e për shoqërinë në përgjithësi.

Në lidhje me këtë, kemi një modë të kësaj natyre- nënës së punësuar , por që është për të ardhur keq, ndoshta edhe pështirë. Ç’farë t’iu thuhet atyre nënave të cilat i gëzojnë të gjitha kushtet, të paktën ato për një jetë mesatare dhe gjithsesi duan të jenë në rrjedha pune. Mundësitë e tyre janë që dadon ta kenë në shtëpi sa për t’u kujdesur për fëmijët, mirëpo edukatoren nuk e kanë, sepse shpenzimet prekin kosto të lartë pagese për këtë. Nuk e mohojmë faktin se gruaja mund të jep kontribut të madh dobiprurës edhe jashtë familjes sidomos kur është në pyetje aktiviteti edukativ, por, ne pajtohemi me atë se gruaja vetëm në familje e gjen veten e saj, vetëm në familje e jep më së miri atë që posedon, vetëm kështu e ngrit më së shumti veten e saj, e fiton epitetin e vërtetë të femrës kontributdhënëse dhe nënë, dhe vërtet kjo e bën që të quhet nënë me tërë kuptimin e fjalës.

Kur vjen fjala te babai, edhe ai është faktor tejet i rëndësishëm i organizimit dhe zhvillimit të mbarë familjes e fëmijëve, ngaqë babai i mirë është edhe prind i mirë edhe bashkëshort i mirë, por si faktor më me ndikim tek edukimi i fëmijëve është nëna. Të pakta janë ato nëna të cilat dinë ta menaxhojnë kohën e tyre kur janë larg fëmijëve për disa orë, të pakta janë ato të cilat e kompensojnë dobishëm mungesën e tyre tek fëmijët.

Në saje të kësaj, iu drejtohemi këtyre nënave që sa më shumë ta shtrijnë dominimin bindës të tyre duke këshilluar fëmijë e të rinj se si të punojnë në internet, më konkretisht në facebook, ndërsa me fëmijët të bëjnë takime sa më të shpeshta që të arrijnë ndikim të qëndrueshëm me fjalën dhe këshillën e tyre. Kjo shkon jo vetëm në favor të tyre, po më shumë të gjeneratës së re, nënave dhe shoqërisë në përgjithësi e komunitetit tonë në veçanti.

Mbesim me shpresë tek Zoti se Mëshira e Tij nuk do të mungojë për t’i arritur qëllimet e mira dhe për t’u realizuar synimet e shëndosha.

KOMENTE
  • livalu Ligor Luarasi16:45 - 17 Janar 2012
    Ngacmimet e para per jeten femija i fillon qe ne mitren e nenes kur nis edhe ngjizja e tij qe vazhdon 9 muaj,prej dy gjysme acideve nukleinike te prinderve si para ardhes te kesaj femije. Keto dy gjysma acidesh nukleinike formojne acidn ADN te femijes i cili fillon e "skalit" ndertimin e te gjithe organeve te femijes,nga ky ndertim varet edhe funksioni i tyre.Kjo dyshe ndertim-funksion,percakton premisat,prirjet, si e qysh do ece ky femije ne jeten e tij.Pas kesaj vjen familja,mjedisi,shkolla,etj,etj.