Shkelja e të drejtës së protestës është ndër shkeljet më të rënda të parimeve universale.
Edhe kushtetuta e Republikës së Kosovës në nenin 43 thekson se - “liria e tubimit paqësor është e drejtë e garantuar”. Secili qytetar e grupim e ka të garantuar të drejtën për organizimin e tubimeve, protestave e demonstratave si dhe të drejtën për të marrë pjesë në to.
Dhuna çnjerëzore e 14 janarit përveç shkeljes së kushtetutës paraqet edhe shkelje të konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut siç është Karta e Bashkimit Evropian, kapitullit II, neni 12, ku thuhet “liria për të protestuar në mënyrë paqësore është një e drejtë themeltare e secilit individ”.
Qeveria e Republikës së Kosovës duhet ta dijë që e drejta e protestës është arritur me sakrificë nga miliona njerëz anembanë botës, shembulli i të cilëve ka bërë që në secilën konventë të të drejtave të njeriut të sanksionohet kjo e drejtë.
Shtypja e dhunshme e protestës paqësore të organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! si dhe dhuna e shkaktuar për secilin protestues gjatë dhe pas arrestimit nga pjesëtarët e Njësive speciale të Policisë së Kosovës përbëjnë shkelje të nenit 27 të kushtetutës në të cilin saktësohet se “Askush nuk i nënshtrohet torturës, ndëshkimit a trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues”, njëkohësisht e njëjta përbën shkelje të Konventës për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut konkretisht neni 3, i kësaj konvente ku flitet për trajtimin çnjerëzor.
Shkelja tjetër ligjore e bërë nga drejtuesit e Policisë nëpërmjet Njësive Speciale lidhet me “Ligjin për policinë”, neni 12.1, 12.2 dhe 12.3 duke qenë se Njësia Speciale ka përdorur forcë të panevojshme dhe të pajustifikueshme kundrejt qytetarëve, si pasojë e së cilës u janë shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe provat për këtë janë tashmë publike e do të depozitohen në Prokurori.
Raporti i KLMDNJ, i Amnesty International dhe raporti i Avokatit të Popullit e konfirmojnë këtë më së miri. Në to përmenden gazi i tepruar lotsjellës, spreji, topat e ujit në kushtet e temperaturave nën zero gradë celsius, goditjet në kokë me shkopinj gome si dhe rrahja e të arrestuarve me duar të lidhura e secila prej tyre varësisht nga rrethanat përbëjnë kryerje të veprës penale.
Po ashtu arrestimi i dhunshëm i deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! përbën shkelje të nenit 75, paragrafi 2, të kushtetutës dhe nenit 9, paragrafi 2. të “Ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit”.Tek të gjithë ata si tek secili protestues i arrestuar është ushtruar dhunë edhe gjatë arrestimit edhe pasi që kanë qenë të lidhur. Njësia Speciale ka shkelur në mënyrë recididive nenin 46, pika a, të “Ligjit për policinë e Republikës së Kosovës” në të cilin thuhet se “Zyrtari policor dhe stafi civil bëjnë shkelje të rëndë disiplinore nëse ai/ajo kryen, tenton të kryejë, ndihmon ose nxit tjetrin të kryejë çdo sjellje të rëndë diskredituese”. Njëkohësisht moscënimi i dinjitetit sanksionohet dhe në kushtetutë nëpërmjet nenit 23, ku saktësohet se dinjiteti i njeriut është i pacënueshëm dhe bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Asnjë pushtet nuk mund t’i ndalojë qytetarët qoftë edhe nga vendet e tjera t’i bashkëngjitet cilësdo protestë, sepse e drejta e protestës është një e drejtë universale, dhe çdo qeveri ka detyrimin t’i zbatojë normat ndërkombëtare të lirive civile e politike.
Keqtrajtimi i bashkëkombasve tanë nga Republika e Shqipërisë, arrestimi i tyre nga Policia e Kosovës, rreshtimi në Morinë i forcave policore në tre kordonë, si dhe pengimi në kufi i qytetarëve shqiptarë nga Maqedonia, të cilët donin të kalonin kufirin e Kosovës në mënyrë të rregullt e sipas të gjithave normave që kërkon shteti i Kosovës është në fakt shkelja e të drejtës për lirinë e lëvizjes.
Gjuha kërcënuese e përdorur nga pushteti, që prej datës që u lajmërua protesta,veprimet paraprake të ndërmarra dhe frikësimi i qytetarëve, të gjitha këto të kurorëzuara me dhunën brutale të ushtruar ndaj protestuesve dhe qytetarëve përbëjnë zëvendësim të shtetit ligjor e demokracisë institucionale me shtetin policor e autoritarizmin e institucionalizuar.
Lëvizja VETËVENDOSJE! i fton të gjithë qytetarët që me 22 janar, ora 13.00, të marrin pjesë masivisht në protestën “Serbia nuk kalon!” në Merdarë dhe Dhe të bardhë.
www.vetevendosje.org