English

Reeker:Lëvizje të gabuara, protestat e Vetëvendosjes

Diplomati amerikan, Philip Reeker është treguar i ashpër me Lëvizjen “Vetëvendosje” duke i quajtur të gabuara dhe të dëmshme protestat e kësaj partie për bllokimin e pikave kufitare me Serbinë, në Merdare dhe tek Dheu i Bardhë.


një intervistë për Radio Televizionin Publik të Kosovës, Philip Reeker e ka quajtur aktin e Vetëvendosjes si të pajustifikueshëm dhe të panevojshëm. “Sa i përket ngjarjeve të fundjavës duhet të përkujtojmë se asnjë parti politike nuk e ka të drejtën që ta marrë ligjin në duart e veta dhe do ta kisha theksuar atë që kanë thënë zëvendësi i zonjës Ashton në Bruksel që ka qenë një mënyrë e pajustifikueshme dhe e papërshtatshme për të shprehur mendimin për të bllokuar lirinë e lëvizjes, lirinë e tregtisë dhe një përdorim të dhunshme të tillë në vend”, ka thënë Reeker.


Ai për më tepër i ka rikujtuar Vetëvendosjes se jetojmë në shekullin 21 në të cilin problemet nuk zgjidhen përmes rrugëve, por me negociata të vazhdueshme dhe përmes institucioneve përkatëse. “Ky është shekulli 21 në të cilin jetojmë dhe në botë negociatat dhe tregtia e lirë janë të nevojshme. Nuk duhet të zgjedhim problemet përmes rrugëve por ti shfrytëzojmë institucionet në vend”, ka thënë Reeker ndërsa i ka cilësuar veprimet e Policisë së Kosovës kanë qenë profesionale.

Ndërsa sa i përket protestave të paralajmëruar nga Vetëvendosje për në datën 22 janar, Reeker ka kërkuar nga udhëheqësit e partive politike të jenë më të përgjegjshme dhe të shmangin dhunën dhe inkurajimin për dhunë. “S`ka vend për dhunë, askush nuk do që t`i kthehet dhunës në këtë vend”, është shprehur ai.


Ndërkohë në lidhje me situatën në veri të Mitrovicës, ka thënë se Serbisë tashmë i janë caktuar kushtet për anëtarësim në BE, duke iu bërë të ditur se nuk ka ndarje të Kosovës. “Ne kemi deklaruar shumë qartë se nuk ka vend për ndryshim të kufijve, këmbim territoresh apo ndarje. Kjo nuk është mënyra se si duhet të zgjidhen problemet por rruga më e mirë është përmes dialogut, sundimit të ligjit si dhe edukimit në lidhje me të arriturat e deritanishme”, ka deklaruar zëvendëssekretari amerikan Philip Reeker.

Ky i fundit ka bërë të ditur se javën që vjen do të marrë pjesë në mbledhjen e Grupit Ndërkombëtarë të Krizave ku do të skutohet për fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë. “Do të marrim pjesë së bashku me Kryeministrin dhe tani është koha që ta shohim këtë vend duke lëvizur përpara. Do të diskutohet për të arriturat dhe situatën e krijuar për të nxjerr një përfundim” ka shtuar Riker.


Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Philip Reeker ka zhvilluar një vizitë në Kosovë ku është takuar me krerët e qeverisë.Kjo është hera e pare që Reeker viziton Kosovës pas 5 muajve kur është emëruar në këtë post.

ora-news

KOMENTE