Interesat e bonove të thesarit me afat njëvjeçar u rritën ndjeshëm në ankandin e datës 10 janar, kur interesi mesatar i pranuar arriti në 7.11 për qind, shkruan gazeta “Shqip” në numrin e sotëm të saj.
Në ankandin paraardhës të zhvilluar më 29 nëntor, interesi i pranuar ishte 7.04 për qind ndërsa më datë 27 dhjetor, interesi i pranuar qe vetëm 6.73 për qind.
Kjo rritje e shpejtë e interesave të bonove
iu dedikua fillimisht kërkesës së lartë të qeverisë për huamarrje që ndodh çdo vit, por kjo kërkesë këtë vit nuk ka qenë shumë e lartë në krahasim me fundvitet e shkuara.
Tregu bankar aktualisht ka nivel të kënaqshëm likuiditeti ku depozitat u rritën me mbi 15 për qind vitin e kaluar, ndërkohë që interesat e tyre kanë ardhur në rënie dhe Banka e Shqipërisë e ka ulur normën bazë të interesit në 4.75 për qind, norma më e ulët e shënuar që nga viti 2002, kur BSH filloi zbatimin e mekanizmave indirekte të ndërhyrjes në koston e parasë.
Ulja e ekspozimit
Shqipëria rrezikon të dëmtohet këtë vit nga një ngjarje për të cilën nuk ka ndonjë faj. Bankat kryesore në Europë, të cilat janë të pranishme në Shqipëri përmes filialeve të veta, nuk i konsiderojnë më bondet sovrane si investime me rrezik të papërfillshëm.
Në bilancet e tyre është vendosur që pesha e borxheve të shteteve të ulet. Së fundmi, këto banka duket se po ulin ekspozimin edhe ndaj borxheve publike të Shqipërisë, pavarësisht se ekspertët thonë se reduktimi nuk ka kuptim për sa kohë depozitat janë të shqiptarëve dhe Shqipëria e disponon të drejtën e emisionit monetar.
Pushteti i bankave
Ndërkohë, edhe roli i bankave në tregun e bonove të thesarit duket se ka ardhur në forcim. Vitin e kaluar, Ministria e Financave e rriti sasinë e bonove afatshkurtra të emetuara, gjë që e detyron t’i drejtohet bankave më shpesh për financim. Këto të fundit rrjedhimisht kanë fuqi më të madhe në përcaktimin e interesave se sa më parë.
top-channel