6 shoqata të linjave urbane që operojnë në kryeqytet kërkojnë dyfishimin e cmimit të biletës.
I ftuar në emisionin e mëngjesit në Top Channel, "Wake Up" kryetari i shoqatës së transportit urban, Ferdinand Ibrahimi deklaroi se kjo kërkesë vjen si pasojë e situatës financiare, në të cilën ndodhen sot operatorët.
Si pronar i linjës së Unazës së Vogël në kryeqytet, e njohur për problematikën e saj, zoti Ibrahimi tha se të detyruar nga Bashkia e Tiranës për të rritur cilësinë e shërbimit urban, investimet e kryera prej tyre vitet e fundit në linjat urbane në kryeqytet kapin shifrën e 19.2 mln eurove marrë në formë huaje nga bankat.
Duke i shtuar kësaj dhe rritjen e çmimit të karburantit cdo vit, operatorët e transportit urban këmbëngulin se cmimi aktual i biletës jo vetëm që nuk i mbulon shpenzimet e tyre por përkundrazi po i fut në një kolaps financiar.
Rritja më e fundit e biletës së transportit urban u bë katër vjet më parë në maj të vitit 2008 me 10 lekë duke e cuar çmimin nga 20 në 30 lekë.
Megjithë propozimet e vazhdueshme të operatorëve, i takon Këshillit të Ministrave të vendosë nëse bileta e transportit urban ndërqytetas do të rritet.
top channel