Partia Socialiste e Shqipërisë e konsideron vendimin e djeshëm të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë:
Dëshminë më alarmante të rënies së rendit ligjor dhe shtetit të së drejtës;
Faktin më tronditës të thërrmimit të parimit kushtetues “Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”;
Provën e përsëritur dhe më të padiskutushme, të kapjes përfundimtare të Gjykatës së Lartë e të vendosjes së pushtetit gjyqësor nën kontrollin e pushtetit politik të Sali Berishës;
Konsolidim të “kulturës së pandëshkueshmërisë”, pas tre vendimeve të njëpasnjëshme të së njëjtës Gjykatë për tre raste flagrante të korrupsionit në nivelin më të lartë qeveritar;
Konfirmim të lidhjes së shkurtër mes aktivitetit kriminal të politikes në pushtet dhe drejtësisë si garante e kësaj të fundit;
Nëpërkëmbje të parimit kushtetues të “drejtësisë shoqërore” si baza e shtetit dhe zëvendësimin e këtij parimi me “padrejtësinë shoqërore” si vazhdë në procesin qeverisës;
Shembullin më të keq të bashkëfajësisë së pushtetit gjyqësor, në mes të një vale të re të korrupsionit me prapavijë qeveritare, me pasoja të rënda për ekonominë kombëtare dhe atë familjare të qytetarëve shqiptarë;
Shtysë të drejtëpërdrejtë negative në profilizimin e përvitshëm të Shqipërisë si një regjim hibrid dhe i korruptuar, larg vlerave e parimeve të familjes europiane.
Partia Socialiste e Shqipërisë e konsideron gjithashtu me shqetësim të thellë këtë vendim si një refuzim i drejtëpërdrejtë i tre prioriteve kyçe të vendosura nga Bashkimi Europian për Shqipërinë:
- një drejtësi e pavarur e profesionale;
- luftë kundër korrupsionit në nivelet e larta;
- luftë kundër krimit të organizuar.
Përpjekjes për përmbushjen e këtyre prioriteve në kuadrin e 12 prioriteteve që duhet të përmbushë Shqipëria për t’u bërë kandidate për Bashkimin Europian, Gjykata e Lartë i ka dhënë dje një goditje jashtëzakonisht të rëndë .
Sot kandidatura e Shqipërisë për statusin e kandidatit është e dobësuar në mënyrë të konsiderueshme dhe vendin tonë e kërcënon për shkak të vendimit të djeshëm të Gjykatës së Lartë, një dështim i tretë radhazi i aplikimit për këtë status në 100 vjetorin e pavarësisë e të shtetit shqiptar.
Demokracia pa drejtësi është tirani!
Duke shprehur në këtë rast indinjatën, në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë të tronditur thellë dhe me plot të drejtë nga rrënimi përditë e më i madh i shtetit të së drejtës, Partia Socialiste e Shqipërisë nënvizon me forcë domosdoshmërinë e rivendosjes së demokracisë në vend dhe u bën apel të gjitha forcave demokratike të shoqërisë të vihen aktivisht në shërbim të këtij misioni kombëtar.
Ne socialistët dhe progresistët shqiptarë jemi sot edhe më të motivuar e të angazhuar se dje, për të vënë në jetë programin tonë të ri “Për një Rilindje Shqiptare” duke theksuar fort çka kemi miratuar solemnisht në këtë program:
Çmontimin e regjimit të padrejtësisë;
Vendosjen e barazisë para ligjit dhe shtetit të së drejtës;
Çrrënjosjen e pandëshkueshmërisë si kulturë e këtij regjimi;
Heqjen e imunitetit kushtetues si pengesë për të hetuar e ndëshkuar krimin dhe korrupsionin në nivelet e larta të pushteteve kushtetuese dhe ndalimin e politikës për t’u përdorur në shërbim të korrupsionit;
Transparencën e plotë të të gjitha vendimeve e akteve të shumicës së sotme, të bëra me qëllim përvetësimin e paligjshëm të pasurive kombëtare e publike apo pasurimin e paligjshëm, dhe marrjen e hapave kushtetues e ligjorë për ndëshkimin e këtij fenomeni shkatërrues për ligjshmërinë e për ekonominë kombëtare;
Nxitjen me fakte e prova të rihetimit dhe gjykimit të çdo çështjeje gjyqësore me objekt korrupsionin e nivelit më të lartë qeveritar, mbyllur arbitrarisht nga gjykata në refuzim të qartë të fakteve të njohura botërisht, ekspertimeve profesionale kombëtare e ndërkombëtare;
Garantimin e pavarësisë së çdo institucioni në çdo nivel të sistemit të drejtësisë.
Partia Socialiste e Shqipërisë garanton qytetarët shqiptarë dhe miqtë e partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë se do të zbatojë pikë për pikë të gjitha angazhimet e marra në programin e saj të ri “Për një Rilindje Shqiptare”.