Komisioni i Ligjeve do të nisë sot procedurën për shkarkimin e nënkryetarit të Këshillit të lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Dy ditë pas kërkesës së grupit parlamentar të PD-së e cila u bë me dije nga kryeministri Berisha, komisioni pritet të dëgjojë sot nënkryetarin e KLD-së, përpara se ai t`i dërgojë parlamentit raportin për ngritjen ose jo të një komisioni hetimor për të.
Sipas kërkesës së demokratëve, komisioni hetimor do të ketë tre javë kohë për të verifikuar shkeljet e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në ushtrimin e detyrës së tij.
Kryeministri Berisha deklaroi dy ditë më parë se nënkryetari i KLD-së Spahiu në bashkëpunim edhe me kreun e saj Bamir Topi kanë dhunuar në mënyrë flagrante kushtetutën e vendit. “Ata i kanë lejuar vetes që institucionet të cilat i janë besuar në përputhje me kushtetutën, dhe që janë institucionet më të rëndësishme të përdoren në mënyrë të papërgjegjshme për interesa strikt partiake dhe duke dhunuar rëndë këto dy institucione” ka theksuar Berisha.
Duke iu referuar nënkryetarit të KLD-së Spahiu, shefi i qeverisë theksoi se ai ka vendosur standartet më të papranueshme pasi e ka kthyer institucionin që ai drejton në një forcë politike.
Ndërkohë vetë Spahiu ka deklaruar se do të paraqitet në Komisionin e Ligjeve por ka shtuar se e konsideron gjithë këtë procedurë antikushtetuese pasi nuk vendos Kuvendi për largimin e tij nga detyra.
"Klasës politike pushka top le t’i bëhet, por ta harrojë se do të kontrollojë drejtësinë. Viti 2012 konsiderohet si viti i fundit i kësaj bote, por ky do të jetë fundi i asaj klase politike që mendon se do të vendosë kontrollin dhe monopolin mbi shoqërinë shqiptare", theksoi Spahiu.
Sot mblidhet komisioni i ligjeve për shkarkimin e Spahiut
-
Enco Grimaldi09:54 - 18 Janar 2012Brisha eshte shprehur gabim,kur thote te mlidhemi per te hequr Krshnik Spahiun nga nen kryetar te KLD se. Shprehja me e drejte do ishte,te mblidhemi per ti hqur rrogen Kreshnik Spahiut,sepse puna ai eshte vetelarguar me kohe