English

Alexander Arvizu, reflektoi në emisionin Top Story me Sokol Ballën. Intervista

TCH – Zoti Arvizu, mirësevini në “Top Story”. Gjykata e Lartë nxorri të pafajshëm pak ditë më parë ish-Zvs/Ministrin Ilir Meta. A keni një koment për këtë ngjarje?
Ambasadori Arvizu - Jo, nuk kam asnjë koment. E di që shumë njerëz kanë folur për këtë, por jam kurioz të shikoj shpjegimin e plotë të gjykatës për këtë ngjarje dhe të mësoj përse nuk u mor parasysh prova e paraqitur nga ekspertët amerikanë. Ajo që më ka interesuar mua në këtë çështje si përfaqësues i SHBA-ve në Shqipëri, ishte t’i ofroja autoriteteve nevojën e nevojshme në ekspertizën e kërkuar. Shpresoj që mospranimi i ekspertizës amerikane për videon e Metës të mos shërbejë si precedent.

TCH - Gjithsesi, a mendoni se vendimi është marrë në kushte normale?
Ambasadori Arvizu - A mund ta shtjelloni pak më shumë se çfarë nënkuptni me normale?

TCH – A mendoni se gjykata është bazuar vetëm tek provat e paraqitura në gjyq apo është ndikuar edhe nga presioni i fshehtë politik?
Ambasadori Arvizu - Unë mendoj se gjyqi është karakterizuar nga vonesat tipike të drejtësisë shqiptare dhe këto kanë qenë stresuese. Si rrjedhojë, shumë hipoteza janë bërë nga mediat dhe publiku. Megjithatë, drejtësia dha një vendim, të cilin nuk mund ta paragjykojmë.

TCH - Një vit më parë, me rastin e 21 janarit, dhatë një premtim, që gjithçka do të zbardhej. Ende asgjë vendim nuk ka dalë për atë ditë. Si do ta komentonin tani?
Ambasadori Arvizu - Përparësia jonë ka qenë të mbështesim Prokoruren e Përgjithshme në hetimin e 21 janarit. Këtë kemi bërë. i kuptoj njerëzit që janë të zhgënjyer nga koha e gjatë që kanë zgjatur hetimet, por ne gjithmonë kemi nënvizuar se duheshin tre komponentë kryesorë, hetim i plotë, i pavarur dhe pa asnjë lloj ndikimi partiak. Megjithatë, në këtë përvjetor e rëndësishme është të kujtojmë dhe t’i parashtrojmë ngushëllimet familjeve që kanë humbur të afërmit. Kryeministri, kur e takova sot, shprehu keqardhjen që komponenti që ka lidhje me hetimin e organizimit të protestës nuk ka bërë përparim, por Znj. Ina Rama më ka dhënë garanci që përfundimi i hetimeve do të jetë gjithpërfshirës.

TCH – Në ato ditë ju ofruat ekspertizën amerikane të FBI-së për të hetuar ato ngjarje dhe gjithçka ndodhi në 21 janar. Përpara disa ditësh, kryeprokurorja tha që për nxjerrjen e përfundimeve pritet ekspertiza e FBI-së. A ka mbërritur?
Ambasadori Arvizu - Po, ka mbërritur. Megjithatë, ka patur elementë përbërës, kërkesa të ndryshme që i janë dorëzuar prokurorëve në moment të ndryshme edhe më parë. Nga ajo që unë kuptoj, është dërguar pjesa më e madhe hetimeve, pjesa më domethënëse e asaj që është kërkuar nga FBI. Mbase mund të ketë ndonjë shtojcë e informacion shtesë, por pjesa qëndrore përsa i përket fakteve balistike e ligjore të kërkuar nga prokurorët është kryer. Jam takuar me asistent-drejtorin e FBI-së. Laboratori i FBI-së në Uashington merret me shumë punë dhe e vlerësoj që ata morën përsipër këtë kërkesë, duke bërë më të mirën që mundën. Vlerësoj edhe faktin se prokurorët shqiptarë, me sa unë kuptoj, janë të kënaqur me bashkëpunimin.

TCH - Ju përmendët provën balistike, plumbat e gëzhojat e qëlluar, të gjetur në bolevard dhe në tripin e viktimave. Por, a përfshin ekspertiza dhe të shumëpërfolurën ndërhyrje në serverin e kamerave të sigurisë të Kryeministrisë?
Ambasadori Arvizu – Kjo mund të konsiderohet si një pyetje spekulative. Ne gjithmonë kemi konsideruar që prokurorët këtu, si kudo, janë të detyruar që të ndjekin çdo provë që zhvillohet. Kështu, nëse ka patur një zhvillim në këtë fushë apo zonë, nëse ata kanë dorëzuar prova ose kërkesa për analizë ligjore, ne kemi ndjekur detyrimin që ta merrnim parasysh dhe ta konsideronim.

TCH - Ju thatë më parë, që Prokuroria dhe Qeveria, pavarësisht kontradiktave, pranoi ekspertizën amerikane si të paanshme dhe profesionale. Në një vit, shumë gjëra kanë ndryshuar. Por, ajo që mbetet i njëjtë është qëndrimi agresiv i mazhorancës ndaj Prokurorisë… Mendoni që sot rezultatet e eksperitzës së FBI-së do të pranohen?
Ambasadori Arvizu - Shpresoj të jetë kështu. Kjo ka qenë shpresa dhe pritshmëria ime që nga fillimi. Një vit më parë, ka qenë shumë e rëndësishme për mua të merrja sigurinë nga Kryeministri dhe kabineti që ata do të bashkëpunonin me hetimin. E pranoj që retorika disa herë ishte e tepruar, por e rëndësishme për mua është që qeveria ka shprehur mbështetje për hetimin… Këtë bisedova shkurtimisht sot me Kryeministrin dhe këtë feedback pata përsëri. FBI shqyrton provat dhe jo njerëzit. Nëse qëllimi është të shkojmë tek e vërteta, atëherë nuk është diçka partiake pasi të gjithë duhet të gjenden në të njëjtën anë dhe shpresojmë që gjykata të pranojë çdo lloj prove.

TCH – Më parë, përmendët edhe ekspertizën amerikane të hedhur poshtë në gjyqin Meta-Prifti. A ka një marrëveshje mes SHBA-së dhe Shqipërisë mbi administrimin e provave penale. Dmth, një provë e siguruar nga FBI, a është e vlefshme për gjykatat shqiptare?
Ambasadori Arvizu - Nuk e di përgjigjen specifike për këtë. E di që nuk kam vepruar me këtë supozim, që nëse prokurorët kanë nisur një kërkesë zyrtare, pres që përgjigja jonë do të ishte një provë e pranueshme në një gjykatë shqiptare… Çështjen Meta-Prifti e kemi ndjekur me interes të madh, për këtu kemi qenë një palë e tretë e interesuar, pasi një kompani amerikane ka vlerësuar provat, por s’ka patur një rol zyrtar të qeverisë, ndërsa në 21 janar ka një rol zyrtar nga qeveria amerikane, me përfshirjen e një institucioni siç është FBI.

TCH – Nëse në bazë të provave të FBI, Prokuroria do të marrë masa dhe këto masa do të kundërshtohen nga qeveria, si do të reagojë SHBA?
Ambasadori Arvizu - Unë mendoj që një pikë e rëndësishme në dhënien e përgjigjes është që ky është një hetim shqiptar dhe ne po ofrojmë asistencë teknike-ligjore. Unë kam qenë i përfshirë me leximin e raportit, por nuk jam një ekspert ligjor. Nga ajo që unë di, prokurorët shqiptarë kanë zhvilluar dosjen dhe kanë mbledhur faktet. Nga ajo që unë shoh dhe ky është një term i saktë, të gjithë këto prova shtesë, mbështetja që është marrë, është një mbështetetje për të arritur konkluzione.. Nuk mendoj që ka diçka të veçantë që ana amerikane ka prodhuar diçka që ju se keni patur, edhe pse ka disa pjesë ku ka disa prova shtesë, që janë ofruar nga pala amerikane.

TCH - Opozita do të përkujtojë me një homazh 21 janarin, me një marshim në bulevard në ditën e shtunë. E keni këshilluar Ramën që të mos e realizojë si një vit më parë dhe a lidhet me këtë paralajmërimi për shtetasit amerikanë që të mos afrohen pranë homazheve?
Ambasadori Arvizu - Çdo ambasadë amerikane në botë ka për detyrë të paralajmërojë shtetasit e saj edhe nëse të gjitha të dhënat janë për një protest paqësore dhe kjo është ajo që kemi bërë. Me Ramën u takova për drekë, folëm shumë, folëm dhe për përkujtimin, më shpjegoi se çfarë do të ndodhte dhe kishte logjikë me gjithçka tjetër që ishte thënë. Do të ketë një përkujtim, përkujtimorja 1-vjeçare dhe mendoj që do të jetë mënyra e duhur për të nderuar kujtimin e tyre.

TCH - Kryeministri, të hënën, i kujtoi Ramës që të kujtonte paralajmërimin që i bëri në 23 janar, kur i tha se rrezikonte shumë nëse tentonte t’i afrohet Kryeministrisë. Ju thatë që shumë gjëra kanë ndryshuar, por a mendoni që në këtë klimë të re ripërsëritja e këtij paralajmërimi është i nxituar?
Ambasadori Arvizu - Në përvojën time këtu, gjatë një viti, diçka pozitive rreth Berishës është që flet në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe nuk të duhet të vrasësh mendjen se çfarë ka dashur të thotë. Disa herë kam menduar që mund të ishte më i matur ose diplomatik, ai mund të kishte përcjellë të njëjtin mesazh në një mënyrë tjetër të shprehuri.


TCH - Rama kërkon manifestim, Berisha paralajmëron, Meta lirohet nga akuzat dhe ju jeni këtu duke folur për 21 janarin. Duket sikur asgjë s’ka ndryshuar nga një vit më parë?
Ambasadori Arvizu - Mendoj që shumë gjëra kanë ndryshuar dhe sikurse folëm që në fillim, së pari, kryesorja është që katër familjeve u mungojnë të dashurit e tyre dhe këtë nuk dua ta nënvlerësoj. Kur mendoj për 2012-n, duhet të jetë një vit i rëndësishëm për këtë vend pasi është 100-vjetori i pavarësisë, por tensionet politike vazhdojnë të qëndrojnë aty dhe shumë njerëz janë të shqetësuar për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm. Disa prej bisedave dhe veprimeve të Aleancës Kuqezi janë shtuar dhe ky është një element i ri, pra një element ndryshimi. Do të ketë gjithmonë diçka dhe kështu ndodh gjithmonë në politikë. Por, domethënëse është që prej nëntorit të 2011-s, do ta quaja si pikënisje, ka patur me të vërtetë ndryshim politik sepse dialogu ka qenë më qytetar dhe ka patur me të vërtetë hapa konkrete, substanciale, ka patur komisione për ligjet me 3/5 etj….

TCH - A ndjeni që 21 janari po përdoret politikisht nga palët? Ka bazë shqetësimi i mazhorancës se hetimi për të po përdoren apo mund të përdoret nga njëra pale apo tjetra palë?
Ambasadori Arvizu: Për shkak se 21 janari është kaq i madh dhe i ngarkuar do të jetë e vështirë për cilëndo palë politike që të mos përpiqet të mos përfitojë pak. Sinqerisht mendoj që ka disa persona në këtë vend që kanë axhendë politike, që janë përpjekur të shfrytëzojnë vdekjet për avantazhin politik. Nga ana tjetër, fakti është që dikush ose disa persona kanë lëshuar urdhëra gardës për të qëlluar, dhe kjo duhet hetuar. Nëse hetimi do të bëhet si duhet dhe gjithëpërfshirës kjo është gjithcka që të gjithë shqiptarët mund të si shembull nga drejtësia.


TCH: Trojkës thotë se është prokuroria që duhet të hetojë 21 janarin, por ekziston edhe nje komision hetimor parlamentar, afati i të cilit është shtyrë përtej korrikut, ndoshta kur zoti Topi të mos jetë më president, mund të hetohet nga ky komisioni si “horr bulevardi”.
Ambasadori Arvizu: Nuk është pozita ime që t’u them shpërbëjeni komisionin, por nuk kam ndonjë qendrim për të. Ne e kemi shpallur që autoriteti i duhur hetimor është zyra e prokurorit, jo komisioni hetimor parlamentar.

TCH: A është sot Edi Rama më i pranueshëm për Amerikën se sa 1 vit më parë?
Ambasadori Arvizu: Mendoj që një nga gjërat që jam i kënaqur është se zoti Rama dhe unë kemi një kuptim më të mirë për njëri-tjetrin dhe mendoj se Rama ka një kuptim shumë më të mirë se si SHBA sheh situatën, pritshmërinë e SHBA-së prej tij si lideri i opozitës, mendoj që ka një kuptim më të mirë në marrëdhëniet tona.

TCH: Shihni tek Rama një kryeministër të ardhshëm?
Ambasadori Arvizu: Është lideri i opozitës me pak vota më pak se mazhoranca dhe zgjedhjet janë shumë afër dhe është lehtë që ta shohësh atë si kryeministër të ardhshëm në 2013-n, ku ai e ka shprehur se do të jetë kandidat.

TCH: A është Berisha si një vit më parë?
Ambasadori Arvizu: Nuk mendoj që ka patur ndryshim material në perceptimin e SHBA për Berishën, por nuk mendoj që ka patur shumë ndryshim.

TCH: A shihni tek ai një president?
Ambasadori Arvizu: Ai ka shërbyer si president më parë.

TCH: A e shihni zonjën Topalli presidente që të përfaqësojë unitetin?
Ambasadori Arvizu: Olldashi ka thënë se ajo do të ishte një presidente e mirë. Zë një pozitë shumë domethënëse në politikën shqiptare. Mund të jetë në këtë pozitë, sigurisht.

TCH: A e shihni Fatos Nano president?
Ambasadori Arvizu: Ai ka thënë që është i gatshëm. Ai është një politikan veteran. Politika është arti i kompromisit dhe duke ditur se si mund të arrihen marrëveshje politike. Shumë persona më thonë se ai është një person shumë i përshtatshëm. Për president duhet dikush që ka aftësi të mira komunikuese. Nuk ka shumë persona që kanë aftësi shumë të mira komunikuese, që duhet të jetë cilësia kryesore për presidentin e ardhshëm.

TCH: Presidenti duhet të jetë konsensual apo të zgjidhet sic deklaron kryeministri Berisha, gërmë për gërmë sipas Kushtetutës?
Ambasadori Arvizu: Mendoj se ka mundësi të mira që të zgjidhet dikush, që do të përfaqësojë unitetin e popullit, që është një komunikues i mirë, akademik, figurë biznesi etj. Shpresoj që të ketë një farë konsultimi mes mazhorancës dhe opozitës përsa i përket kandidatit për këtë pozitë të lartë. Kjo është një mundësi sepse ka shumë shqiptarë që mund të përmbushin këtë rol me integritet dhe dinjitet. Është e rëndësihme që të ketë ndarje pushtetit, është e rëndësishme që të kesh dikë që është në gjendje të punojë me qeverinë dhe të ketë pavarësi ndaj kryeministrit. Nuk dëshiroj të jetë dikush që atë që merr nga qeveria të vendosë vulën! Ky do të ishte një gabim i madh!

TCH: I qendroni deklaratës së dhënë në Ora-News për rotacion në 2013?
Ambasadori Arvizu: Ka pasur disa mbështetës të opozitës që kishin dyshime për mua, ndoshta ka edhe sot, por mendoj që opozita duhet të më caktonte mua si personi i vitit, sepse jam përpjekur prej 1 viti ta vendos opozitën në pozicione që do ta forconin atë. Të dyja anët duhet të nxjerrin më të mirën në pah. Zgjedhjet e majit kanë qenë një proces i debatueshëm. Basha bëri fushatë të shkëlqyr, ndërsa Rama ka bërë disa gabime. Problemi qendron se gjithmonë ka një komplikim që lëviz peshoren në favor të një pale, prandaj them unë që njerëzit duhet të punojnë shumë që në ditën e zgjedhjeve të mos ndahen me pak vota. Njerëzit duhet të besojnë se duhet të ketë rotacion.

TCH: Pas kësaj deklarate, sugjeroni rotacionin në 2013, mund të jetë një pjesë tjetër që të thotë kush është Arvizu që të na thotë ne se duhet të ketë rotacion?
Ambasadori Arvizu: Kërkoj ndjesë nëse jam keqkuptuar, njerëzit duhet të besojnë që do të ketë integritet të mjaftueshëm në sistem që do të bëjë të mundur rotacionin, nëse do të jesh në pushtet shumë gjatë, mund të bëhesh pak dembel, nuk është gjë e keqe të kesh rotacion, por pala tjetër duhet ta meritojë.

TCH: Ish-ambasadori Withers, në një intervistë deklaroi prag-dështimin e sistemit politik, Shqipëria drejt një modeli rus, ukrainas, hungarez. Keni një koment?
Ambasadori Arvizu: Nuk jam dakort që ka hapa pas këtu. Mendoj që do të ishte e drejtë të thuhej që përparimi është ngadalësuar në mënyrë dramatike. Është koha që e shkuara të mos përdoret më si justifikim për mungesën e përparimit të vendit.

TCH: Bahri Shaqiri, kreu i SHISH, është bashkëpunëtor i SHBA, a duhet të qendrojë?
Ambasadori Arvizu: Bashkëpunimi ynë me Bahri Shaqirin është i shkëlqyer. SHISH për mua është standardi i artë, niveli i bashkëpunimit është i jashtëzakonshëm. Nëse atij do t’i ofrohej një mandat tjetër, kjo do mirëpritej nga SHBA.

TCH: Por duket se kryeprokurorja Ina Rama është në muajt e fundit të detyrës së saj. Si duhet të zgjidhet prokurori i ardhshëm, kjo gjithmonë në varësi të presidentit, me konkurs, konsensus, apo sipas Kushtetutës?
Ambasadori Arvizu: Presidenti i ri ka një rol kyc në zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm. Mendoj që është e rëndësishme që rregullat dhe procedurat të ndiqen. Të mbajturit e rregullave nuk është gjithmonë qëllimi, por themeli i cdo demokracie është zbatimi i rregullave, sepse shteti ligjor humbet kuptimin. Gjithësecili duhet të ruajë dhe ndjekë të njëjtat rregulla. Mendoj që prokurori duhet të zgjidhet në përputhje me rregullat që kuptohen nga të gjithë.

Në Top Story, pak minuta iu kushtuan edhe pyetjeve të ardhura nga publiku dhe ndjekësit e emisionit të cilët nëpërmjet rrjetit social Twitter dërguan këto pyetje për ambasadorin Alexander Arvizu:

Pyetja 1: Cfarë do të mendonte populli amerikan nëse Obama takohet me ish-guvernatoritn Rom Blagojevic pak para vendimit të gjykatës?

Arvizu: Situata e Blagojevich është tjetër gjë, ai u shpall fajtor dhe u dënua me 14 vite burg.

Pyetja 2: Meta-Prifit, cështje e mbyllur apo e hapur?

Ambasadori Arvizu: Është përshtypja ime që shumë shqiptarë janë të lodhur nga e gjithë cështja Meta-Prifti. Kam përshtypjen që njerëzit duhet të vazhdojnë përpara, të harrojnë këto videot.

Pyetja 3: Sa krenar ndjeheni sot për këto institucionet shqiptare, ku keni dhënë edhe ju kontribut?!

Ambasadori Arvizu: Qartësisht besojmë që institucionet më të forta dhe të pavarura janë më të mira për Shqipërinë, është institucioni i Presidentit, Prokurori, SHISH, Avokati i Popullit, KLSH. Mendoj që është e rëndësishme që të rinjtë të përfshihen në politikë sepse do të jenë liderët e ardhshëm.

KOMENTE