Ish kryeministri i Maqedonisë dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Lubço Georgievski në një intervistë për portalin “Plusinfo”, ka deklaruar se maqedonasit nuk duhet të jetojnë në iluzione sepse shqiptarët në Maqedoni janë 30 për qind dhe këtë duhet ta dinë.
Georgievski ka fajësuar partnerët e koalicionit aktual VMRO-DPMNE-në dhe BDI-në për dështimin e regjistrimit të popullsisë pasi siç thotë ai, pushteti është frikësuar nga shifrat reale të bashkësive etnike në vend.
“Ky shoqërim i VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së njëzëri për ta anuluar regjistrimin e popullsisë më bën të mendoj se që të dyja partitë janë frikësuar nga ajo që e kanë parë tek shifrat. Ne kemi 1.8 milionë votues në 2.1 milionë qytetarë. Vetë kjo është e palogjikshme dhe nuk është në proporcion”, ka thënë Georgievski.
Sipas tij, çështja tjetër është se pala maqedonase do të duhej ta pranojë disfatën në politikën nacionale, që posaçërisht do të shihej tek maqedonasit myslimanë.
“Unë mund t’ju garantoj, pa asnjë burim informacioni, se prej atyre 50-60 mijë maqedonas myslimanë, të cilët janë regjistruar, sot nëse ka 10 mijë të cilët regjistrohen si maqedonas ne duhet të jemi të lumtur.
Ky është rezultat i një politike të ashpër dhe nacionaliste të cilën e udhëheq kjo Qeveri. Një strukturë e cila ishte pjesë e popullit tonë, me këtë politikë i bëmë shqiptarë dhe turqë. Unë jam i bindur se numri i shqiptarëve në Maqedoni arrin në 30 për qind dhe nëse është ashtu, këtë duhet ta dimë, e jo të jetojmë në iluzione”, deklaron Lupço Georgievski.
Duke folur për procesin e lustrimit Georgievski thekson se ende është i mendimit se duhet lustrim në Maqedoni, por siç shihet ka lustrim bardh e zi.
“Deri më sot nuk e pash atë që në veçanti më intereson. Mua nuk më intereson kush ka qenë kodosh në LSDM por në VMRO-DPMNE. Domethënë dikush ata i mbron. Ata njerëz tani do të jetë më lehtë për ti kontrolluar”, potencon Georgievski.
Ish kryeminsitri Georgievski lidhur me çështjen e emrit thotë se njerëzit të cilët janë në pozicionet kyçe nuk duan të marrin një përgjegjësi të tillë.
“Problemi është se kur në Greqi kishte qeveri më të ‘buta’, si kjo e fundit me Jorgos Papandreun, pala jonë nuk bëri asnjë përpjekje të veçantë që të hyjë në zgjidhjen e problemit. Thjeshtë, njerëzit që duhet ta mbyllin kontestin nuk janë në nivel të duhur të përgjegjësisë personale.
Ata mendojnë se duhet t’i përfundojnë mandatet që emri i tyre të mos mbetet i papastër në histori. Dhe, me këtë vetëm e komplikojnë procesin, me çka emrin e lënë si adut në fushatat parazgjedhore dhe kështu lindën heronjtë dhe tradhtarët”, është shprehur ai.
Ai më tej ka shtuar se “shteteteve kryesore të Bashkimit Evropian aspak nuk iu intereson nëse Maqedonia do të hyjë në Union”.
“Mendoj se më i fuqishëm është lobi i cili është i interesuar që të merret me ‘çështjen e Maqedonisë’. Sa i përket Shteteve të Bashkuara të Amerikës ato ende janë seriozisht të interesuara që Maqedonia të anëtarësohet në NATO, por pa i prishur marrëdhëniet me Greqinë. Kemi dy pozicione të qarta, edhe nga NATO edhe nga BE-ja se Maqedonia duhet patjetër të bëjë kompromis”, nënvizon Georgievski. (zhurnal)