Fjala e Presidentit Bamir Topi në takimin me me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri:
"Zhvillimet pozitive të muajve të fundit në drejtim të dialogut politik janë shenja pozitive. Ato erdhën pas një periudhe të gjatë konfliktualiteti politik, që dëshmoi qartësisht nevojën jetike për kalimin nga institucionet e brishta demokratike dhe në një demokraci funksionale e të qëndrueshme, një politikë të re në vizion, mentalitet e sjellje. Në këtë fazë të dialogut politik inkurajimi im mbetet shndërrimi i kësaj klime në normalitet demokratik dhe me rezultate konkrete në funksion të detyrimeve kushtetuese dhe interesave madhore të vendit. Viti 2012 mbart një specifikë të veçantë për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, pasi përkon me 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë dhe krijimit të shtetit shqiptar dhe sfida kryesore është nderimi i merituar i këtij viti jubilar përmes marrjes së statutit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe forcimin e demokracisë funksionale, si një garanci për stabilitet demokratik afatgjatë. Prej pesë vitesh kam nderin t`i shërbej vendit tim në detyrën e Kryetarit të Shtetit. Gjatë këtij viti, Shqipëria do të ketë zgjedhjet e reja presidenciale, dhe unë, konfirmoj edhe njëherë se vazhdimisht kam nxitur e mbështetur modelin e rrotacioneve demokratike në krye të institucioneve, çfarë i jep frymëmarrje demokracisë, rrit besimin publik tek institucionet dhe mbetet nevojë për vende si Shqipëria, të cilat kanë dalë nga sisteme totalitare të izoluara dhe kanë një tranzicion të gjatë e të vështirë. Shqipëria është e mbetet një vend me angazhim serioz dhe maksimal në Aleancën e Atlantikut të Veriut, në forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet mike në Bashkimin Evropian, në zgjerimin e bashkëpunimit dhe frymës miqësore me të gjitha vendet e rajonit, si dhe në përmbushjen aktive të angazhimeve në organizatat dhe nismat e ndryshme rajonale e më gjerë.
Dy dekada më parë një vend në izolim, sot Shqipëria jeton në miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm me fqinjët, me SHBA dhe vendet e BE dhe me vendet e tjera që ju përfaqësoni. Duke përfituar nga ky rast dëshiroj të shpreh mirënjohjen e thellë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera, për mbështetjen e fuqishme që i kanë dhënë Republikës së Kosovës. Tashmë, Kosova, së bashku me gjithë faktorin shqiptar në rajonin e Ballkanit Perëndimor, po shkojnë drejt integrimit të plotë në strukturat euroatlantike dhe përbëjnë një garanci të sigurt për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë”