English

Duam drita - shprehen banorët e Kombinatit gjatë protestës së djeshme

Mijëra banorë të kombinatit, burra, gra, pleq e fëmijë dolën dje në qendër të lagjes së tyre për të protestuar mbi mungesën e energjisë elektrike. Banorët thonë se prej muajsh janë të detyruar të rrinë për orë të tëra pa energji. Protesta është zhvilluar në qendër të Kombinatit. Banorët kanë dalë edhe në rrugën kryesore duke protestuar me të vetmen parullë: “Duam Drita”

Protesta e banorëve të Kombinatit është mbështetur edhe nga deputeti i zonës Saimir Tahiri. Protesta nuk ka kaluar pa incidente me policinë, pasi kjo nuk lejoi zhvillimin e protestës së banorëve në rrugën kryesore.

Deputeti i Kombinatit Saimir Tahiri u shpreh për mediat:

“Unë dhe të gjithë këtu kemi dalë për të protestuar për mungesën e theksuar të energjisë elektrike në Kombinat. Është një situatë skandaloze dhe e padurueshme. Me orë të tëra këta qytetarë vuajnë pa drita dhe nuk ka asnjë mundësi për të jetuar dhe për të zhvilluar një jetë normale, në kushte minimale. Kombinati, por edhe një pjesë e Tiranës, sot vuan mungesën e energjisë elektrike dhe kjo është një situatë e padurueshme. Ne do vazhdojmë të protestojmë deri kur qeveria t’i thërrasë mendjes se ndaj qytetarëve duhet të tregojë respekt, duke i ofruar kushte minimale jetese. Këtu hyn edhe energjia elektrike.

Çfarë thotë CEZ për këtë ndërprerje në zonën e “Kombinatit”?

Nuk ka asnjë arsye që të legjitimojë mungesën e dritave me orë të tëra në Kombinat por edhe në të gjithë Tiranën. Ndaj më e arsyeshme sesa arsyet institucionale të qeverisë apo CEZ-it na intereson që banorët e Kombinatit të kenë energji elektrike si të gjithë qytetarët. Fundja dhe si familja e vetë kryeministrit që ka drita 24 orë në 24. Protesta do vazhdojë derisa të gjithë të binden se në Kombinat duhet të ketë energji elektrike dhe kushte jetese normale.”

Më pas banorët e Kombinatit janë shpërndarë qetësisht pas protestës.

KOMENTE