Opozita kujton sot 4 viktimat e 21 janarit të një viti më parë përmes një ceremonie-homazh që do të nisë në orën 11:00. Familjarë të Ziver Veizit, Aleks Nikës, Faik Myrtajt e Hekuran Dedës, deputetë të opozitës dhe qytetarë të ardhur nga të gjitha rrethet e vendit kanë nisur ecjen e heshtur nga selia e Partisë Socialiste.
Me fotot e katër të vrarëve dhe lule në duar, ata po përshkojnë bulevardin “Dëshmorët e kombit”, duke ndaluar në vendet ku një vit më parë u vranë katër protestuesit e pafajshëm.Rreth orës 12:00, në ambientet e Akademisë së Arteve është parashikuar të mbahen fjalimet në kujtim të 21 janarit dhe viktimave të tij.
Ceremonia-homazh e ditës së sotme, përveç nderimit të 4 viktimave, ka për qëllim edhe nxitjen e Prokurorisë për zbardhjen e ngjarjes dhe vënien e autorëve para drejtësisë.
Ndërkohë, pak orë para nisjes së protestës-homazh, lideri i opozitës ka ftuar të gjithë qytetarët shqiptarë që ndiejnë nevojën për drejtësi t’i bashkohen asaj“Në 11:00 homazhe për dëshmorët e 21 janarit. Kush prej jush është në Tiranë dhe ndjen nevojën për drejtësi, le të vijë me një lule në bulevard”, shkruan Rama në Tuiter.