Partia shqiptare në pushtet në Maqedoni, BDI ka tërhequr vërejtjen se e stabiliteti i Maqedonisë dhe i rajonit ballkanik është i ndërlidhur ngusht me fatin e veriut të Kosovës. Partia e shqiptarëve të Maqedonisë, që doli nga ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), ka tërhequr vërejtjen se kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni mund të ndikohen shumë lehtë dhe ato mund të ripozicionohen varësisht nga e ardhmja e veriut të Kosovës, përkatësisht nga ndryshimi eventual i kufijve të tashëm të shtetit më të ri të kontinentit.
Duke reaguar nga shantazhimet më të reja që qeveria e Serbisë bëri rreth shpalljes së mundshme të pavarësisë së veriut të Kosovës nga serbët e atjeshëm, BDI e Ali Ahmetit tha se ndryshimet eventuale të kufijve të tashëm të Kosovës do të ketë efekt negativ në Maqedoni dhe më gjerë në rajon.
“Ndryshimi i kufijve të Kosovës do të destabilizojë rajonin. Ky është edhe qëndrimi i Washingtonit, Brukselit, Tiranës por dhe Shkupit zyrtar”, tha për “Zhurnal Plus” zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani.
Kreu i BDI-së, Ahmeti deri më tash ka qenë më i zëshmi nga shqiptarët e Maqedonisë në tërheqjen e vërejtjeve se opsionet sikur copëtimi i Kosovës, shkëmbimi i territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe ndonjë opsion tjetër sikur ai i autonomisë serbe në Kosovë, mund të kenë efekte të dëmshme për gjendjen politike dhe të sigurisë në Maqedoni.
Në muajin gusht, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), pat deklaruar për RTK se në rast se rrezikohet integriteti dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës, askush nuk mund të marrë përgjegjësi, askush nuk mund të garantojë paqen në Republikën e Maqedonisë.
Ali Ahmeti pat tërhequr vërejtjen se copëtimi i Kosovës do té frymëzonte shqiptarët e krejt rajonit për një front té përbashkët kombëtar.
“Në rast se pretendohet ndryshimi i kufijve, për një rend të ri, për një konfiguracion të ri në Ballkan, atëherë askush nuk mundet të marrë përgjegjësi dhe të garantojë paqen në Maqedoni, sepse shqiptarët e kësaj ane mund të organizohen vet, në një front, për realizimin e aspiratave të tyre kombëtare”, pat thënë zëshëm Ali Ahmeti.
Serbia shantazhon me pavarësi të veriut të Kosovës
Qeveria e Serbisë të premten ka shantazhuar me kërcënimet për shpalljen e pavarësisë së veriut të Kosovës nga serbët e kësaj ane, përballë tentimeve të perëndimit për të vendosur rendin dhe ligjin atje dhe arritur një marrëveshje për pikat kufitare midis Kosovës dhe Serbisë.
Sekretari shtetëror për Kosovën, në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që serbët e veriut të Kosovës të shpallin pavarësinë e kësaj pjese të Kosovës, nëse perëndimi vazhdon që të insistojë në zbatimin e marrëveshjes për vulat e doganës së Kosovës dhe çështjeve të tjera të pajtuara me ndërmjetësimin e BE-së. Ivanoviqi megjithëse i tha Radio Serbisë, se një ide e këtillë (v.j. e shpalljes së pavarësisë së veriut nga Serbët) « nuk është ide e mirë, ajo nuk do të kishte efekte të mira ».
Por vet fakti i theksimit të kësaj mundësie, paraqet një kërcënim serioz që qeveria e Serbisë bënë në këtë rast, përkundër deklaratave të dyta të Ivanoviqit.
“...megjithatë një mundësi e këtillë nuk përjashtohet. Serbët e Kosovës po përcjellin me vëmendje veprimet e fqinjëve shqiptarë”, tha Oliver Ivanoviqi.
LSDM: Maqedonia mund të goditet nga kriza në veriun e Kosovës
Shqetësime të njëjta sikur edhe BDI ka shprehur edhe partia maqedonase opozitare social-demokrate. Nga kjo parti të hënën thanë se kriza në veri të Kosovës mund të ketë pasoja negative për stabilitetiin e Maqedonisë.
Anëtarë të LSDM-së thanë sot se copëtimi eventual i Kosovës, përkatësisht ndarja nga Kosova e veriut të banuar mund të shkaktojë destabilizim edhe të Maqedonisë, por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“… nga përfundimi eventual i kësaj krize, mund të ketë pasoja të cilat nuk do të na pëlqenin neve këtu në Maqedoni. E ka fjalën për ndarjen eventuale të Kosovës, në qoftë nëse kjo ndodhë përmes ndonjë marrëveshje joformale,” ka thënë Stevo Pendarovski i LSDM-së, raporton Plusinfo.
“Nëse gjendja atje mbetet një kohë të gjatë si konflikt i ngrirë ajo në mënyrë të pashmangshme do të ketë pasoja edhe në situatën në Maqedoni, dhe natyrisht edhe në rajon”, tha ai.
Shqetësimet ë ngjashme pat shprehur muajin e kaluar edhe presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov. Ai i pat thënë Agjensionit shtetëror të Serbisë të lajmeve Tanjug, se ndarja e Kosovës do të kishte efekte negative në rajon.
“Konsiderojmë se ky është mendim jo i përgjegjshëm, i cili mundet më thellë ta destabilizojë gjithë rajonin dhe të ketë pasoja, të cilat do t’i kapërcejnë të gjitha vështirësitë që i kemi tani”, pat thënë Ivanovi.
RDK flet but, PDSH nuk prononcohet
Ndërkohë partia shqiptare nga opozita, Rilindja Demokratike Shqiptare (RDK) është shprehur më but dhe ka ftuar partitë e tjera shqiptare në Maqedoni që të ruajnë “qetësinë”.
“Partitë politike shqiptare duhet ta ruajnë qetësinë pa marrë parasysh veprimet e ndryshme të cilat mund t’i bëjnë partitë politike serbe në Kosovë apo Serbi,” kanë thënë anëtarë të RDK-së.
Fadil Zendeli i RDK-së tha për ZHurnal Plus se ai e sheh deklaratën e Ivanoviçit më shumë e “si provokim për rritje të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës e jo diçka serioze nga ana e strukturave serbe për të shpallur pavarësi në atë pjesë.”
“Duhet të ruhet racionaliteti i politikës në këto momente të nxehta sepse çdo veprim që do të mund të ndërmerret në pjesën veriore të Kosovës nuk do të kishte pasur ndonjë vlerë në vet relacionet brenda në Kosovë,” tha thënë anëtari i RDK-së.
Ndërkohë nga radhët e PDSH-së së Menduh Thaçi nuk ka pasur ndonjë reagim.
(zhurnal)