CEZ Shpërndarje, në kuadër të transparencës me klientët dhe të angazhimit për të ofruar një shërbim sa më cilësor, ka filluar këtë javë zbatimin e projektit për kontrollin e punës së lexuesve te matësit ashtu siç ishte njoftuar pak ditë më parë dhe ja rezultati:
Gazeta Shqip publikon se për përmirësimin e bilancit energjetik, CEZ Shpërndarje ka nisur një projekt për saktësimin e të dhënave në rrjet. Ky projekt ka ardhur si nevojë për të pasur një ide të qartë mbi lëvizjen e energjisë dhe monitorimin e humbjeve në rrjet. Megjithëse matja e energjisë për çdo pikë, duke nisur nga abonenti e deri në fund të skemës është funksionale dhe nuk prek në asnjë mënyrë klientin fundor, kuadrimi i balancave të energjisë nuk paraqet një pamje reale.
Meqenëse kjo është një problematikë e trashëguar e të dhënave në sistem, përpara fillimit të projektit CEZ Shpërndarje zhvilloi një projekt pilot për të marrë indikacione mbi lëvizjen e energjisë nga fidri te konsumatori fundor, duke marrë si referencë të dhënat nga fidri 13. Në këtë rast u konstatua që balanca e fidrit nuk ishte reale, për shkak se numri i kabinave dhe konsumatorëve që i korrespondonin këtij fidri në sistemin e të dhënave nuk ishte real”, bën të ditur CEZ. Pritet që nëpërmjet projektit të përditësimit për balancimin e të dhënave, i cili do të shtrihet në të gjithë sistemin e rrjetit të energjisë përgjatë të gjithë vitit, të balancohen të dhënat në lidhje me fidra nëpër të gjithë vendin, duke shmangur në këtë mënyrë përllogaritje të pasakta për matjen e lëvizjes së energjisë.
Sa u takon faturistëve, një tjetër projekt i CEZ synon kontrollin e punës së lexuesve te matësit, me qëllim përmirësimin e shërbimit. Që nga kjo javë e deri në fund të muajit shkurt, 100 prej faturistëve të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike do të shoqërohen në terren nga një menaxher, i cili do të monitorojë procedurën e punës së lexuesit përkatës. CEZ ka larguar nga puna rreth 50 faturistë dhe 200 të tjerë janë vënë në shënjestër, për shkak të gabimeve me leximin e sahatit. Sipas projektit, ndërsa lexuesi kryen procedurat normale të ditës së tij të punës, menaxheri, këtë radhë jashtë zyrës së tij, do të mbajë shënime mbi procesin e punës, duke krahasuar në fund të dhënat me ato të lexuesit.
Në fund të muajit shkurt, do të bëhet një analizë e përgjithshme mbi situatën, duke u bazuar mbi shënimet e menaxherëve përkatës. Kompania CEZ është e vendosur në masat që do të merren deri dhe në zëvendësimin e punonjësve që rezultojnë të jenë problematikë dhe të korruptuar me punonjës të rinj. Rreth 40 përqind e ankesave që vijnë nga abonentët janë ankesa që kanë të bëjnë me pretendime për pasaktësi në leximin e matësve.