Projektligji i përgatitur nga Ministria e Mjedisit është gati, për makinat në fund të jetës, i cili detyron pronarët e automjeteve që nuk i perdorin, të mos i braktisin ato, pa marrë me pare çerfikatën e shkatërrimit.
"Kodi Rrugor thotë që pronari i fundit i mjetit duhet të kryejë procedurën e çregjistrimit. Por çregjistrimi nuk mund të quhet i finalizuar, nëse nuk ka kaluar më parë procesin e shkatërrimit të makinës. Shkatërrimi nënkupton që ajo makinë merr fund në funksionin e saj dhe për këtë duhet të krijohet një strukturë tjetër, një skemë tjetër e mënyrës se si do të lëshohet certifikata e shkatërrimit", thotë Pëllumb Abeshi, drejtor i Politikave në Ministrinë e Mjedisit.
Ministria e Mjedisit kërkon që përmes këtij ligji t'i japë fund krijimit të mbetjeve apo varrezave të makinave.
"Makinat në fund të funksionit janë makina që duhet t'i nënshtrohet një procesi të çregjistrimit dhe të shkatërrimit dhe ky ligj parashikon të gjithë hapat që duhen marrë. Fakti është që baza ligjore aktuale, Kodi Rrugor dhe ligji që parashikon disa elementë, nuk është i mjaftueshëm dhe aktualisht nuk është zbatuar", tha Abeshi.
Çdo pronar automjeti që nuk do të zbatojë këtë ligj do të ndërmerren gjoba, nga Inspektoriati i Mjedisit.