Përbërësit:
vezë të freskëta, vaj ulliri, lloje të ndryshme piperi kokërr, erëza: rozmarinë, manxuranë, dafinë, 2 speca djegëse, uthull balsam (në ngjyrë të bardhë), shafran
Gjejmë vazon me kapak që mbyllet mirë, pasi aty do të vendosim vezët e ziera.
Në një tenxhere me ujë vendosim vezët (sa të dëshirojmë) dhe i ziejmë për pesë minuta.
Hedhim në ujë shafranin dhe i lëmë vezët të ziejnë edhe për pesë minuta të tjera. Pastaj i kullojmë, i hedhim në ujë të ftohtë dhe i pastrojmë.
Përziejmë kokrrat e piperit dhe i bluajmë. Në një tigan hedhim vajin e ullirit (mjaftueshëm për vazon ku do të vendosim vezët). Kur vaji të fillojë të nxehet, hedhim specat djegës dhe të gjitha erëzat. Ulim temperaturën që të mos digjet vaji dhe në këtë mënyrë, erëzat do të nxjerrin gjithë aromat e tyre. Shtojmë uthullën balsam, e heqim tiganin nga zjarri dhe e lëmë të ftohet.
Vendosim vezët e ziera në vazo dhe pastaj shtojmë vajin me erëzat pasi të jetë ftohur krejt dhe e mbyllim vazon me kapak. Pastaj e mbajmë në frigorifer për sa kohë të dëshirojmë. Por vezët janë kaq të shijshme, saqë është e vështirë për t’i rezistuar.