Ardian Fullani Guvernatori i BSH-së lajmëroi uljen me 0.25 përqind të normës bazë të interesit. Pra ajo zbret në 4.50 përqind dhe vjen si një masë që ndërmer Banka e Shqipërisëpër të përballuar presionet e kontrolluara inflacioniste si dhe në mbështetje të një politike fiskale më të përmbajtur në vijim.
Kjo lëvizje synon rritjen e stimulimit monetar dhe nxitjen e aktivetit ekonomik në vend. Gjithashtu sipas Fullanit rritja e stabilitetit makro-ekonomik do të krijojë kushte më të mira monetare të cilat i shërbejnë nxitjes së prodhimit të brendshëm e cili mbetet ende e brishtë.
Ndërsa duke folur për ekonominë shqiptare guvernatori deklaroi se ajo gjatë vitit 2011 ka vijuar të rritet me ritme të ngadalta, megjithëse janë konstatuar bilance të shëndosha, hapësira të disponuara për stimul makro - ekonomik dhe suksesin në ruajtjen e ekuilibrave.
“Inflacioni mesatar vjetor në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2011 është 2.9 përqind, duke rënë në krahasim me vlerën e shënuar në gjashtëmujorin e parë. Kjo tendencë u forcua më tej në gjysmën e dytë të vitit”- është shprehur Fullani.
Gjithashtu ai u shpreh optimist edhe për vitin 2012:
“Vazhdimi i reformave të bashkërenduar me rajonin, për infrastrukturën, bujqësinë, energjinë, sistemin financiar do të bëjë të mundur një rritje ekonomike afatgjate. Vendi ynë i ka të gjitha kushtet për të rritur prodhimin vendas dhe për të qënë një vend atraktiv që këtë rënie ekonomike glabale ta kthejë në avantazh për zhvillimin ekonomik” ka përfunduar Fullani