English

Fjala e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama në mbledhjen e grupit të PS

"Në emër të këtij Grupi parlamentar dhe të Partisë Socialiste, përgëzoj Prokurorinë për hapin e madh që u hodh dje në rrugën e drejtësisë për 21 janarin. Identifikimi i plotë i vrasësit së të ndjerit Faik Myrtaj, komandanti famëkeq i Gardës Republikane që u kthye në 21 janar 2011, në një hordhi vrastare mbi qytetarët e pafajshëm dhe arrestimi i tij është një lajm lehtësues edhe pse mbeten tre vrasje të tjera për t’u zbardhur.
Padyshim, në zbardhjen e plotë të kësaj vrasjeje ka luajtur një rol kyç FBI me ekspertizën e saj. Unë përsëri e falënderoj në emër të të gjithë popullit opozitar me mirënjohje Qeverinë amerikane dhe Ambasadorin Arvizu, për mbështetjen totale që po i japin hetimit edhe falë përfshirjes së FBI –së. Edhe arrestimi i ekzekutorit të zhdukjes së provave filmike nga serveri i kryeministrisë është një lajm i mirë nga procesi hetimor, që duam të besojmë, se do të thellohet deri në fund.

Ne kërkojmë edhe në emër të familjeve të viktimave, edhe në emër të Shqipërisë europiane, çuarjen e hetimit deri tek përgjegjësit e mëdhenj të hapjes së zjarrit, që nuk janë ekzekutorët, por urdhëruesit e tyre. Pa asnjë ekuivok ne e mbështesim 100% Prokurorinë në këtë hetim. Unë e quaj demencial qëndrimin kërcënues të kryeministrit ndaj Prokurores së Përgjithshme. Demencë shoqërisht e rrezikshme të kërcënosh nga karrigia kryeministrore, kreun e organit të akuzës, madje bashkë me Presidentin e Republikës, se do të hetohen dhe do të ndëshkohen sapo të lënë detyrën.

E ftoj opinionin publik dhe komunitetin ndërkombëtar ta dëgjojë me shqetësim këtë kërcënim mafioz sepse e bën autoriteti i një shumice të vjedhur që e synon Presidencën e Republikës jo vetëm për të paralizuar dorën e drejtësisë në çdo proces përvëlues për këtë shumicë, por edhe më keq, për ta kthyer atë dorë në persekutore të kundërshtarëve të vet ose të kujtdo që e ka regjistruar si kundërshtar. Në fakt Sali Berisha, bashkë me ish ministrin e tij të brendshëm, sot duhet të ishin zyrtarisht nën hetim për vrasjet e 21 janarit. S’ka batalion ushtarak që hap zjarr pa urdhër dhe s’ka komandant garde që urdhrin e jep pa e marrë nga lart. Komandanti i arrestuar i Gardës Republikane mund të pranojë të bëhet kokë turku dhe të mos e thotë se kush ia dha urdhrin, por drejtësia shqiptare s’mund të mjaftohet me arrestimin e tij dje apo të ekzekutorëve të tjerë nesër. Pa ndëshkimin e urdhëruesve drejtësia do të jetë e paplotë dhe vrasjet do të mbeten të pandëshkuara plotësisht.
Asnjë problem për ne që prokuroria kërkon tre deputetë për të shkuar më tej me hetimin. Unë personalisht jam i gatshëm të hetohem bashkë me ta dhe sinqerisht nuk e kuptoj çfarë ka bërë secili prej të tre deputetëve më shumë se unë, në organizimin e demonstratës së 21 janarit. Ose më shkoqur akoma, e di fare mirë që asnjë nga deputetët s’ka bërë asgjë më shumë se unë vet për të organizuar demonstratën e 21 janarit. Në këtë aspekt unë, të tre deputetët, të gjithë deputetët jemi të gatshëm të hetohemi dhe të kontribuojmë në procesin hetimor duke thënë të të vërtetën, vetëm të vërtetën, asgjë më shumë se të vërtetën. Prandaj i bëj apel Prokurorisë të na përfshijë të gjithëve, mua të parin, në hetimet e saj. Kam të gjithë gadishmërinë për të dhënë kontributin tim, ashtu siç kemi të gjithë, gjithë gadishmërinë për të dhënë kontributin tonë. Për më tepër si kryetar i opozitës dhe i Partisë Socialiste unë nuk kam asnjë imunitet edhe pse le ta themi hapur, drejtpërdrejtë, troç, që heqja e imunitetit të tre deputetëve është për ne tërësisht e pamjaftueshme, ndërkohë që mbetet pa u hequr imuniteti i deputetit Sali Berisha. Nga ana tjetër edhe në këtë rast, si për çdo rast, qëndrimi ynë karshi imuniteteve për çdo çështje që i intereson Prokurorisë së Republikës është i shpallur dhe i njohur botërisht, për çdo proces, padyshim edhe për 21 janarin. Por s’mund të mos e themi, megjithë mbështetjen pas asnjë ekuivok për Prokurorinë, se pa hetuar Sali Berishën dhe Lulëzim Bashën hetimi i çdo figure tjetër politike ngjan i sforcuar për të mos thënë i padrejtë. Si mund të mos hetohen dy hallkat më të larta të zinxhirit të komandës të gardës vrastare të 21 janarit ?! E pajustifikueshme! Shpresoj që kjo të mos mbetet kështu deri në fund dhe të ndryshojë, jo në funksion të interesit të palëve, por vetëm në funksion të interesit të një hetimi të thellë, të drejtë, të paanshëm dhe të pavarur.
Gjykata dha një tjetër provë të nënshtrimit të saj të plotë ndaj pushtetit të oborrit të sotëm, që mban peng Shqipërinë dhe, që është drejtpërdrejtë i implikuar në vrasjet e 21 janarit. La në arrest shtëpie një vrasës të zbuluar plotësisht nga ekspertiza më kompetente e botës. Arrest shtëpie në shtetin e bërë njësh me pushtetin do të thotë liri dalje, do të thotë mundësi e pakufishme komunikimi për të ndotur provat përsa kohë urdhëruesit e vrasjeve jo vetëm janë të lirë, por janë në krye të punëve të pushtetit që ka futur në sqetull shtetin.
Ne i bëjmë apel publik Gjykatës së Apelit ta revokojë këtë masë të papranueshme dhe të pranojë kërkesën e Prokurorisë për arrest me burg.


Ne duam drejtësi dhe vetëm drejtësi, asgjë tjetër përveç drejtësisë. E inkurajojmë dhe e mbështesim plotësisht Prokuroren e Përgjithshme znj. Ina Rama dhe të gjithë grupin hetimor. Ashtu sikundër përfitoj nga rasti që personalisht të hedh poshtë me përbuzje çdo akuzë të bërë në adresë të saj për gjoja bashkëpunim me opozitën apo me mua vetë. Sot e vërteta është se Shqipëria është zgjuar më e lehtësuar dhe pa asnjë dyshim merita për këtë i takon në radhë të parë prokurorisë. Ashtu sikundër i takon miqve të mëdhenj të Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët përmes Ambasadorit, FBI-së dhe qëndrimit pa asnjë ekuivok për të hetuar deri në fund 21 janarin, po japin një kontribut të çmuar jo vetëm për këtë process, por edhe për një sens të drejtësisë aq shumë të munguar në ditët e sotme. Në tunelin e drejtësisë për 21 janarin është ndezur një dritë shpresëdhënëse. Ne do të presim me durim që hetimet të hedhin më shumë dritë deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës dhe do të japim çdo kontribut që na kërkohet, sepse besojmë shumë fort që mbështetja e botës demokratike e shprehur në deklaratën e Trojkës pak ditë më parë dhe e Shteteve të Bashkuara në radhën më të parë janë një garanci e madhe që në këtë proces fundi të mos jetë i njëjtë me të tjera procese që e kanë njollosur keq drejtësinë shqiptare, që e kanë zhgënjyer rëndë popullin shqiptar, që e kanë shpërfaqur plotësisht karakterin mafioz të këtij pushteti, i cili garancinë e ka gjetur fatkeqësisht te pushteti gjyqësor, kthyer në vegël qorre të tij. Për gjithë sa thashë e sidomos për faktin se ka një rritje të ndjeshme të shqetësimit dhe të ndjeshmërisë të botës demokratike, të Europës së Bashkuar dhe të Shteteve të Bashkuara për ecurinë e drejtësisë në Shqipëri lejomëni që sot të jem më optimist se dje për faktin se sot ndryshe nga dje në hetimin e krimit shtetëror të 21 janarit është bërë një hap i madh përpara. Edhe njëherë përgëzime për Prokurorinë dhe mbështetje pa asnjë ekuivok për t'i shkuar deri në fund hetimeve të 21 janarit".

KOMENTE