English

Vizitë zyrtare e kryeministrit Sali Berisha në Mal të Zi

Kryeministri Sali Berisha u nis sot për një vizitë zyrtare njëditore në Mal të Zi, me ftesë të Kryeministrit malazez Igor Luksiç. Ai do të pritet nga Kryeministri i Malit të Zi z. Igor Luksiç me të cilin do të zhvillojë një takim tet a tet që do të pasohet nga takimi i delegacioneve respektive. Pas takimit, ambasadorët e të dy vendeve do të nënshkruajnë Marrëveshjen për përcaktimin e pikës së përbashkët të kalimit të kufirit Grabon - Zatrijebacka cijevna si dhe do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp.
Gjithashtu Kryeministri Berisha do të zhvillojë takime të veçanta me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç, me Zëvendëskryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Zeljko Sturanoviç dhe me kryetarin e PDS-së së Malit të Zi Milo Djukanoviç. Gjatë vizitës së tij në Malin e Zi, kryeministri Berisha do të takohet edhe me përfaqësues të partive shqiptare, si kryetarin e Lidhjes Demokratike në Mal të Zi Mehmet Bardhi, Vasil Sinishtaj i Koalicionit Shqiptar Perspektiva, Genci Nimanbegu i FORCA dhe Mehmet Zenka i Unionit Demokratik Shqiptar.
Në vijim të vizitës, Kryeministri Berisha do të zhvillojë një vizitë Tuz, ku do të pritet nga kryetari i Komunës z. Nikola Gegaj dhe do të takohet me përfaqësues të Kuvendit të Komunës Urbane të Tuzit. Vizita e Kryeministrit Berisha do të përmbyllet me një vizitë në Ulqin ku do të pritet dhe do të zhvillojë një takim me kryetarin e Komunës së Ulqinit Nazif Cungu.

KOMENTE