Sot Kuvendi ka nisur shqyrtimin e proçedurës për ngritjen e komisionit hetimor per shkarkimin e zv.kryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu.
I pari që mori fjalën ishte deputeti demokrat Viktor Gumi, i cili paraqiti arsyet e kërkesës duke u kërkuar të votojne projektvendimin që parasheh ngritjen e një komisioni hetimor.
"33 deputetët demokratë në kërkesën e tyre kanë parashtruar veç të tjerash edhe shkeljet e bera nga Spahiu", tha Gumi.
Ndërkohë Partia Socialiste ka deklaruar se nuk do të votojë pro ngritjes së komisionit parlamentar për hetimin e nënkryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu. Në emër të Partisë Socialiste deputeti Fatmir Xhafa theksoi se opozita e kundërshton ngritjen e komisionit pasi sipas tyre i mungon morali politik.
“Ne nuk do ta votojmë këtë komision dhe nuk do të bëhemi pjesë e tij, kjo jo sepse mbrojmë Kreshnik Spahiun por ne mendojmë se këtij komisioni i mungon morali politik. Ne kundërshtojmë ngritjen e komisionit sepse mendojmë se nuk është në përputhje me Kushtetutën” theskoi Xhafa.
“Kjo është një nismë e cënueshme në frymën kushtetuese. Kërkesa dhe mënyra se si është hartuar, është një gjë e sforcuar dhe nuk është në përmbushje të kritereve të Kushtetutës” theksoi më tej Xhafa.
Sipas tij, PD-së nuk i intereson veprimtaria e Kreshnik Spahiut në KLD, por e ardhmja e tij në politikë, sepse i trembet se ai mund t`u marrë votat.
Ndërsa Deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj tha se kërkesa e PD-së nuk ka të bëjë fare me Spahiun por me dinjitetin e Kuvendit.
"Ne nuk e kemi me personin por me dinjitetin e Kuvendit, me përgjegjshmërinë që Kuvemdi duhet të tregojë ndaj KLD-së, sistemit gjyqësor, dhe atij të Prokurorisë.Ky komisioni nuk i drejtohet individit, është 1/15 e një organi kushtetues. Ne kërkojmë që përgjegjësia politike, që Kuvendi duhet të marrë ndaj KLD-së. Është e njohur që KLD nuk po kryen veprimtarinë e vet, por duke u kuturisur nëpër pelegrinazhe politike, dhe unë besoj se minimumi është që Kuvendi të mbajë qëndrim.” theksoi Alibeaj.
Alibeaj ftoi edhe njëherë opozitën që të votojë ngritjen e Komisionit hetimor për hetimin e nënkryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu.