Stafi dhe të zgjedhurit e bashkisë do të nisin trajnimet për ti shërbyer më mirë qytetarëve sipas një projekti të financuar nga Këshilli i Europës. Kjo seancë disa ditore do të shërbejë jo vetëm në shkëmbimin e përvojave por edhe në udhëzimet që duhet të ndjekin të mandatuarit për herë të parë gjatë punës së tyre.
Ndërsa shefi i zyrës së Këshillit të Europës Marko Leieker thotë se para së gjithash ky trajnim shërben për mënyrën se si do të shpenzohen dhe se si do të kursehen paratë e qytetarëve nga kryetarët e komunave.
“Jemi duke filluar kursin për trajnimet e stafit të bashkive dhe komunave në mbarë vendin. Ky projekt shtrihet në të gjithë Shqipërinë dhe është e nevojshme të dimë se si investohet nga financimet e pushtetit vendor. Kjo do të shërbejë për më tepër në këtë kohë, kur të gjithë duam decentralizimin e pushtetit vendor dhe në këtë mënyrë do të rrisin besimin tek qyetarët”-u shpreh Leieker .
Në tryezën e përbashkët ishin të pranishëm drejtues dhe specialistë vendorë nga e gjithë Shqipëria.