A do ta ndjekë edhe Hamdi Salihi rrugën e Nikolas Anelkasë dhe ndoshta të Didie Drogbasë? Mediat thonë “po”, pasi nga klubi kinez i Superligës, Çangçung Jatai vjen lajmi se është rënë dakord për t’iu paguar Rapidit 1.3 milionë euro për kartonin e tij.
Sipas mediave austriake, Salihi do të marrë në Kinë një rrogë prej 450 mijë eurosh në sezon dhe, ndonëse kjo do të ishte një rrogë shumë më e vogël sesa ajo që Lorik Cana merr tek Lacio, sërish bëhet fjalë për një ofertë të rëndësishme. Vetë Salihi është shprehur se në Kinë do të pranonte të shkonte vetëm për një shumë tepër të madhe financiare.
Sulmuesi i Rapidit të Vjenës pret ndonjë trokitje skoceze, pasi Gllazgou Rejnxhërs apo edhe Sëlltik kanë treguar interesim për të. Salihi ka mesatare shumë të mirë realizimi tek Rapidi duke shënuar 53 gola në 90 ndeshje, ndonëse shumë herë ka luajtur si zëvendësues.
Ndërkaq, kosovari me pasaportë zvicerani, Xherdan Shaqiri, raportohet se do të shkojë tek Bajerni i Mynihut këtë verë. Shaqiri pret të ndeshet me Bajernin në turin e dytë të Ligës së Kampionëve, duke qenë në radhët e Bazelit zviceran, ndërsa njoftimet janë se bavarezët mund të ofrojnë deri në 15 milionë euro për të. Deri tani, Bazel nuk ka pranuar ofertat e Gallatasarajit dhe Zenitit të Shën Petersburgut.