English

Pas 14 vajzave, 71 vjeçari bëhet me djalë

Rexhep Kastrati nga fshati Zatriq i komunës së Rahovecit, është gëzuar me lindjen e një djali dhe atë pas 14 vajzave. Rexhepi, ka as më pak e as më shumë por rrumbullak 71 vjet.
Ngjarja që mahniti të gjithë ata që morën vesh, ndodhi në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, në një përkujdesje të mrekullueshme të mjekëve. Por, edhe pse nuk pranojnë të flasin më shumë se si është zhvilluar ngjarja, mjekët thonë se vetë ardhja e djalit pas 14 vajzave, është mrekulli që nuk do shumë koment, shkruan Zëri.
E më i kënaquri me këtë mrekulli, është vetë babai i fëmijët, plaku Rexhep. Teksa kishte ardhur në spital për ta marrë me vete familjen e tij, ai dukej se po fluturonte nga gëzimi. Me buzëqeshje në fytyrë e me shumë dashuri, plaku po ua kthente urimet të gjithë atyre që i dilnin përpara dhe i uronin lindjen e djalit.
“Se është djalë e kam marrë vesh në muajin e tretë të shtatzënisë. Në fillim nuk e besova dhe i thashë njërës prej vajzave të mia që ishte me mua që të mos ia thoshte askujt këtë gjë. Doja të bindesha se a ishte e vërtetë apo jo”, e shpjegonte plaku momentin kur kishte marrë vesh se në jetën e tij po i hynte djali i shumëpritur.
Këtë gëzim ai e përjetoi me gruan e tij të dytë, një mesogrua që e mori në një fshat të Shqipërisë së veriut.
Gruaja e parë ia dhuroi atij 11 vajza. Njësoj e filloi edhe gruaja e dytë, e cila solli në jetë edhe tri vajza tjera. E kur të gjitha shpresat për një trashëgimtar pothuajse kishin humbur, ndodhi ajo që për plakun ishte mrekulli.
Edhe pse asnjëherë nuk është hidhëruar me faktin se ka pasur vetëm vajza, 71-vjeçari thotë se është gëzuar për djalin për dy arsye. “Jam gëzuar se familja ime do të rritet tash e tutje. Po ashtu jam gëzuar se vajzat e mija, tashmë do ta kenë derën e hapur në shtëpinë e tyre. Gjithmonë kam pasur frikë se pas vdekjes sime ato nuk do të kenë shtëpi të tyre, e kjo frikë tani nuk ekziston më”, thoshte ai me gëzim.
Nga 14 vajzat e Rexhepit, dhjetë prej tyre janë të martuara dhe me fëmijë. Shumë prej tyre, e kishin shoqëruar të atin në spital dhe së bashku po përgatiteshin për të festuar lindjen e vëllait.
Pa dyshim që lindja e këtij djali, përveç babait, gëzim solli edhe te nëna. Por, më shumë se për vete, nusja e re ishte gëzuar për bashkëshortin e saj. “ Jam shumë e lumtur që arrita t’ja dhuroj një djalë burrit tim. Shpresoj se do të ketë jetë të gjatë dhe të jetojë i lumtur me motrat e veta dhe tërë familjen e tij”, thoshte ajo.
Gëzimi dhe festa e kësaj familjeje të varfër rahovecase do të vazhdojë edhe në shtëpinë e tyre. Djali i shumëpritur, mbase do të jetë arsye që përveç familjes, për disa ditë më radhë të festojë i tërë fshati Zatriq.
(zhurnal)

KOMENTE
  • Negjat Osmanaj19:55 - 30 Janar 2012
    ishalla asht me ymer dhe behet nje katund prej tina-jam gezuar shum per ket qee lexova