English

Reeker: Ndava me kenaqësi eksperiencat me Bashën

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha po zhvillon një vizitë zyrtare në Uashington. Zoti Basha u prit në një takim të veçantë në Departamentin e Shtetit nga Zëvendës Ndihmëssekretari i Shtetit Amerikan për Europën Phil Reeker. Në këtë takim zoti Basha e ka njohur zotin Reeker me projektet e tij në krye të Bashkisë për ta bërë Tiranën një qytet atraktiv për investime. Zoti Basha nënvizoi si prioritet të punës së tij zhvillimin ekonomik dhe rritjen e shanceve të punësimit. Zoti Basha tha se qëllimi i vizitës së tij është të prezantojë potencialet që ofron Tirana për investime por edhe lehtësitë që ofron Bashkia për ata që zgjedhin Tiranën si destinacion të planeve të tyre të investimit. Tirana, theksoi Basha në këtë takim, mirëpret investitorët amerikanë në përpjekjen për një Tiranë të shekullit të 21. Kësaj i shërben, sipas Bashës, edhe angazhimi i ekspertëve më të mirë të urbanistikës për Planin Urbanistik por edhe për projektet strategjike si zgjatimi i bulevardit, konkursi për projektin e të cilit zhvillohet me 9 mars apo projekti i Tramit, rehabilitimi i Lumit të Tiranës etj. Reeker ka vlerësuar projektet e zotit Basha si dhe prioritetin e tij për një Tiranë të zhvilluar si kusht për mirëqënien e qytetarëve të saj.

Prononcimi i z Reeker dhe z Basha pas takimit:

Reeker: “Jam tepër i kënaqur dhe i nderuar që u takova me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës z Basha dhe i urova mirëseardhjen në Uashington. Patëm një ditë të këndshme për të ndarë eksperiancat dhe jam i bindur se do të kemi takime të tjera të vlefshme. Basha është këtu dhe pres ta takoj sërish atë kur unë të vizitoj Tiranën”.

Basha: “Gjatë takimit me z Reeker, e prezantova me platformën time për Bashkinë e Tiranës për hapat që kemi ndërmarrë për një qytet më miqësor ndaj biznesit, më miqësor ndaj investimeve të huaja ne veçanti ato amerikane, në funksion të rritjes ekonomike dhe zhvillimit të Tiranës si dhe rritjes së shanceve të punësimit. Por edhe të pjesëmarrjejes së amerikanëve në përpjekjen tonë për një Tiranë moderne e europiane , të një Tirane të shekullit të 21, në veçanti me Planin Urbanistik, për konkurset e ndryshme siç është konkursi për Bulevardin dhe përpjekjeve të mia për të përmirësuar performancën e qeverisjes së Tiranës në veçanti në raport në dëgjimin e zërit të qytetarëve dhe përfshirjen e qytetarëve në vendimarrje si dhe për transparencën që qeverisja lokale duhet të ofrojë në raport me qytetarët dhe bizneset”.

KOMENTE