Sot në 1 shkurt ka nisur dhe mbledhja e Komisionit Parlamentar për Shkarkimin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu. Kryetari Enkelejd Alibeaj deklaroi se marrja me politikë e numrit dy të KLD-së është shkelje e rëndë e detyrës.
Alibeaj në mbledhjen e dytë të Komisionit ka bere prezantimin e programit te punës dhe mënyren e kryerjes së hetimeve per veprimtarine e Spahiut.
Sipas Alibeajt, nënkryetari i KLD-së ka dërguar letra diplomatike drejt Kosovës dhe Greqisë të cilat nuk kanë të bëjnë me sistemin gjyqësor ndërsa ka shtuar se ai ka takuar shqiptarë jashtë vendit dhe nuk ka folur për drejtësinë. Alibeaj gjithashtu ka theksuar se Kushtetuta parashikon mekanizmat për shkarkimin e zyrtarëve të lartë ndërsa për rastin e Kreshnik Spahiut, anëtarët e KLD duhet të jenë të pavarur.
Afati i shtrirjes së hetimeve do të jetë tri javë dhe në këtë hark kohor, pesë deputetët e Partisë Demokratike do të duhet të përgatisin një raport lidhur me veprimtarinë e nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Plani i hetimit do të përqendrohet në tri pika: abuzimin me detyrën, largimin me kohë të zgjatur dhe devijim nga funksionet kushtetuese, duke u angazhuar politikisht.
15 shkurti është data kur do të miratohet edhe raporti i komisionit hetimor.